Kosova
Hill ngre alarmin: Rusia po përdor zgjedhjet në Serbi si pykë mes saj dhe Perëndimit
“Rusisë i kanë mbetur pak miq, veçanërisht në Evropë, kështu që ata vendosën të përdorin zgjedhjet serbe në një përpjekje të dëshpëruar për të qëndruar relevant, duke u përpjekur të ngrenë një pykë midis Serbisë dhe partnerëve të saj euroatlantikë. Gjithçka që ata i ofrojnë Serbisë është jostabiliteti dhe e kundërta e progresit” – Kështu deklaroi për “Blic” Christopher Hill, ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd.
Ndër të tjera, duke i përgjigjur pretendimit të zyrtarëve rusë se Perëndimi po inkurajon një “revolucion me ngjyra” apo një tjetër “Meidan” në Serbi, Hill u shpreh: I kam parë këto deklarata dhe mendoj se janë qesharake, askush nuk po inkurajon revolucionin në Serbi pasi ky është një vend demokratik dhe qytetarët e saj vendosin vetë të ardhmen e tyre.
“E kemi pasur të qartë se zgjedhjet e 17 dhjetorit kanë treguar mangësi, të cilat Serbia duhet t’i zgjidhë. Komuniteti ndërkombëtar, përfshirë OSBE-në, është i gatshëm të ndihmojë. Por përparimi demokratik i Serbisë në fund të fundit varet nga qytetarët e saj. I vetmi aktor ndërkombëtar që nuk do përparimin e saj është Rusia – as Amerika, as Evropa, as dikush tjetër në Perëndim” – tha ambasadori Hill.