Connect with us

Aktualitet

“Ushqenin” kompanitë e tyre me tendera/ Si u “fundosën” drejtorët e Bashkisë Tiranë

Emisioni ‘Në shënjestër’, trajtoi këtë të mërkurë, arrestimet më të fundit të ndodhura në Bashkinë Tiranë, ku në prangat e SPAK, ranë Mariglen Qato dhe Redi Molla, me pozicione drejtuese në këtë bashki.

Këta të fundit  në periudhën kur morën këto poste, themeluan kompaninë që sot mban emrin ‘5D Konstruksion’, ku ata ishin pronarë të fshehur, shoqëri tregtare që e ushqenin po vetë me tendera.

Dokumentari, pjesa e parë:

Ata u bënë drejtorët e radhës në Bashkinë e Tiranës, që bien në prangat e SPAK, duke konfirmuar se korrupsioni është kthyer në një strukturë të mirëfilltë, që zgjatimin e ka nga pushteti qendror deri në atë lokal. Dhe skema duket të jetë e ngjashme, ashtu si edhe në rastet e tjera, drejtorët e ardhshëm ngjiten në pozicione dhe lartësi të tilla, jo thjesht për aftësinë e tyre menaxhuese, por edhe për t’u kamufluar si ortakë në biznese të ndryshme, të cilët më pas, sapo marrin poste publike, këtyre bizneseve u rriten të ardhurat shumëfish dhe shiten te familjarët e tyre për shifra qesharake.

 

 

Një lojë në dukje numrash, por që me zbërthimin e saj, po nxjerr zbuluar edhe një nga mënyrat se si drejtuesit vendorë apo më lart, kanë zgjedhur të fshehin bizneset. Por jo vetëm kaq, ata gjithashtu i ushqejnë me tendera, gjatë kohës që tashmë pushteti i ka marrë edhe për qëllimet e veta, i vendosur në krye të këtyre institucioneve. Ky shembull duket se është edhe ai i Mariglen Qato dhe Redi Molla, të dy drejtues në kohë të ndryshme të punëve në Bashkinë e Tiranës, të cilët u vendosën në pranga nga SPAK.

Qato kishte mbajtur në Bashkinë e Tiranës, postin e drejtuesit të IMT-së (Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit), dhe Redi Molla atë të ‘Ujësjellës Kanalizime’, por që së bashku i lidhte një kompani ndërtimi e quajtur ‘5D Konstruksion’, shoqëri të cilën ata e kishin themeluar gjatë kohës që kishin marrë postet drejtuese në Bashkinë e Tiranës, duke fshehur faktin që ishin ata pronarët e vërtetë dhe konfliktin e interesit, duke e shitur kohë pas kohe te njerëz të tyre të afërt, si edhe duke ndërruar shpesh emrin.

Qato, përpara se t’i përvishej punëve në bashki, ishte emëruar fillimisht si Drejtor i Drejtorisë së Punëve Publike Nr. 2 në vitin 2015, më pas si Drejtor pranë Ujësjellësit Tiranë, dhe deri në zgjedhjet lokale të 14 Majit 2023 ishte në krye të IMT-së. Ai kishte në pronësi një biznes me bazë produktet e brumit, dhe së fundmi ishte në krye të ‘Tirana DC’ sh.a. Interesante është mënyra se ai krijoi në vitin 2016, bashkë me mikun e tij Redi Molla, kompaninë ‘5D Konstruksion’, e cila u regjistrua në Qendrën Kombëtare të Biznesit më 21 janar të vitit 2016, fillimisht në emrin ‘Igor Elektrik’. Si aksioner i vetëm rezultonte të ishte Eduart Meta, por rezulton të jetë njohje e Mariglen Qatos.

Hetimet

Nga kqyrja e dokumenteve të sekuestruara në ambientet e shoqërisë ‘5D Konstruksion’ sh.p.k si dhe analizimi i të dhënave nëpërmjet ekspertimit kompjuterik, janë gjetur prova të tjera të cilat dëshmojnë se shtetasit Eduard Meta, Muhamet Petriti dhe Nestor Muhametllari nuk kanë qenë ortakët e vërtetë të shoqërisë tregtare, tashmë me emërtimin ‘5D Konstruksion’ sh.p.k.Por pronësia e tyre mbi kuotat e shoqërisë ka qenë e regjistruar në mënyrë fiktive.

Nga ku del se pronarët faktikë, janë shtetasit Redi Molla dhe Mariglen Qato, të cilët dyshohet se e kanë zotëruar këtë shoqëri tregtare në mënyrë të tërthortë, nëpërmjet personave të mësipërm, që prej viti 2016 kur është themeluar.

