Connect with us

Kosova

Shumë pyetje për Serbinë/ Bilçik: Procesi i dialogut në një moment të vështirë

Raportuesi për Serbinë në Parlamentit Evropian, Vladimir Bilçik, teksa ka komentuar rrjedhën e tensionuar në raportet Kosovë-Serbi pas sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – në veriun e Kosovës, ka thënë se dialogu për normalizimin e marrëdhënieve nën kujdesin e Bashkimit Evropian, është në një moment të vështirë.

Në një prononcim për agjencinë serbe të lajmeve “Tanjug“, eurodeputeti sllovak ka veçuar mungesën e progresit lidhur me themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, si edhe ka kërkuar përgjigje nga Serbia për sulmin e paramilitarëve serbë më 24 shtator.

“Ka një problem të madh në Prishtinë për shkak të mungesës së progresit në lidhje me themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe dhe miratimin e vendimeve të rëndësishme që do të çonin në zgjedhje të reja në veri të Kosovës. Por gjithashtu në këtë moment kemi shumë pyetje për Beogradin kur bëhet fjalë për shpjegime të besueshme se çfarë ka ndodhur realisht në Banjskë” – theksoi Bilçik

Perspektiva e Serbisë drejt BE-së është ende e pasigurt. Gjithashtu, mbetet e paqartë nëse Serbia do të ndjekë politika të favorvshme ndaj stabilitetit rajonal. Serbia, gjatë gjithë historisë saj, ka rrugëtuar sipas një daulleje krejt të ndryshme nga pjesa tjetër e botës perëndimore. Prandaj eurodeputeti sllovak ka kërkuar nga autoritetet serbe të ndërmarrin disa hapa.

“Shpresoj që partnerët tanë në Serbi dhe në Ballkanin Perëndimor ta shohin këtë si një mundësi. Agresioni rus ndaj Ukrainës ka ndryshuar vërtet gjithçka. Ai e ka kthyer në detyrim zgjerimin e axhendës evropiane dhe shpresoj që partnerët tanë do përfitojnë prej kësaj” – ka potencuar Bilçik.

Në vitet e fundit, sondazhet e opinioneve të kryera në rajon dhe Serbi, tregojnë polarizimin e shoqërisë serbe persa i përket besueshmërisë dhe anëtarësimit në BE. Krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, qytetarët e Serbisë tregojnë skepticizmin më të lartë dhe qëndrimin më negativ ndaj BE-së, duke favorizuar Rusinë dhe Kinën

Advertisement