Aktualitet
Vdekja e të riut/ Flet daja i 20-vjeçarit: E ëma e zgjoi kur ra tërmeti, por…
Lëkundjet e tërmetit të cilat u ndjenë mbrëmë në Lushnje rezultuan fatale për një 20-vjeçar. Sipas familjarëve, i riu është zgjuar nga gjumi nga e ëma në momentin kur ka rënë tërmeti dhe ka pësuar infarkt. Mësohet se i riu ka rënë në tokë sapo ka lëvizur për të dalë jashtë. Nga deklarata e dajës së viktimës, Sokol Sina u shpreh se i riu vuante nga epilepsia.
“Ngjarja ka ndodhur pas tërmetit, motra ka thirri djali dhe i ka thënë se po bie tërmet. Në atë kohë, djali ngrihet dhe rrëzohet përtokë. E kapin, e tundim, infarkti ka bërë punën. Kanë njoftuar ambulancën, ka ardhur policia dhe e kanë marrë.
Në momentin që është ngritur ka rënë në tokë. Motra ime ka tre fëmijë, dy vajza dhe një djalë. Djali ishte i vogli. Vuante nga epilepsia,” tha daja i 20-vjeçarit.
Kujtojmë se tërmeti i regjistruar mbrëmjen e djeshme ishte me magnitudë 4.6 ballë dhe epiqendra e lëkundjeve ishte mes Lushnjes dhe Elbasanit. Banorët e Lushnjes lanë apartamentet dhe pavarësisht temperaturave të ulëta qëndruan jashtë nga frika. Lëkundjet e tokës u ndjenë edhe në shumë qytete të tjera si Tiranë, Durrës, Kavajë, Fier, Korçë, Pogradec, Vlorë etj.