Connect with us

Politike

Anëtarësim me mik/ BE-ja përshpejton zgjerimin, por Ukraina trajtohet ndryshe nga Ballkani

Bashkimi Evropian po përshpejton debatin për zgjerimin në një moment të ndikuar fort nga lufta në Ukrainë, por qasja ndaj vendeve kandidate nuk është e njëjtë. Ndërsa Ukraina shihet si një rast i veçantë me trajtim të diferencuar, vendet e Ballkanit Perëndimor pritet të vazhdojnë në rrugën klasike të anëtarësimit.

Sipas një analize të publikuar nga Instituti Gjerman për Çështjet Ndërkombëtare dhe të Sigurisë (SWP), zgjerimi i BE-së tashmë është kthyer në një çështje gjeopolitike, ku pranimi i vendeve të reja shihet si një investim në sigurinë e vetë unionit. Në këtë kontekst, Ukraina ka fituar një rëndësi të veçantë për shkak të agresionit rus dhe presionit për ta ankoruar politikisht dhe ekonomikisht në BE.

Analiza thekson se BE-ja po shqyrton forma të reja integrimi për Ukrainën, përfshirë një model të ashtuquajtur “asociim për anëtarësim”, i cili do t’i jepte Kievit qasje graduale në strukturat evropiane, përpara anëtarësimit të plotë. Ky model përfshin jo vetëm integrim ekonomik, por edhe një dimension të fortë sigurie dhe mbrojtjeje.

Në të kundërt, për vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë, BE pritet të mbetet te metodologjia ekzistuese e zgjerimit. Sipas analizës, për këto vende duhet të respektohet procesi i njohur, i bazuar në përmbushjen e kritereve dhe reformave të kërkuara, pa rrugë të shkurtra apo trajtim të veçantë.

Megjithatë, pavarësisht momentit të ri politik, pengesat mbeten të mëdha. Asnjë nga vendet kandidate nuk i përmbush plotësisht standardet e kërkuara për sundimin e ligjit, demokracinë dhe të drejtat themelore. Në të njëjtën kohë, vetë Bashkimi Evropian përballet me vështirësi për të reformuar institucionet e tij për një union që mund të shkojë në 30 ose më shumë anëtarë.

Një tjetër element që e bën Ukrainën rast të veçantë është presioni për anëtarësim të shpejtë. Kievi synon të përfundojë negociatat deri në vitin 2027, ndërsa Komisioni Evropian ka përmendur mundësinë e pranimeve të reja nga viti 2028.

Por një anëtarësim i përshpejtuar do të kërkonte ndryshime të mëdha në mënyrën se si BE-ja funksionon, përfshirë buxhetin, politikat bujqësore dhe mekanizmat e vendimmarrjes.

Analiza paralajmëron se integrimi i Ukrainës pa përmbushjen e plotë të kritereve mund të krijojë një model të ri anëtarësimi, me të drejta dhe detyrime të kufizuara në fillim. Një qasje e tillë, megjithatë, mund të hapë debat për krijimin e një “anëtarësimi të klasës së dytë, një ide që deri tani nuk është aplikuar për asnjë vend të BE-së.

Advertisement