Connect with us

Kosova

Themelet e përgjakura të Botës Serbe dhe ndihma e Rusisë

Në seancën e 27 prillit, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara do të diskutojë Rezolutën e Srebrenicës që dënon gjenocidin e kryer në atë enklavë në vitin 1995.

Rezoluta do të paraqitet në seancën e organit kryesor të OKB-së bazuar në propozimet e Gjermanisë dhe Ruandës, por gjithnjë e më shumë vende janë bashkuar në sponsorizimin e rezolutës.

Prandaj, pritshmëritë për miratimin e Rezolutës janë në rritje, dhe zemërimi e inati i liderëve të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës nga entitetet i RS po rriten gjithashtu, me kërcënime të reja për shkëputje dhe miratimin e disa prej raporteve të tyre, teksa do të vazhdojnë të mohojnë faktet e vendosura nga gjykata për gjenocidin e kryer në Srebrenicë.

Duke marrë parasysh që Franca është gjithashtu një nga sponsorët e Rezolutës për Srebrenicën, Florence Hartmann, ish-zëdhënëse dhe këshilltare e prokurorit në Tribunalet Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë dhe Ruandën, për “Slobodna Bosna”, kujtoi kohën kur Rezoluta për Srebrenicën nuk kaloi në OKB për shkak të vetos së vendosur nga Rusia.

“Ndërsa propozimi për ta bërë 11 korrikun ditë ndërkombëtare të përkujtimit të viktimave të gjenocidit në Srebrenicë do të debatohet dhe votohet në Nju Jork nga 2 maji – që faktikisht është i padiskutueshëm dhe është përcaktuar nga një gjykatë e ligjit, Aleksandër Vuçiç dhe Milorad Dodik do të mbajnë Kuvendin e madh të Pashkëve të Republikës në Beograd. Në të njëjtën kohë, Rusia do të përpiqet të vendosë në rendin e ditës të Këshillit të Sigurimit diskutimin për bombardimin e NATO-s në ish Jugosllavi në vitin 1999, në të cilin NATO do të fajësohet dhe jo regjimi i Millosheviçit, i cili filloi një luftë të re në fund të tetorit 1998, një sipërmarrje e re kriminale me qëllim spaatrimin e Kosovës nga popullata shqiptare” – ka shpjeguar Hartmann e cila beson se në gjithë këtë nuk ka asgjë të papritur.

“A do të vazhdojnë dhe përfundojnë liderët serbë atë që nisën Millosheviçi, Drazha Mihajloviçi dhe kushdo tjetër? A mund të ndalohen ata?

Një gjë e tillë mund të bëhet vetëm duke e fshirë me dhunë krimin nga narrativa e përditshme serbe, qoftë edhe nga vetëdija e një kombi të tërë dhe nga kujtesa e përgjithshme e publikut botëror” – potencoi Hartmann për “Slobodna Bosna” dhe shtoi:

Bota serbe, si çdo botë ekskluzive e llojit të saj, nuk ka themel tjetër veç gjakut, prandaj një politikë e tillë kërkon mohimin institucional të gjenocidit, relativizimin e krimeve kundër njerëzimit dhe glorifikimin e autorëve. Një nga pasojat e shumta negative të një politike të tillë është se populli serb është shndërruar në mënyrë transgjenerative në peng i krimeve të kryera në emër të tij dhe kushdo që përpiqet të shkëputet nga këto pranga sulmohet dhe etiketohet si armik kombëtar apo shtetëror”.

Hartmann beson se për Vuçiçin dhe Dodikun, pra për liderët serbë që zbatojnë këtë lloj politike, rezoluta për gjenocidin në Srebrenicë, si dhe e gjithë trashëgimia e Tribunalit të Hagës, paraqesin pengesa që i largojnë ata nga fitorja përfundimtare e një lufte të poshtër të papërfunduar.

“Përpjekja për të fituar vota në varësi të aleancave në një skenë botërore gjithnjë e më të polarizuar, është e pamoralshme, por edhe në kundërshtim me Konventën për Parandalimin dhe Ndëshkimin e Gjenocidit. Çdo shtet duhet ta ketë të qartë se duke votuar për atë rezolutë, ai vendos nëse do të jetë në anën e viktimave dhe do konfirmojë përpjekjet për të parandaluar gjenocidet të tjera në të ardhmen” – tha Florence Hartmann

Advertisement