Sipas dosjes hetimore të siguruar nga emisioni ‘Në Shënjestër’, kompania u themelua gjatë kohës që Qato dhe Molla ishin në pozicionet drejtuese në Bashkinë e Tiranës, megjithatë, administratori i saj në letra ishte shtetasi Eduart Meta, ndërsa në vitin e parë kishte një fitim vjetor prej 760 mijë dollarë. Ajo u shit për vetëm 75 lekë të reja te shtetasi Muhamet Petriti, i cili rezulton të jetë vjehrri i Alfred Qatos, vëllait të Mariglen Qatos.

Në vitin 2018, Muhamet Petriti kthehet në aksioner me 100 përqind të kompanisë ‘5D Konstruksion’ dhe emëron si administrator të shoqërisë shtetasin Nestor Muhametllari. Megjithatë, vetëm tri vite më pas, në vitin 2021, ai ia shet kompaninë Muhametllarit për vetëm 10 mijë euro, pavarësisht se shoqëria tregtare kishte një xhiro prej 9 milionë euro dhe një fitim prej 2 milionë euro. Ndërkohë, nga themelimi në vitin 2016 deri në vitin 2022, sipas bilancit të depozituar në Qendrën Kombëtare të Biznesit, kompania pati të ardhura në shumën e 22 milionë eurove.

Akuza kryesore që SPAK ka ngritur për dy ish-drejtorët e Bashkisë, Mariglen Qato dhe Redi Molla, është se ata në fakt janë pronarë të kompanisë ‘5D Konstruksion’ dhe kanë shfrytëzuar pozicionin e tyre drejtues në Bashkinë për të favorizuar kompaninë e tyre në tendera, duke u shërbyer me tendera në kundërshtim me ligjin dhe duke krijuar një konflikt të hapur interesi, duke e favorizuar në krahasim me kompanitë e tjera

SPAK ka vërtetuar lidhjen e tyre me kompaninë ‘5D Konstruksion’ përmes bisedave të tyre me vartësit e tyre, duke përfshirë faktin që kompania fitoi tenderin e parë nga Bashkia e Tiranës vetëm një muaj pasi ishte themeluar në vitin 2016, me emrin ‘Igor Elektrik’. Punëdhënësit e saj të parë u bënë Redi Molla, si drejtor i ‘Ujësjellës Kanalizimeve’ Tiranë, dhe Mariglen Qato në krye të komisionit të prokurimit.

Hetimet

Kompania ‘5D Konstruksion’ u regjistrua në Janar 2016 nga shtetasi Eduart Meta, me profesion elektriçist nën emrin ‘Igor Elektrik’. Kjo kompani fitoi tenderin e parë, pa mbushur një muaj nga data e themelimit.

Autoriteti Kontraktor ishte ‘Ujësjellës Kanalizime Tiranë’ sh.a, që në atë kohë drejtohej nga Redi Molla, ndërsa kryetar i komisionit të prokurimit ishte Mariglen Qato.

Edhe pse Eduart Meta ia shiti 75 përqind të aksioneve Muhamet Petritit, vjehrrit të vëllait të Mariglen Qatos, në janar të vitit 2017, ai mbeti administrator i kompanisë deri më qershor të vitit 2018, kur administrimin e mori Nestor Muhametllari. Gjatë kësaj kohe, në dhjetor të vitit 2018, Eduart Meta i shiti edhe 25 përqind të aksioneve të mbetura në pronësi të tij, shtetasit Muhamet Petriti, momenti kur kompania ndryshoi emrin nga ‘Igor Elektrik’ në ‘VAS Konstruksion’ sh.p.k.

Në vitin 2021, pasi Muhamet Petriti ia shiti kompaninë Nestor Muhametllarit, shoqëria ndryshoi sërish emrin dhe në vazhdim do të quhej ‘5D Konstruksion’ sh.p.k. Megjithatë, siç del edhe në dosjen e Prokurorisë, Muhamet Petriti është përdorur thjesht si një ‘prestanome’, pasi në të vërtetë të gjitha komunikimet në vazhdim i ka me vëllain e Mariglen Qatos, që është edhe dhëndri i Muhamet Petritit.

Hetimet

Muhamet Petriti, rezulton se është një bukëpjekës. Ai e merr pagesën dhe paguan sigurimet shoqërore në biznesin që drejton bashkëshortja e tij. Ai del se nuk ka kontakte me administratorin e kompanisë Nestor Muhametllari.  Ky i fundit kur do ta telefonojë Muhamet Petritin, numrin e tij ia kërkon Alfred Qatos, vëllait të Mariglen Qatos.

