Connect with us

Kosova

Sveçla: Kemi dyshime për përfshirjen e Rusisë në sulmin në veri

Ministri i Brendshëm në Kosovë, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se autoritetet në Kosovë po hetojnë dhe analizojnë provat e deritanishme për të parë ndonjë lidhje të mundshme të Rusisë me sulmin terrorist të grupit të armatosur serb mbi Policinë e Kosovës më 24 shtator 2023, në fshatin Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku.

Në një intervistë për Associated Press, Sveçla u shpreh se në provat e grumbulluara deri tani janë pjesë dhe disa dokumente që ngjallin dyshime për pjesëmarrjen e disa individëve nga Rusia në grupin e armatosur serb.

“Ajo çka e dimë sigurt është se sulmuesit erdhën nga Serbia. Disa prej tyre janë serbë të Kosovës, që kanë shtetësi të dyfishtë  të Kosovës dhe Serbisë  dhe sipas informacioneve nga inteligjenca jonë, ata ishin trajnuar në kampet në Serbi. Kemi gjetur disa dokumente që na bëjnë të dyshojmë se ka pasur individë nga Rusia po ashtu. Sa u përket pajisjeve, ne kemi dëshmi, por sa u përket individëve, ne ende kemi vetëm dyshime.”-është shprehur Sveçla.

Ndër të tjera, ministri u shpreh se për të ruajtur anonimatin e anëtarëve të grupit, pjesëtarët nuk ishin të njohur me njëri tjetrin, dhe kjo ishte ndër arsyet kryesore që ata mbanin kapuça sipas tij.

“As anëtarët e grupit që u arrestuan nuk e dinin se kush ishin ata. Pra, ata ose janë zyrtarë të lartë të sektorit të sigurisë së Serbisë, ose kanë ardhur direkt nga Rusia”.

Po ashtu, ai tha se ndër qëllimet kryesore të atij sulmi ishte dhe rekrutimi sa më shumë serbëve në grupin e tyre terrorist.

“Ata kishin mbi 100 uniforma. Ata po planifikonin që të rekrutonin më shumë persona brenda komuniteteve ku jetojnë serbët… Institucionet e Kosovës më pas do të duhej të përballeshin me disa qindra terroristë, sipas skenarit që ata kishin planifikuar”.

Advertisement