Kosova
Me kismet, takohemi në nëntor, Franca dhe Gjermania hedhin poshtë betimin e Kurtit
Përkrahja për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës (KE) kushtëzohet nga ndërmarrja e hapave konkretë të Francës dhe Gjermanisë drejt krijimit të Komunitetit të Komunave me shumicë serbe, gjë që qeveria e Kosovës deri dje e kishte refuzuar.
Ministria e Punëve të Jashtme tha pak ditë më parë se Kosova nuk është futur në agjendën e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, si rezultat i ndërhyrjes së dy proceseve të pavarura dhe në të cilat Këshilli i Evropës përdoret si mjet presioni ndaj Kosovës që ta pranojë draft-statutin e Miroslav Lajçakut dhe ta dërgojë atë në Gjykatën Kushtetuese.
Në qarqet vëzhguese u vlerësua se Kosova është përballur me situata të ngjashme në të kaluarën dhe se në fund i ka pranuar kushtëzimet si në rastin e kthimit të tokave Manastirit të Deçanit. Dhe kështu ndodhi…dje Ministrja Donika Gërvalla u deklarua se qeveria është duke përgatitur një draft statut për asociacionin dhe deri ne fund të muajit do ta dërgojë për konsultimin e ligjshmërisë në Gjykatën Kushtetuese. Por për shkak të veprimeve të saj, qeveria e Kosovës ka humbur besimin e partnerëve, pajtohen analistët.
“Një humbje shumë e madhe diplomatike për Kosovën”. Një mundësi historike për të përmirësuar shtetësinë e Kosovës dhe një gabim katastrofik i kryeministrit Kurti që do të ketë pasoja dhe do të ndikojë edhe në të ardhmen. Kjo gjendje negative e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe BE-së, veçanërisht me Francën dhe Gjermaninë, nuk do të ndryshojë së shpejti. Kosova do t’i ndjejë pasojat dhe do të bllokohet dhe do të duhet shumë kohë për të përmirësuar këto marrëdhënie” – deklaroi analisti Arton Muhaxhiri duke shtuar: – Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës mund të përdoret edhe si presion ndaj Qeverisë së Prishtinës për të përmbushur obligimet e marra në marrëveshjet e mëparshme dhe jozyrtarisht dëgjohet se mund të jetë në rend dite vetëm në nëntor, ose derisa të plotësohen kushtet.
Pak ditë pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e cilësoi si “absurd” kërkesën e Gjermanisë dhe Francës për dërgimin e draft-statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Gjykatë Kushtetuese për shqyrtim dhe kështu e la Kosovën jashtë agjendës së seancës së Komitetit të Ministrave, ku do të votohej pro apo kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, Qeveria e Kosovës, të enjten, njoftoi se ka vendosur ta dërgojë një draft-statut për Asociacionin në Kushtetuese brenda majit. Vetëm pak ditë më parë autoritetet kosovare argumentuan se Berlini e Parisi kanë ngatërruar dy procese të pavarura, pra procesin e dialogut dhe procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës dhe se ky kusht i ri “nuk përkon aspak me vlerat dhe parimet e KiE-së”, kurse tani Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, në letrën që e ka dërguar më 15 maj Këshillit të Evropës, ka potencuar se në Kushtetuese do ta dërgojnë një draft-statut të përgatitur nga vetë Qeveria dhe jo draft-statutin e Bashkimit Evropian, i cili iu prezantua palëve vitin e kaluar. Marrë për bazë këtë hap konkretë, Gërvalla në letër ka potencuar se “presim që Komiteti i Ministrave të ketë arsye shtesë ta ftojë Kosovën të bëhet anëtarja e 47-të e Këshillit të Evropës”.