Që Muhamet Petriti nuk është pronari i vërtetë i kompanisë ‘5D Konstruksion’, pavarësisht se emri i tij figuron si pronari i saj para se aksionet t’i shiste Nestor Muhametllarit, kjo vihet re edhe te një nga bisedat që ky i fundit bën me Alfred Qaton, vëllain e Mariglen Qatos, ku e këshillon që t’i thotë Muhametit të shkojë në bankë dhe të tërheqë paratë.

Hetimet

Në një moment Nestor Muhametllari i thotë Alfred Qatos që vjehrri i tij Muhamet Petriti i cili në letra është pronari i kompanisë të shkojë dhe të bëjë tërheqjen e parave në bankë.

Çka tregon se Muhamet Petriti është thjesht një emër fiktiv në kompani, përsa kohë që ai thuajse nuk ka kontakte me administratorin Nestor Muhametllari. Ndërsa ky i fundit ka qindra telefonata me vëllezërit Alfred dhe Mariglen Qato.

Një tjetër provë që konfirmoi se pas emrave të Muhamet Petritit dhe Nestor Muhametllarit, ishin ato të Mariglen Qatos dhe Redi Mollës, është edhe fakti që dy drejtorët e bashkisë, morën dividentë nga pronari në letra i kompanisë, para të cilat më pas u investuan në pallate, midis të cilëve edhe një objekt luksoz në Durrës.

Hetimet

Redi Molla dhe Mariglen Qato morën dividentë nga pronari i kompanisë Muhamet Petriti, ndërsa vetë ky i fundit paguhej në mënyrë informale nga kompania që sipas dokumenteve zyrtare e kishte në pronësi. Dyshimet janë se paratë janë investuar në ndërtime pallatesh. Kjo pasi nga të dhënat në QKB, pas vitit 2016, kompania nisi të ndërtojë 5 objekte, mes të cilëve dhe një hotel luksoz në Durrës.

Qato dhe Molla, si drejtuesit e kompanisë ‘5D Konstruksion’, ishte diçka e ditur edhe punonjësit, të cilët flisnin hapur për këtë fakt dhe nuk përpiqeshin ta mbajnë të fshehtë. Megjithatë, me interes për grupin hetues ishte një bllok shënimesh i gjetur gjatë kontrollit në banesën e shtetasit Nestor Muhametllari, ku ai kishte shënuar edhe pagesat që duhet të merrnin personat me inicialet ‘R’ dhe ‘M’, konkretisht sipas SPAK, Redi Molla dhe Mariglen Qato.

Hetimet

Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit Nestor Muhametllari u gjet edhe një bllok shënimesh, me ngjyrë të zezë, i cili përmban një sërë shënimesh. Ku në këtë bllok ka edhe shënime për punët e shoqërisë, për kontrata publike të fituara nëpërmjet procedurave të prokurimit, etj.  Shënime ku bëhet fjalë edhe për shuma monetare që janë paguar apo që janë marrë, që janë kthyer, duke iu referuar personave të shkruar me inicialet (R) dhe me (M).

Por ky nuk ishte blloku i parë i shënimeve që iu gjet Nestor Muhametllarit, ku përmendeshin pagesat dhe krah tyre edhe inicialet ‘R’ dhe ‘M’. Në një tjetër bllok të gjetur në zyrën e tij, u identifikuan edhe shifra konkrete, se sa para kishin tërhequr këta dy persona, nga kompania që në letra ishte ende në pronësi të Muhamet Petritit.

 Hetimet

Gjatë kontrollit në ambientet e zyrës së shoqërisë ‘5D Konstruksion’ sh.p.k, në zyrën e shtetasit Nestor Muhametllari, u gjet edhe një bllok ngjyrë blu. Nga aty del se personi me inicialin (R) ka marrë shumën prej 11 000 000 lekë nga fitimi i realizuar në vitin 2018, ndërsa personi me inicialin (M) ka marrë shumën prej 4 000 000 lekë, nga fitimi i realizuar në vitin 2018.

Dy blloqe të ngjashme, grupi hetues gjeti edhe në administrim të punonjësve të tjerë të kompanisë, ku bëhet fjalë për periudhën kohore gjatë muajit shkurt 2022. Shënime të tilla përfshinin diskutime për mbledhjen e ortakëve, dhe aty ku figuron edhe emri ‘Redi’, i cili sipas prokurorisë, referohet shtetasit Redi Molla.

Në zyrën e ‘5D Konstruksion’ sh.p.k u gjet edhe një bllok tjetër i cili i përket shtetasit Maringlen Lika, punonjës në këtë shoqëri, ku u gjetën shënime për mbledhjen me stafin e shoqërisë. Në bllokun e dytë përshkruhet qartë se në mbledhjen me stafin ka marrë pjesë edhe personi me emrin ‘Redi’, si dhe një shënim lidhur me pagesën e fitimit të pashpërndarë për vitin 2019, ku shoqëria ka shpërndarë dividentin, i cili pas tatimit ka qenë në shumën 31 505 177 lekë, e cila përputhet me shënimet e gjetura në bllokun e shtetasit Nestor Muhametllari.

