Politike
Meta: Raporti që turpëron qeverinë e Rilindjes, jemi të fundit në botë
Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta thotë se Shqipëria është e fundit në botë për demokracinë liberale.
Gjatë një dalje për mediat, Meta thekson se Kosova sipas raportit për indeksin e demokracisë liberale është 20 vende përpara Shqipërisë.
“Jemi të fundit në botë për demokracinë liberale dhe elektorale. Në vitin 2023, Shqipëria renditej në vendin e 92-të, në indeksin e demokracisë liberale, krahas Mongolisë, dhe Sierra Leones. Edhe në indeksin e demokracisë elektorale, jemi në vendin e 88-të, ndër të fundit në botë. I njëjti raport, që turpëron qeverinë e Rilindjes, na tregon se ka një tjetër qeveri shqiptare, në Prishtinë, që shënon vetëm progres dhe përparim. Kosova është 20 vende përpara Shqipërisë, për demokracinë liberale, dhe 31 vende përpara Shqipërisë për demokracinë elektorale. Pra nëse ka një qeveri shqiptare, me të cilën duhet të krenohemi, është vetëm ajo e Kosovës.
Një shtet serioz vlerësohet për progresin në reforma, zhvillimin, teknologjinë, mirëfunksionimin e tregut dhe standartet e jetesës. Fatkeqësisht, qeveria që drejton vendin, jo vetëm nuk ka bërë një hap përpara, por me arrogancën që e karakterizon, mbyll të dy sytë, përpara regresit që vënë në pah të gjitha raportet ndërkombëtare.
Në këtë situatë alarmante, mbetet e domosdoshme që ne të edukojmë qytetarë të angazhuar, që njohim mirë shtetin ligjor, demokracinë, të drejtën për referendum, dhe gjithë konceptet e tjera që formojnë individë, të cilët mendojnë në mënyrë kritike, që njohin të drejtat e tyre dhe mbrohen me çdo mjet demokratik, kundër padrejtësisë dhe tiranisë.
Vetëm kështu Shqipëria, do të bëhet ajo që duhet.
Ndaj dhe Partia e Lirisë, ka shpallur tashmë 5 prioritet e saj për 10 vitet që vijnë.
Së pari, ndalimin e shpopullimit, duke mbështetur në mënyrë të veçantë familjet e reja, politikat që stimulojnë lindshmërinë, dhe njëkohësisht që mbështesin të rinjtë, për vende pune me paga dinjitoze.
Dhe në mënyrë të veçantë, edhe politika favorizuese dhe lehtësuese për strehimin e tyre.
Së dyti, rritja e pensionit mbi nivelin e mesatares së rajonit brenda një mandate qeverisës.
Prioritet I tretë, arsimi dhe investimi në kapitalin njerëzor. Jo vetëm investimi në fushën e arsimit do të jetë në standartet e Bashkimit Europian, por njëkohësisht do të shumëfishohet buxheti për inovacionin dhe kërkimin shkencor.
Së katërti, mbështetja për bujqësinë dhe ushqimin, dhe njëkohësisht edhe të gjitha politikat që ulin koston e jetesës.
Dhe prioriteti i pestë, Shqipëria një fuqi eksportuese.
Të gjitha shqetësimet tona, reflektojnë qartë edhe në statistika zyrtare, të cilat kontrollohen nga qeveria, ku duket qartë, se krahasuar me 3-mujorin e katërt të vitit 2022, rritja ekonomike është ngadalësuar.
Nga 4.44 % në tremujorin e katërt të vitit 2022, në 3.8%, në tremujorin e katërt të vitit 2023.
Njëkohësisht në tremujorin e dytë të vitit 2023, rritja e bujqësisë është negative, në -0.16%, në tremujorin e tretë është -0.28 % dhe e thelluar në tremujron e tretë është -3.07 %.
Sektori I industrisë, energjisë dhe ujit, gjithashtu po kalon një krizë të rritjes ekonomike. Rritja negative është thelluar, duke filluar nga tre mujori i dytë, që tregoi një rritje negative me -1.19%, në tremujorin e tretë -2.45% dhe të katërtin me -2.03 %.
Një krizë më të thellë po kalon sektori i industrisë përpunuese. Rritja ekonomike në sektorin e industrisë përpunuese është negative, në -6.33 %, në tre mujorin e dytë. Për tu thelluar në -8.25 % në tremujorin e tretë, dhe në -9.82% në tremujorin e katërt, të vitit 2023.
