Connect with us

Kosova

Serbia dhe Kosova futen në kllapa/ Këshilli i Ministrave i BE-së shtrëngon litarin

Ministrat e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, kanë miratuar pakon e zgjerimit dhe konkluzionet, ku në pjesën për Kosovën dhe Serbinë thuhet se detyrimet e dala nga Marrëveshja Bazë do përfshihen në proceset evropiane të dy vendeve.

Kjo nënkupton që në rastin e Kosovës do përditësohet agjenda për normalizim, ndërsa në rastin e Serbisë detyrimet do përfshihen në negociatat e anëtarësimit mes Brukselit e Beogradit.

Ndër të tjera në konkluzionet e miratuara nga ana e Këshillit të Ministrave është kërkuar nga Kosova dhe Serbia që të zbatojnë të gjitha obligimet që dalin nga marrëveshjet e dialogut të lehtësuara nga BE-ja, pa parakushte dhe pa vonesa, duke shprehur keqardhje se nga asnjëra palë nuk ka pasur gatishmëri deri më tani për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve nga e kaluara.

“Kërkojmë nga Kosova që në tërësi dhe pa vonesa të tjera t’i zbatojë ato. Kjo përfshin edhe themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Këshilli e mirëpret gatishmërinë e Kosovës dhe të Serbisë për të pranuar draftin e paraqitur nga lehtësuesi i BE-së me kuptimin se punë e mëtejme duhet të bëhet në bazë të tij” –  thuhet në tekstin e miratuar, ku hapësirë e veçantë i është kushtuar edhe situatës së sigurisë në Veri.

Në këtë kontekst Këshilli ka dënuar ashpër sulmet e dhunshme të protestuesve serbë të Kosovës ndaj trupave të KFOR-it, ndaj organeve të rendit dhe mediave në protestën e 29 majit të këtij viti.

Nga Kosova dhe Serbia kërkohet që të bëjnë përpjekje të qëndrueshme për de-përshkallëzimin, të përmbahen nga veprimet e njëanshme dhe provokuese që mund të çojnë në tensione dhe dhunë dhe të ndalojnë retorikën përçarëse.

Këshilli gjithashtu ka rikujtuar se dështimi në de-përshkallëzim do të ketë pasoja duke konfirmuar gjithashtu gatishmërinë e BE-së për të vendosur masa shtesë ndaj Serbisë dhe Kosovës, nëse kjo është e nevojshme.

Këto konkluzione do konfirmohen edhe nga ana e shefave të shteteve dhe qeverive të BE-së të cilët do takohen me 14 dhe 15 dhjetor

Advertisement