Nestor Muhametllari, i cili nuk kishte asnjë komunikim me Muhamet Petritin, provoi se ai mbante komunikime të vazhdueshme me vëllezërit ‘Qato’ përmes zbardhjes së celularit të tij. Në një nga këto biseda, Nestori i kujton Alfred Qatos që t’i thotë Muhametit të shkojë të tërheqë në bankë shumën prej 10 mijë euro, me të cilën shiti kompaninë te ai.

Hetimet

Nga kqyrja e aparatit telefonik të shtetasit Nestor Muhametllari, janë gjetur biseda me shtetasin Alfred Qato, vëllain e shtetasit Mariglen Qato. Ku më datë 20 Gusht 2020, Alfred Qato i dërgon me mesazh Nestor Muhametllarit numrin e Muhamet Petritit,

Ndërsa më datë 10 Mars 2021, Nestori i shkruan Alfredit, në lidhje me Muhamet Petritin.

Nestori: ‘Fred si je ti? Ato i kanë kaluar Metit… Të shkoj t’í tërheqi 2 herë nga 5 që të mos e bezdisin… Dhe i mbaroj taksiratet’.

Një ditë më pas Alfred Qato i konfirmon Nestorit se ka folur me vëllain e tij Mariglenin dhe se çdo gjë është në rregull.

Hetimet

Në bisedën e datës 12 Gusht 2020, Alfred Qato i kërkon Nestorit që të shkojnë të nesërmen të banka, pasi kështu ‘tha Meri’. Nga hetimet ka rezultuar se personi me emrin ‘Meri’me të cilin i drejtohen personat e mësipërm është Mariglen Qato, pasi në aparatin e telefonit të Nestor Muhametllarit është gjetur i regjistruar numri me emrin ‘Mer Qato’.

Një nga provat që grupi hetues ka në duar, janë edhe transfertat bankare të parave të kaluara nga kompania në zotërim të Muhamet Petritit, në drejtim të Nestor Muhametllarit dhe vëllezërve Qato.

Hetimet

Nga të dhënat e llogarisë bankare të shtetasit Muhamet Petriti pranë Bankës…. ka rezultuar se në llogarinë bankare të tij më datë 22 Korrik 2020, është transferuar shuma prej 25 000 000 lekë, me përshkrimin; ‘shpërndarje dividenti viti 2019’, transferuar nga shoqëria ‘VAS Konstruksion’ sh.p.k.

Kjo shumë është tërhequr pjesë-pjesë nga shtetasi Muhamet Petriti nga muaji gusht deri më tetor 2020, sipas udhëzimeve të shtetasve Nestor Muhametllari, Alfred Qato, si të shtetasit Mariglen Qato. Kjo shumë dividenti është konsideruar si e drejtë/detyrim për ‘Ortakun I’.

Pasi ka mbaruar taksiratet me Muhamet Petritin, pra duke nënkuptuar shlyerjen e tyre, Nestor Muhametllari del se ka qindra telefonata me Mariglen Qaton si edhe me Redi Mollën. Këto telefonata janë kryer në një periudhë prej afro katër vitesh, që kur ai mori në administrim kompaninë e ndërtimit ‘5D Konstruksion’. Ky fluks i lartë i telefonatave, sipas prokurorisë, tregon për lidhjen e tij me ata që konsiderohen si pronarët e vërtetë të kompanisë, në këtë rast Mariglen Qato dhe Redi Molla.

Hetimet

Për periudhën kohore nga 20 Shtator 2019 deri më 7 Qershor 2023, Nestor Muhametllari rezulton se ka pasur 1011 thirrje telefonike me shtetasin Mariglen Qato. Po kështu gjatë kësaj periudhe ky shtetas ka pasur 528 thirrje telefonike me shtetasin Redi Molla.

Aktualitet

Protestuesi i ‘paparë’: Do bëhem personazh VIP dhe sipërmarrës kur të vijë PD në pushtet

Në të fundit protestë të llojit Berisha-Meta te Bashkia, kundër Veliajt, në ra sy, kapur dhe nga fotoreporterët, një djali ri me një zell të paparë anti-qeveri, duke gjuajtur me vezë kah godina nga ku qeveriset kryeqyteti.

Në pamje nuk ta jep përshtypjen e një të marri, përkundrazi.

Por dëgjojeni vetë, këtë protestues simbol të njerëzve që ndjekin nga pas Berishën.

