Kosova
Nënsekretarja amerikane flet pas takimit me Vuçiç-in për Kosovën
Nënsekretarja Amerikane e Shtetit për Diplomacinë Publike, Elizabeth Allen, pas takimit me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në Beograd, ka thënë se progresi i vazhdueshëm drejt normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën përmes dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimin Evropian është i rëndësishëm.
Sipas Departamentit Amerikan të Shtetit, Allen dhe Vuçiç, gjatë takimit – ndër të tjera – kanë diskutuar për çështjet globale dhe përparimin e Serbisë drejt integrimit në BE, përfshirë Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor.
Sipas top-diplomates amerikane, është e rëndësishme të bashkëpunohet në ndërtimin e stabilitetit evropian dhe rajonal, “i cili kërcënohet nga agresioni rus kundër Ukrainës dhe destabilizimi i përhapur nga Kremlini me dezinformata”.
Ajo theksoi gjithashtu mundësitë për forcimin e lidhjeve në kulturë dhe arsim mes dy shteteve.
Nga ana tjetër, Vuçiç, pas takimit me Allen, ka thënë se i ka kërkuar kësaj të fundit angazhim më të madh të ShBA-ve në rajon.
“Kërkova nga SHBA-të që të rrisë angazhimin dhe të përdorë ndikimin e saj për të ruajtur stabilitetin e rajonit dhe për të krijuar kushtet për bashkëpunim të sinqertë dhe përparim konkret të rajonit dhe të gjithë qytetarëve tanë drejt një të ardhme më të mirë dhe më të begatë”- ka shkruar Vuçiç në platformën sociale, Facebook.