Rajon
Vuçiç shpall fitoren në zgjedhjet parlamentare të Serbisë
Partia Përparimtare serbe e presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiç, pretendon një fitore të thellë në zgjedhjet parlamentare të së dielës që u përcollën me raporte për parregullsi të mëdha si gjatë fushatës së tensionuar po ashtu edhe në ditën e votimit.
Presidenti serb tha se lista “Serbia nuk guxon të ndalet”, e udhëhequr prej tij ka fituar 46.5 për qind të votave e pasuar nga lista “Serbia kundër dhunës” e partive opozitare me 23.5 për qind.
Nënkryetarja e Partisë Përparimtare Serbe, Ana Bërnabiç, kryeministre në detyrë, tha se në bazë të rezultateve paraprake lista e drejtuar nga partia e saj do të ketë shumicën absolute me mbi 125 deputetë në parlamentin 250 vendesh të Serbisë.
Vëzhguesit nga Qendra e Pavarur për Kërkime, Transparencë dhe Përgjegjësi, (CRTA) shprehën “shqetësimin të thellë ” për rastet e transferimit të organizuar të votuesve të paligjshëm të dielën nga vendet e tjera në Beograd.
Partitë opozitare dhe grupet e të drejtave të njeriut akuzojnë gjithashtu presidentin serb dhe partinë e tij për blerje votash, mbytje të lirisë së medias, dhunë ndaj kundërshtarëve, korrupsion dhe lidhje me krimin e organizuar.
Gjithsej 18 parti dhe koalicione u vunë në përpjekje për të siguruar mbështetjen e rreth 6.5 milionë votuesve. Pragu për të hyrë në parlamentin prej 250 vendesh është 3 për qind.
Zgjedhjet në Serbi përkuan me një periudhë përpjekjesh diplomatike perëndimore për normalizimin e marrëdhënieve të saj me Kosovën, mes tensioneve të larta që pasuan me sulmin terrorist me 24 shtator ndaj policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit.
Pegjegjësinë pë sulmin e mori përsipër Milan Radoiçiç, ish nënkryetari i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve të Kosovës e cila është themeluar dhe mbështetur nga Beogradi.
Me 27 tetor, udhëheqësit e vendeve kryesore evropiane, Francës, Gjermanisë dhe Italisë i kërkuan Kosovës më shumë autonomi për pakicën serbe, ndërsa Serbisë njohjen “de fakto” të pavarësisë së Kosovës. Kërkesat janë pjesë e përpjekjeve të ripërtërira për të nxitur përmbushjen e një marrëveshjeje të arritur më herët gjatë këtij viti në Bruksel dhe në Ohër.
Por, gjatë kësaj jave Serbia ritheksoi qëndrimin e saj se nuk do të përmbushë pjesët e marrëveshjes që nënkuptojnë njohjen e Kosovës. Bashkimi Evropian tha se marrëveshja është ligjërisht e detyrueshme për të dyja palët dhe kusht për përparimin e tyre drejt integrimeve evropiane.
Serbia, e cila kundërshton pavarësinë e Kosovës, e ka shpallur anëtarësimin në BE si synim të saj, por vazhdon të ruajë lidhje të ngushta me Rusinë dhe ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve perëndimore ndaj Moskës për shkak të agresionit të saj në Ukrainë.