Continue Reading

Aktualitet

Miliona litra vaj gjembaçi indian hyjnë në Shqipëri, dyshime se shitet në supermarkete si vaj luledielli me çmim më të lirë

Emisioni investigativ Vetting në News24

Çdo vit në Shqipëri importohen miliona litra vaji vegjetal. Kërkesat e vazhdueshme që ka konsumatori shqiptar për vaj gatimi, e kanë kthyer këtë sektor në një ndër bizneset më fitimprurëse, duke sjellë edhe abuzime. Nga kërkimet e “Vetting” zbulohen afera me vajin që përdoret për gatim, ku në vitin 2020 janë importuar sasi të mëdha vaj gjembaçi me vlerë 37 milionë euro, për të cilat Autoriteti Kombëtar të Ushqimit mohon ekzistencën.
Por nëse në supermarketet shqiptare nuk ka asnjë lloj vaji që tregohet si vaj gjembaçi, atëherë pyetja që lind këtu është: Ku ka shkuar ajo sasi e importuar? A iu është ndryshuar etiketa dhe shitet si një vaj tjetër?

Sipas ekspertëve ushqimorë, është përgjegjësia e institucioneve që të monitorojnë këto situata.

“Ka shumë situata që institucionet përkatëse të kenë kontroll në survejim produktet në sasi të mëdha, vaji, sheqeri, pra këto që janë produktet bazë, këto duhet të kontrollohen sepse konsumi i tyre është i lartë dhe rreziku për t’u ekspozuar popullata është e lartë në krahasim me të tjera produkte të cilat janë konsum, por në sasi më të vogla”, tha për “Vetting”, Prof. Dritan Topi.

 

 

Nga kërkimet e “Vetting” evidentohet se në Shqipëri janë importuar rreth 34 milionë litra vaj me kod doganor 15121199. Sipas nomenklaturës së mallrave doganore për vitin 2020, ky vaj rezulton të jetë vaj gjembaçi indian, i njohur me emrin latinisht “Sunflower Carthamus tinctorius”.

Cilësia e vajit dhe ekzistenca e tij kanë vendosur përballë njëra-tjetrës Doganat dhe Autoritetin Kombëtar të Ushqimit. Ky i fundit është munduar të mbulojë ekzistencën e këtij vaji, i cili më së shumti zbulohet nga anomalia e çmimeve që zbulohen nga Doganat.

“Nga pikëpamja sasiore nuk mund ta zëvendësojë, nga pikëpamja nutricionale nuk bën sens që ky produkt me cilësi më të mira, me çmim më të ulët të mund të zëvendësojë produktin me cilësi nutricionale më të ulëta dhe të gjejë vlerë në treg”, u shpreh eksperti ushqimor Topi.

Por informacionet zyrtare nga Doganat konfirmohen nga Organizatat Jofitimprurëse dhe ekspertët ushqimorë.

“Në fakt është e njëjta histori me ata çfarë unë kam investiguar para dy vjetësh, me një informacion që kisha dhe sigurisht shifrat janë alarmante. Kjo që thoni ju, përfshirë atë që unë kisha në atë kohë, është alarmante krahasuar me shifrat e vajit të lulediellit që hyjnë në Shqipëri, i rafinuar apo i parafinuar që përpunohet e shpërndahet në tregun tonë”, tha Drejtori Ekzekutiv nga Qendra Alert, Granit Sokolaj.

Sipas Sokolajt, ka një tendencë ose mashtrim të konsumatorëve për shkak të kostos së tij më të lirë se vaji i lulediellit, sidomos që nga koha e pandemisë dhe konflikti në Ukrainë.

Continue Reading

Aktualitet

Sekuestrohen 2 ton drogë në Spanjë, u soll në Evropë nga karteli famëkeq i Meksikës

Policia spanjolle njoftoi këtë të enjte se ka sekuestruar mbi 1.8 ton metamfetaminë.

Mediat vendasë bëjnë me dije se sasinë e metamfetaminës ka tentuar ta kontrabandojë në Evropë një nga kartelet më të rrezikshme të Meksikës, karteli Sinaloa.

Në saj të këtij opercioni nga policia sapnjolle, autoritetet arrestuan pesë persona, përfshirë kreun meksikan të bandës, një grua rumune dhe tre shtetas spanjollë.

Droga u zbulua në rajonin Alicante të Spanjës lindore. Ky është “konfiskimi më i madh” i kësaj substance “në Spanjë dhe i dyti më i rëndësishëm në Europë”, njoftoi policia spanjolle.

Mes personave të arrestuar është një shtetas meksikan, për të cilin autoritetet meksikane thonë se është i lidhur me kartelin Sinaloa. Meksikani, emri i të cilit nuk bëhet i ditur, ishte përgjegjës për marrjen e drogës në Spanjë dhe më pas shpërndarjen e saj në Evropë.

