Connect with us

Kosova

Kurti ha kurthin me bukë, nxjerr Donika Gërvallën për të derdhur kupën

Këtë të enjte, Qeveria e Kosovës i ka dërguar një letër Presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës ku zotohet se do përgatisin një draft për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe do ta dërgojnë atë në Kushtetuese deri në fund të majit, por vetëm disa muaj më parë kryeministri Albin Kurti, kishte refuzuar që të shkruante një draft për këtë mekanizëm, teksa dhe tregonte rreziqet që mund të vinin nëse do ta bënte një gjë të tillë.

Ndonëse i ishte kërkuar vazhdimisht si nga aktorët e jashtëm, ashtu edhe nga ata të brendshëm, Kurti nuk kishte propozuar në emër të Kosovës një draft-statut për Asociacionin, çka kishte bërë që ndërmjetësi, në këtë rast Bashkimi Evropian, të sjellë një të tillë, atë që “Pesëshja e Madhe” ia solli në zyrë kreut të ekzekutivit më 21 tetor të viti të kaluar, të cilin njohësit e Kushtetutës e kanë konsideruar si tejet të dëmshëm për vendin, madje si një autonomi të zgjeruar për komunitetin serb.

Më 3 nëntor të vitit të kaluar, Kurti kishte deklaruar se nuk ka propozuar draft-statut për Asociacionin, për shkak se kishte besuar se ky do të ishte opsioni më i mirë, në mënyrë që ndërmjetësit mos të vinin me një mesatare aritmetikore midis Danijela Vujiçiçit – e cila kishte propozuar një draft për këtë mekanizëm në cilësinë e kryesues së Ekipit Menaxhues Serb– dhe propozimit të kryeministrit të Kosovës.

Albin Kurti në seancën parlamentare të 3 nëntorit të vitit të kaluar, ku ishte ftuar nga opozita që të raportonte për zhvillimet e fundit në dialogun me Serbinë, posaçërisht pas pranimit të draft-statutit evropian për Asociacionin, në tentativë për të shpjeguar pranimin – të cilin, për ta kundërshtuar gjatë kohës së tij si opozitar, kishte organizuar edhe madje protesta masive si dhe kishte hedhur gaz lotsjellës në kuvend – shpjegoi se pse nuk e kishte propozuar një të tillë draft në emër të Kosovës.

Arsyeja, pohoi atë kohë Kurti, “është se unë e konsideroj gabim dhe nëse ne si Kosovë do ta shkruanim draftin, atherë ndërmjetësuesi Lajçak ka tendencën të gjejë mesataren mes dy drafteve, dhe do ishte shumë më keqe për ne”, dhe ishte i bindur se po ta bënte një gjë të tillë do ishte “kurth” për të.

Por dje, Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, nëpërmjet një postimi në platformën sociale, Facebook, ka bërë të ditur se i ka dërguar një letër Presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ku zotohet që Qeveria e Kosovës do të përgatisë një draft për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe do ta dërgojë atë në Kushtetuese deri në fund të muajit maj.

Marrë për bazë këtë hapë konkret Gërvalla në letër ka potencuar se pret që Komiteti i Ministrave të ketë arsye shtesë që ta ftojë Kosovën të bëhet anëtarja e 47-të e Këshillit të Evropës”.

Advertisement