Kriza në sektorin e bujqësisë është rezultat i shpërdorimit dhe korrupsionit galopant me fondet e Bashkimit Europian, i braktisjes së fermerëve, si dhe shpërdorimit të subvencioneve.
Dhe në sektorë të tjerë, në veçanti në industrinë përpunuese, rritja negative e ekonomisë është rezultat jo vetëm, i uljes së kërkesës së brendshme dhe të huaj, por dhe mungesës së politikave të qeverisë për të mbështetur biznesin, nga korrupsioni lartë, nga barra e lartë tatimore, dhe shvlerësimi i qëllimshëm dhe kriminal I euros, për përfitimin e një pakice.
Propaganda e Qeverisë për bumin ekonomik nga turizmi tregoi se ishte dhe mbetet një flluskë. Kjo propagandë i shërben qeverisë së Rilindjes, për të mbuluar dështimin ekonomik në sektorët e bujqësisë, industrisë dhe në veçanti të industrisë përpunuese.
Rritja ekonomike e të gjitha aktiviteteve të tregtisë, së transportit, të akomodimit dhe shërbimit ushqimor në tremujorin e katërt ishte 0.07% nga 3.80% e rritjes ekonomike totale në këtë tremujor.
Pra 0.07 %, dhe kini parasysh që turizmi është vetëm një fraksion, një fraksion I këtij sektori. Kontributi i këtij sektori në rritjen ekonomike totale për tremujorin e katërt është vetëm 1.8%.
Është shumë I parëndësishëm, por e rëndësishme për qeverinë, janë rritjet e kostove për metër katror, që shiten në bregdet, e qytetet kryesore për qëllime përftimi, dhe pastrimit të parave.
Ekonomia e vendit tregoi përkeqësimin e treguesve tregtar, si dhe treguesve kryesorë të prodhimit të të mirave materiale.
Viti 2023 tregoi një rënie të ndjeshme, të ekporteve dhe të importeve
Në vitin 2023 eksportet e mallrave treguan një ulje të ndjeshme krahsuar me një vit më parë. Nga 487 miliardë lekë në vitin 2022 në 440 miliardë lekë në vitin 2023, ose një rënie me mbi 10.0 përqind.
Edhe importet treguan të njëjtin trend në rënie me 8%.
Viti 2023 tregoi një përkeqësim të treguesve kryesor të prodhimit të të mirave materiale.
Treguesit mbi prodhuesit e të mirave, përfshijnë aktivitetet ekonomike në industri, industri nxjerrëse, industri përpunuese, ndërtim, etj.
Indekset e volumit të prodhimit, të shitjeve neto dhe të numrit të punësuarve në vitin 2023 tregojnë një rënie krahasuar me vitin 2022.
Indeksi i volumit të prodhimit
Indeksi i volumit të prodhimit në industri shënoi rënie në -14.2 përqind
Indeksi i volumit të prodhimit në industrinë nxjerrëse shënoi rënie në – 30.2 përqind
Indeksi i volumit të prodhimit në industri përpunuese shënoi rënie në
-9.2 përqind.
Indeksi i volumit të prodhimit në ndërtim, shënoi edhe ai rënie me 1.0 përqind.
Indeksi i shitjeve neto
Indeksi i shitjeve neto në volum në industri shënoi rënie në -10 përqind
Indeksi i shitjeve neto në volum në industrinë nxjerrëse shënoi rënie në – 26 përqind
Indeksi i shitjeve neto në volum në industri përpunuese shënoi rënie në -6.5 perqind
Indeksi i shitjeve neto në volum në ndërtim shënoi rënie në – 12 përqind
Indeksi i numrit të punësuarve
Indeksi i numrit të punësuarve në industri shënoi rënie në -1.2 përqind
Indeksi i numrit të punësuarve në industrine nxjerrëse shënoi rënie në – 3.3 përqind
Indeksi i numrit të punësuarve në industri përpunuese shënoi rënie në -1.3 përqind
Indeksi i numrit të punësuarve në ndërtim, me të cilin krahasohet qeveria e pastrimit të parave, shënoi rënien më të thellë, në – 12 përqind.“, tha Meta.