Karteli Sinaloa është një nga organizatat kriminale më të vjetra, më të mëdha dhe më të dhunshme të Meksikës, ndikimi i së cilës mbetet i fortë pavarësisht nga arrestimi i themeluesit të tij Joaquin Guzman, “El Chapo” dhe të Ovido në janar të 2023.

Të dyja u ekstraduan dhe u burgosën në SHBA. Policia sekuestroi gjithashtu kartëmonedha, pesë makina, dokumente dhe një armë zjarri, ndërsa mësohet se droga e sekuestruar vinte nga Meksika dhe kishte si destinacion Evropën Qendrore.

Continue Reading

Aktualitet

Kina partnere, por jo strategjike: Si i preu Shqipëria “fijet” e Pekinit në sektorët e ndjeshëm

Kina ngel një partner kyç për Shqipërinë në termat ekonomikë, kryesisht për sasinë e mallrave të saj që shiten në tregun tonë. Megjithëkëtë, politika shqiptare është treguar e kujdesshme të mbajë larg kompanitë kineze nga investimet në sektorë strategjikë. Pasi u larguan nga aeroporti i Rinasit, kinezët janë ende të pranishëm në sektorë si hidrokarburet dhe mineralet. Tirana zyrtare ju ka mbyllur disa herë derën tentativave kineze për të depërtuar në sektorë të ndjeshëm, dhe në anën tjetër Shqipëria ka ulur përfaqësimin në iniciativa politike të udhëhequra nga Pekini.  

Nga Esiona Konomi 

Kina është një partner i rëndësishëm ekonomik për Shqipërinë, duke ruajtur ndër vitet vendin e dytë ose të tretë për shkëmbimet tregëtare.

Të fundit!

INSTAT dëshmon përmes shifrave, se pavarësisht kësaj rëndësie, flukset tregëtare bazohen mbi produktet kineze që vijnë e shiten në Shqipëri, me një diferencë 10 herë më të ulët të prodhimeve shqiptare që mund të shiten në Kinë.

Pra, ne importojmë 10 herë më shumë, se sa eskportojmë në Kinë, një raport ky që konfirmohet në shifrat zyrtare gjatë 5 viteve të fundit.

Shkëmbimet tregtare me Kinën zënë 8.5 % të të gjithë vëllimit të tregtisë së jashtme të Shqipërisë.

Importet dominohen nga pajisjet elektrike, hidrosanitarë, makineri. Për tu pasuar nga  artikujt të gizës dhe çelikut. Veshjet janë kategoria e 3-të më e rëndësishme e mallrave që vijnë nga Kina, për të vazhduar me plastikën dhe mobiljet kineze, si: krevatët, dyshekët, llampat dhe pajisjet e ndriçimit etj. Eksportet Shqiptare në Kinë dominohen nga kromi, por nuk përjashtohen edhe frutat dhe perimet.

Tabela: Shkëmbimet tregëtare me Kinën (milionë lekë)

Burimi: Instat

Viti 2019 2020 2021 2022 2023
Eksporte 6,211 5,003 9,058 9,813 10,074
Importe 59,727 54,038 65,202 77,476 93,750

 

Çfarë eksportojmë në Kinë?

Krom

Fruta-perime

Çfarë importojmë nga Kina?                                 

Pajisje elektrike, hidrosanitarë, makineri

Gizë dhe çelik

Veshje

Plastikë

Mobilje

INVESTIMET KINEZE

Pavarësisht se Kina ngel një partner strategjik për ekonominë dhe tregjet tona janë të mbushura me produkte të saj, qeveria shqiptare nuk e ka Pekinin një aleat të preferuar, aq më pak në sektorë strategjikë.

AEROPORTI

E orientuar nga balancat politike, Shqipëria është distancuar nga aleancat e diplomacisë ekonomike kineze, duke dhënë shenjën e parë në vitin 2020 kur largoi nga pika më strategjike, aeroporti i vetëm i vendit, investitorin kinez.

Në vitin 2016, REAL FORTRESS PRIVATE LIMITED një kompani kineze – bleu 100 për qind të aksioneve në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës “Nënë Tereza”. Marrëveshja u prish në 2020 kur kinezët ja transferuan aksionet grupit shqiptar Kastrati që ende menaxhon Aeroportin e Rinasit. Aksionet kishin vlerë 71 milionë euro.

Problemet nisën pas grabitjes spektakolare të 10 milionë eurove në Rinas në prill 2019, gjë që për kryeministrit ishte provë se kinezët kishin dështuar me sigurinë.

