Politike
“Rama më dërgoi një mesazh”/ Kryemadhi rrëfen çfarë i kërkoi kryeministri para disa vitesh
Ish-kryetarja e PL, Monika Kryemadhi, rrëfeu një episod nga një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara disa vite më parë. Gjatë një interviste në emisionin “Kjo Javë” në News24, ajo tha se kishte marrë një mesazh nga kryeministri Edi Rama, i cili i kërkonte të mos merrte pjesë në një takim të planifikuar me përfaqësues të Departamentit Amerikan të Shtetit, në një periudhë kur debatet për emërimet në Gjykatën Kushtetuese ishin në kulmin e tyre.
Sipas Kryemadhit, debati atëkohë kishte të bënte me emërimin e anëtares së GJK, Marsida Xhaferllari, ose të një kandidate tjetër që ishte betuar para noteres, pasi Presidenti i atëhershëm, Ilir Meta, refuzonte të pranonte kandidaturën.
“Të mos harrojmë çështjen e Gjykatës Kushtetuese, të noteres tek Lana, presioni që do t’i bëhej Presidentit të asaj kohe Ilir Meta nga trupi diplomatik. Kam qenë në SHBA dhe kam kërkuar takim me përfaqësues të DASH të cilët menjëherë më kanë pritur dhe unë kam patur një mesazh nga Edi Rama për të mos shkuar në takimin që do kisha në DASH me drejtorin për Europën Juglindore, që të bëhej një marrëveshje për moszgjedhjen e Marsida Xhaferllarit.
DASH u njoh me presionin që ushtrohej nga institucionet diplomatike që punonin dhe jetonin në Shqipëri të cilat manipuloheshin nga Romana Vlahutin, bëri atë që kemi sot… Pra, marrëdhënia ime me Ilir Metën e para ka qenë emocionale, dashurore. Unë e kam patur marrëdhënie emocionale. Se po ta kisha politike do të kërkoja të isha deputete që në 1992. Atëherë kam propozuar Ndre Legisin dhe më thonin si s’të vjen turp.
Edhe në 1996 në Berat kam propozuar Erion Braçen që të ishte ai deputet. Nuk jam penduar sepse është i vetmi socialist në PS, i cili me të mirat dhe të këqijat e veta, i vetmi që ngre zërin për problematikat e elektoratit të tij dhe e bën me sinqeritetin dhe ndershmërinë e vet”, u shpreh Kryemadhi.