Connect with us

Politike

“Faleminderit që shkove në Europë si një shqiptar i bukur”/ Rama vlerëson violinistin Tedi Papavrami

Kryeministri Edi Rama dekoroi me titullin “Yllin e Oficerit të Urdhrit Suprem të Shqiponjë”, violinistin Tedi Papavrami në emër të presidentit Begaj.

Kryeministri Edi Rama dekoroi me titullin “Yllin e Oficerit të Urdhrit Suprem të Shqiponjë”, violinistin Tedi Papavrami, në emër të presidentit Begaj.

Kryeministri vlerësoi Papavramin jo vetëm për karrierën e tij artistike të gjatë, por edhe për atë që e quajti anën humane të tij.

“Në një ditë jashtë së zakonshmes dhe duhet thënë se në përpjesëtim të drejtë me modestinë e tij të mrekullueshme dhe përtej talentit të tij, Tedi është edhe me fat. Po shpjegohem duke e nisur nga fundi.

Jam veçanërisht i lumtur që ky dekorim me urdhrin më të lartë të Republikës, edhe pse është dhënë qysh në dhjetorin e shkuar, materializohet sot më 11 maj. Kjo ceremoni bashkohet kështu si me një rastësi vargu të ngjarjeve kulturore që kremtojnë Javën e Europës, javë që për ne shqiptarët ka gjithnjë e më shumë peshë të veçantë për faktin se tanimë Europa nuk është më një horizont i ëndërruar, por një majë e prekshme me sy.

Ndonëse më familjar në përmasë dhe shumë më intim në formë për vetë natyrën që ka ky event, falë Tedit ne kemi sot jo thjesht këtu, por në Tiranë tharmin e Europës, ashtu siç e kemi ëndërruar gjithmonë dhe dashur gjithmonë: qytetërim i lartë, urtësi e moçme. Prandaj dua t’i them Tedit faleminderit që shkoi në Europë si një shqiptar i bukur, kur për Europën shqiptarët ishin njerëz me bisht. Faleminderit Europës, por edhe Japonisë, që gjatë kësaj jave na sollën Tedin në Shqipëri këtë javë. Kjo do të jetë një kujtim i bukur europian, siç do të kishte thënë me elegancën e tij të pashoqe dhe me theks shumë më të lartë se sa i imi shenjti pajtor i përkthyesve, Jusuf Vrioni.

Po të ishin sot mes nesh qoftë ai, qoftë Ismail Kadareja, të dy do ta kishin shijuar këtë nderim tëndin, i dashur Tedu. Ti je rojtar i trashëgimisë dhe erë e bashkëkohësisë në gjithçka që prek. Kur përmenda fatin, shtoj që kjo ndodh në vigjilje të ditëlindjes tënde, kur ke ardhur ti dhurosh Shqipërisë një nga përpjekjet më mbresëlënëse për t’u kthyer në shfaqje të paharrueshme interpretimin në TKOB, por njëkohësisht të nderohesh prej tyre si një bashkëkohës.

Në këtë vend janë dhënë dekorata për ditëlindje, mortje, post-morte, dasma, koncerte edhe për arsye që vetë arsyeja ka humbur rrugës, ndërsa kjo e jotja nuk është ajo histori. Ti që jeton në Francë prej shumë vitesh, në një atdhe të dytë që të ka adoptuar, e di ç’do të thotë të bëhesh pjesë e një urdhri dhe të vishesh me kalorësinë e Republikës; e ke stërmerituar.

Por ishte Shqipëria që deri shumë pak kohë më parë nuk e kishte këtë urdhër kalorësie, të cilin ne e rilindëm si një urdhër suprem 100-vjeçar të Shqiponjës, dhe ishte dëshira dhe detyrimi im, pastaj edhe i Presidentit, që ti të renditeshe në të parët e kalorësve të këtij urdhri, për virtuozitetin tënd do të thoshin thuajse të gjithë, por unë them edhe për larminë pjellore të angazhimit tënd intelektual, njerëzor, shoqëror, maksimalisht dinjitoz.

Ky urdhër është për Tedin përkthyes, krijues, aktor; për Tedin kërkues; për Tedin shqiptarin e Europës dhe botës. Është për ata që preken nga kontrastet e vendit të prejardhjes. Tedi është një muzikant-njeri, nuk është një njeri muzikant. Më kujton tërësisht Tedin ajo që Bahu thotë: madhështia nuk qëndron te objekti, por te fryma”, u shpreh Kryeministri në fjalën e tij.

Advertisement