“Kompania kineze që bleu aeroportin nga e mëparshmja, dështoi njësoj si në garantimin e sigurisë. Shteti shqiptar s’do pranojë asnjë justifikim nga kompania dhe do marrë kontrollin e perimetrit të jashtëm e të sigurisë së brendshme.Respekt për policinë që sulmohet veshëgjatësisht”,-tha Edi Rama, prill 2019.

Por a ishte vërtetë kjo arsye apo pretekst?

‘Vjedhja në Rinas ishte një ngjarje mjaftueshmërisht e fortë për të tu përdorur për një qëllim që nuk lidhej me atë që ndodhi në vetvete. Po ngjarja ishte e madhe dhe krijoi të gjitha premisat që qeveria ta largonte koncesionarin kinez. Por nuk ishte kjo arsyeja e vërtetë. E vërteta është se kinezët, duke pasur aeroportin, kishin në dorë një aset strategjik jo vetëm të Shqipërisë, por edhe të NATO-s. Pra vjedhja ka qenë justifikim. Partnerët patën një udhëzim, presion, që ky aerport i NATO-s tashmë, të menaxhohet nga një kompani lokale ose kompani e një vendi partner, por jo nga një kompani kineze’,-vlerëson Pano Soko, ekspert ekonomie.

RRJETI 5G

Në fund të vitit 2019, Shqipëria hoqi dorë edhe nga nënshkrimi i një marrëveshjeje me Kinën për rrjetin e internetit 5G. SHBA-të u shfaqën të shqetësuara mbi rrezikun e mbikqyrjes nga Kina në jetën digjitale të Ballkanit Perëndimor. Kjo marrëveshje, më pas, u firmos me Amerikën, moment kyç ky për të dëshmuar zgjedhjet e Shqipërisë.

“Zgjedhja politike e Shqipërisë ndaj Kinës, ka sjellë edhe kosto për shoqërinë shqiptare, dhe rrjeti 5G ka qenë një prej sakrificave. Sot ne nuk e marrim dot këtë teknologji, sepse e vetmja që e ofron është Kina. Tendenca jonë për të ruajtur devizën politike, ka qenë më e fortë se sa përfitimet që mund të merrnim. Këtu përfshihen edhe investimet potenciale kineze që mund të kishim pasur në hekurudha, rrugë, etj. Shqipëria ka qëndruar besnike e linjës për të mos qenë në varësi, sepse varësia ekonomike, sjell varësi politike. Ka një konsensus popullor për këtë zgjedhje dhe nuk shoh ndonjë reaksion të brendshëm, e as ndonjë tendencë nga vetë Kina së jashtmi për tu imponuar. Palët janë të qarta e nuk ka vend për avancim të mëtejshëm”,-argumenton Pano Soko.

BANKERS DHE BERALB

Megjithëkëtë, në Shqipëri vijojnë të jenë prezente dy investime të huaja kineze të përqëndruara në nxjerrjen e lëndëve të çmuara nga nëntoka.

Bankers Petroleum është investimi më i rëndësishëm kinez në Shqipëri. Kompania kineze Geo-Jade Petroleum bleu 100% të aksioneve të kompanisë Bankers në 2016. Dhe prej 7 vitesh shfrytëzon fushën naftëmbajtëse të Patos-Marinzës.

Zyrtarisht, Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore tregon se numri i punonjësve të Bankers gjatë 2023 ishte 463 vendas dhe 32 të huaj. Prodhimi i naftës dhe nënprodukteve të saj gjate vitit 2023 u llogarit përafërisht 527,000 tonë. Renta minerare për 2023 u vlerësua rreth 22 milion USD.

Marrëveshja e shfrytëzimit të nëntokës sonë në Patoz Marinzë nga kompania kineze përfundon në vitin 2029.

Në 2014, gjiganti kinez i bakrit “Jiangxi Koper” nisi operimin në të gjitha vendburimet e bakrit në Shqipëri, pasi bleu 50% aksionet nga kompania turke “Beralb”.  Deri në 2043, kinezët do operojnë bashkë me turqit koncensionin e bakrit në minierat e Munellës, Lakrosh, Karma si dhe Fush-Arrëz.

E pyetur për performancën e kësaj kompanie, Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore thotë se, sipas vetdeklarimeve të subjektit, numri i të punësuarve në lejet minerare që zotëron shoqëria është 196 persona.

Sasia e mineralit të bakrit e prodhuar për vitin 2023 është 275 190 ton.

Por pavarësisht kësaj, siç thuhet zyrtarisht nga AKBN, renta minerare që ajo paguan, është zero.

Por çfarë rëndësie specifike kanë këto dy kompani në sferën ekonomike të vendit?

