Connect with us

Politike

Zhvatja e të sëmurëve me kancer/ Deputeti i PD-së sulmon kryeministrin Rama

Deputeti i PD-së Dashnor Sula, i ftuar në një emision komentoi skandalin tek Spitali Onkologjik.

Sula tha se skandali është shokues dhe të lë pa fjalë. Ai shton se për fat të keq në vendin tonë, korrupsioni është kthyer në sistem. Sipas Sulës, në çdo institucion ka bërthama kriminale. Po ashtu, Sula tha se opozita nuk duhet të merrte sot pjesë në seancë plenare.

Dashnor Sula: Skandali te Onkologjiku është shokues. Ata që shkojnë tek spitalet shtetërore janë persona të shtresës më vunerable, që e kanë të pamundur të shkojnë në spitale private. Nuk duhet të përgjithësohen të gjithë mjekët. Mbaj mend rastin e mamasë time, kur ajo ishte me tumor, doktori që e kuroi ishte profesionist dhe shumë i aftë. Kudo ka bërthama kriminale, që zhvatin me të gjitha format dhe mënyrat, edhe në ministri ka bërthama që japin tendera. Korrupsioni është kthyer në sistem. Këtu po ndërtohen kulla, me para që janë më shumë në të zezë. Jetojmë në një sistem, ku njeriun e ndershëm e marrin për budalla.

Populli ka një fjalë të urtë popullore “Qeveria e kap lepurin me qerre”, që nënkupton se ka të gjitha mekanizmat, që nëse dëshiron, parandalon fenomenet negative. Nuk ka vullnet politik për të ndryshuar gjërat. Është sistem, sepse shihet përfitimi, paraja, fuqia, e cila më pas me kohën blen edhe votën. Unë dje isha në protestë, disa politikanë të djathtë ishin aty, të majtët jo e jo. U gëzova pa masë që aty kishte shumë të rinj, por më erdhi keq që kishte qytetarë që shikonin protestën dhe sërish ecnin, sikur nuk ka ndodhur asgjë. Tragjedia nis kur fillon lakmia dhe qeveria shqiptare është në këtë pikë. Sot duhej të ndërpritej seanca plenare, ky duhet të ishte qëndrimi i opozitës.

Advertisement