Connect with us

Aktualitet

SPAK kërkon përjashtimin e gjyqtares Olldashi nga shqyrtimi i ankimit të Malltezit

Prokuroria e Posaçme, SPAK ka kërkuar përjashtimin e gjyqtares Ilirjana Olldashi sa i takon shqyrtimit të çështjes së dhëndrit të ish-kryeministrit Sali Berisha, Jamarbër Malltezi. Kjo, me argumentin se ka konflikt interesi. Jamarbër Malltezit i janë sekuestruar 25 pasuri, ndër to apartamente, një vilë, gjashtë llogari bankare dhe aksione në kompani. Një ditë më parë Prokuroria e Posaçme ka bërë rekurs në Gjykatën e Lartë kundër lirimit të Jamarbër Malltezit nga Gjykata e Posaçme e Apelit. Apeli liroi nga burgu Jamarbër Malltezin dhe la në fuqi masën detyrim paraqitje për ish-kryeministrin Sali Berisha.

Gjyqtarja argumentoi për dhënien e vendimit se Malltezi nuk mund të prishë provat dhe nuk ka rrezik të largohet jashtë vendit.

Lajmi është bërë me dije nga avokati i Berishës, Genc Gjokutaj.

Ky i fundit tha se “Gjykata shpalli vendimin, duke miratuar Berishën, ndryshon pjesën për Maltezin, duke caktuar masën e sigurimit arrest shtëpie”.

“Kjo çështje mbetet politike. Është një gërvishtje, Malltezi nuk ka asnjë lloj penaliteti. Ky është kallëzimi dhe regjistrimi i procedimit brenda një dite. E pamundur që për çështje te tilla, brenda një dite kalendarike pune të regjistrohet kallëzimi dhe procedim”.

Ai shtoi se vendimin e GJKKO ndaj Berishës për masën ‘detyrim paraqitje’ dhe ‘ndalim të daljes jashtë vendit’ do ta çojë edhe në Gjykatë e Lartë.

“Berisha nuk ka rrezik që të ikë. 2 herë në javë është në parlament ndërsa prokuroria e kërkon 1 në 2 javë. Ajo masë rrjedh nga një arsyetim anti-kushtetues. Të enjten kemi seancën e rradhës për humbjen e fuqisë. Do shfrytëzojmë të gjitha mjetet ligjore, do jetë një betejë e gjatë. Do të shkojmë në gjykatën e Lartë”, u shpreh Gjokutaj mes të tjerash.

Dhëndri i ish-kryeministrit, Sali Berisha, është arrestuar që prej të shtunës e 21 tetorit nga forcat e policisë dhe ai akuzohet nga SPAK për korrupsion e pastrim parash.

Malltezi, në cilësinë e bashkëshortit të vajzës së kryeministrit, ka përfituar materialisht nga privatizimi i terreneve dhe objekteve sportive, shkruan Prokuroria.

“Ndryshimet e kryera në lidhje me destinacionin e zonave nga sportive në të banimit, gjë që ka çuar në kryerje ndërtimesh, nga të cilat ka përfituar drejtpërdrejtë shtetasi Jamarbër Malltezi”, saktëson SPAK.

Fitimet e Malltezit në cilësinë e investitorit nga shoqëria “Homeplan” sh.p.k., pa investuar tek kjo e fundit, llogariten në total në shumën 5 milionë e 420 mijë e 345 euro.

Malltezi dyshohet se ka konsumuar veprën penale të “Korrupsioni pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim me shtetasin Sali Berisha, pasi në marrëveshje me këtë të fundit, duke shfrytëzuar pushtetin e ish kryeministrit, për të marrë përfitimet e parregullta, theksoi SPAK.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë (GJKKO) ka vendosur të premten e 20 tetorit masën e sigurimit pasuror “sekuestro preventive” për 16 pasuri të paluajtshme në pronësi të Malltezit.

Ndër të tjera, GJKKO-ja ka vendosur nën sekuestro preventive edhe gjashtë llogari bankare (në euro, dollarë dhe lek) në emër të tij, si dhe kuotat e kapitalit themeltar në shoqëritë “Homeplan” shpk (45 për qind e kuotave), “Magnet IMO” shpk (100 për qind e kuotave) dhe “Magnet Gym&Fi” (60 për qind e kuotave).

GJKKO

GJKKO-ja publikoi më herët vendimin për caktimin e masave ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha dhe dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi.

Për Malltezin, GJKKO-ja ka caktuar masën e sigurimit personal shtrëngues “arrest ne burg”.

Ai dyshohet për kryerjen e veprave petale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 287 paragrafi i dytë i Kodit Penal.

Nga ana tjetër, Gjykata e Posaçme ka caktuar ndaj ish-kryeministrit masën e sigurimit personal shtrëngues “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”.

Për Berishën, GJKKO-ja ka caktuar dhe “Ndalimin e daljes jashtë shtetit parashikuar nga neni 233 i K.Pr.Penale”, si person nën hetim.

Ish-kryeministri dyshohet për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal”.

Për ndërtuesin Fatmir Bektashi, ortaku i Malltezit, është caktuar masa e sigurimit personal shtrëngues “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale dhe “Ndalim i daljes jashtë shtetit parashikuar nga neni 233 IK.Pr.Penale”.

Ai dyshohet për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendore”, parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 287 paragrafi i dytë i Kodit Penal.

Advertisement