“Sot që flasim, volumi ekonomik i gjeneruar nga kompanitë kineze është i rëndësishëm, 0.4-0.7 %  e PPB. Kryesori është Bankersi, i zotëruar nga një kompani shtetërore kineze. Edhe pse sektori i naftës është strategjik, risku ngel i ulët, pasi pjesa tjetër e zinxhirit kontrollohet nga shteti shqiptar dhe ligjet e tij. Kompanitë në fjalë kanë fare pak autonomi. Kjo autonomi e kushtëzuare na mbron nga sabotimet që mund të vijnë nga një partner jo partner politik. Varësia e ekonomisë shqiptare nga investimet kineze është shumë e ulët. Ndoshta jemi vendi me impaktin më të vogël në rajon. Ne si shtet jemi kujdesur që të kemi politikë konservatore. Nuk e shoh me risk edhe nuk shoh as interes nga Kina për tu zgjeruar në Shqipëri. E ka kuptuar devizën tonë politike. Cdo qeveri do të vijojë ta ruajë këtë qasje,”-sqaron eksperti Pano Soko.

ANALIZA GJEO-POLITIKE

Në përfundim, edhe pse Kina na intereson për produktet e saj, politika shqiptare ka zbehur shkëmbimet dhe ka ulur përfaqësimin në aleanca të inicuara nga Pekini, duke zgjedhur qartazi aksin amerikan, në duelin ekonomik botëror: Kine-SHBA.

“Nuk është se kemi pasur marrëdhënie të forta ekonomike. Dinamika ka qenë me antitudë të ulët. Sidomos nga koha kur ne instaluam marrëdhënien me NATO-n. Kemi pasur cikle të shkurtra, por pa ndonjë impakt domethënës. Nuk pres që kjo të ndryshojë në të ardhmen e afërt. Investimet kineze do të ishin të rrezikshme, nëse do të ishin aq shumë të mëdha sa për të krijuar presion për të ndikuar në politikën, sidomos të jashtme. Misioni i Kinës është të blejë politikën e jashtme të vendeve duke u krijuar varësi ekonomike. Në Shqipëri investimet kineze nuk janë aq të mëdha sa të na kushtëzojnë në politikën ndërkombëtare, apo në të brendshmen, pse jo”,-përfundon vlerësimin e tij eksperti Pano Soko.

 

Continue Reading

Aktualitet

Peshkaqenët e kredive – Nga Ola Xama

Nuk ka asnjë vlerë sqarimi se sa ishin kreditë me probleme në vitin 2014 dhe sa u ulën. Nuk ka asnjë vlerë të sqarohen masat që u morrën dhe nuk ka asnjë vlerë të shitet për sukses ulja e përqindjes të kredive me probleme.
Pyetja kryesore që shtrohet në këtë mes është se kush fitoi dhe kush humbi nga Plani Kombëtar për Reduktimin e Kredive me Probleme? Nga të dhënat e disponueshme deri në vitin 2020, dimë që bankat e nivelit të dytë i shitën Micro Credit Albania 85 milion euro detyrime, dhe për këtë shumë u paguan 5.2 milion euro. Pra bankat rikuperuan vetëm 6.1% të detyrimeve, shumë që krahasuar me nivelin e fitimeve të tyre ( e pjesëtuar me 16 që ishte numri i bankave në atë vit) është e papërfillshme.

Bankat gjithashtu mbajnë normë më të lartë interesi për kreditë pa kolateral, pikërisht për shkak të riskut që llogaritin te këto produkte. Efekti i humbjes nga kreditë që nuk kthehen, shpërndahet te ato që performojnë mirë dhe për sa kohë sistemi ka patur fiteme, niveli i kredive të këqija nuk ka qënë problem.
Kreditë mund të fshiheshin nga bilanci dhe pa licensuar kompanitë e mbledhjes së borxhit, sepse bankat në vetvete nuk rikuperuan shumë pak. Disa rritën kapitalin dhe s’ folën, pasi askush nuk dëshironte të hapte temën e korrupsionit të kredive.

Prandaj pyetja që duhet të ngrihet është se kush fitoi nga Plani i Masave? Pa dyshim që fituesit do dilnin kompanitë e mbledhjes së borxhit. Deri në vitin 2020, rezulton se vetëm subjekti MCA ka patur një fitim operativ 10.7 milion euro për portofole kredish të blera me çmimin 5.2 milion euro.

Pra rrezikun e ka marrë tjetër kush, humbjet i ka paguar banka dhe klientët e rregullt te amortizimi që i është bërë riskut te norma e interesit, dhe fitimet i merr një subjekt tjetër. A e shpjegon dot kush këtu logjikën financiare? Nëse jo, skema është ndërtuar për përfitime të një grupi njerzish, të cilët duke shfrytëzuar padijen dhe pafuqinë e qytetarëve kanë zhytur mijëra familje në varfëri!

Continue Reading
Advertisement

TRENDING