Connect with us

Shkrime

‘De fakto’ e ulur në krye të qoshesë

Nga Nemanja Rujeviç

Ursula von der Leyen vizitoi para pak ditësh oborrin e pasmë të Bashkimit Evropian. Në raste të tilla, mediat rajonale bëjnë një përpjekje të veçantë: çfarë do të thotë vizita, dhe cilat ishin mesazhet, pavarësisht se ato janë gjithmonë të këndshme dhe optimiste, të tilla si: BE-ja nuk është e plotë pa Ballkanin, refren që përsëritet prej 20 vitesh.

Por këtë herë, gazetarët dhe analistët duhej të kënaqeshin duke parë fjalorin latin, pozicionin e yjeve dhe kartat tarot, sepse Von der Leyen la një mesazh të pazakontë, që Serbia de fakto duhet ta njohë Kosovën.

Lexuesi i mprehtë tashmë e di shumë mirë se, porsa sheh se ‘de facto’ dhe ‘de iure’ përmendet në gazeta apo nga spikerët e televizioneve apo dhe të ftuarit e rregullt nëpër studio, fjala duhet të jetë për Kosovën.

Por meqenëse temat e tjera janë të zakonshme dhe të mërzitshme, dhe Kosova është shekullore dhe thelbësore, mund të jetë e vlefshme që ne të thellohemi në mesazhet e koduara të ‘Von der Leyen.’

Ajo nuk është mendimtare apo folëse e madhe. Në karrierën e saj të deritanishme ka spikatur vetëm për afera marrëveshjesh për armë dhe vaksina, madje të paguara me para publike, gjermane dhe evropiane.

Nëse nuk do të kishte qenë që Angela Merkel që ta katapultonte në Bruksel, Von der Leyen ndoshta të ishte krejtësisht e parëndësishme.

Kosova, siç dihet, është ende një lloj protektorati, ku presidenti Vucic ka dhe mbështet një organizatë parapolitike me emrin Lista Srpska dhe një grup kriminelësh.

Ai shfaqet i nervozuar dhe i tërbuar me Albin Kurtin, vizioni i të cilit është se pa serbët nuk do të kishte probleme, ndaj po përpiqet të bëjë të pamundurën që ata të largohen.

Pra, “gjëja serbe” në Kosovë nuk po shkon shumë mirë, por ekziston një besim i përgjithshëm se mund të trajtohet duke teorizuar statusin e Kosovës dhe qëndrimin e Beogradit ndaj tij.

Herë pas here ka akuza se Beogradi de fakto – faktikisht, në praktikë – kohë më parë e ka njohur pavarësinë e Kosovës. Zakonisht akuza të tilla bëhen nga opozita kurse qeveria i mohon.

Regjimi i Millosheviçit nënshkroi Marrëveshjen e Kumanovës, cila dorëzoi sovranitetin mbi Kosovën. Kujtojmë gjithashtu Angela Merkelin që vizitoi Beogradin në vitin 2011, kur ish-presidenti Boris Tadic që refuzoi të shfuqizonte “institucionet paralele”. Pastaj erdhi Vuçiç dhe bëri atë që Tadic nuk donte. Ai i detyroi serbët të bëheshin pjesë në gjyqësorin e Kosovës, policinë dhe qeveritë lokale. Që atëherë, thonë se Vuçic de facto e ka njohur Kosovën, kurse të tjerë e cilësojnë “tradhtar”.

Interpretuesit më të guximshëm të ngjarjeve thonë se Marrëveshja e Brukselit është njohje ‘de jure’ sepse Beogradi u pajtua me institucionet e Republikës së Kosovës, dhe jo me institucionet e ndonjë krahine të arratisur përkohësisht.

Por siç mund ta shohim, gjërat me ‘de facto’ dhe ‘de iure’ janë mjaft fakultative, dhe interpretimet janë po aq të zgjatura sa çamçakëzi.

Prandaj ka mundësi që edhe dhjetë vjet pas marrëveshjeve të Brukselit dikush të kërkojë sërish njohje ‘de facto’ , e cila nuk do të jetë njohje reale dhe sërish dikush të flasë se si “nuk e dha Kosovën”, ndërsa të tjerët do ta akuzojnë atë për “tradhti”.

Ursula von der Leyen, e pajisur me euro për disa projekte dhe me një angazhim të madh për të pranuar Serbinë dhe fqinjësinë në BE, e shpalli Marrëveshjen e Ohrit si një njohje ‘de facto’, duke kënaqur oreksin e saj tani për tani.

Pastaj objektivi do lëviz. Diçka tjetër do shpallet njohje ‘de facto’ dhe më pas do vazhdojmë të diskutojmë edhe për dhjetë vite të tjera.

Sepse, as në Beograd, as në Prishtinë e as në Bruksel, Kosova nuk merret si problem objektiv, si vend ku jetojnë disa njerëz, që dikush i quan të këqij, e të tjerë se ata jetojnë në geto.

Çështja shihet si një mosmarrëveshje e përjetshme dhe ekzagjerim i tepërt i asaj që është, çfarë nuk është, çfarë është de facto, çfarë është de jure.

Advertisement

TRENDING