Shkrime
A e ka dikush idenë se si e destabilizon paqen hapja e një ure si ajo e Ibrit
Nga Enver Bytyçi
Kur zv. drejtori i policisë së Kosovës paralajmëroi para pak ditësh se Ura e Ibrit do të hapet, u binda se jam shumë larg njohjes së realitetit atje. Sinqerisht e dija të hapur tashmë atë urë. Këtë përshtypje ma kishin krijuar vizitat e kryeministrit Kurti, presidentes Osmani, ministrit të Brendshëm, Sveçla e plot autoriteteve të tjera të Kosovës. Po ashtu prezenca e policisë së Kosovës në komunat e veriut ma kishin krijuar përshtypjen se në atë pjesë të vendit dy vitet e fundit lëvizet lirisht ose thuajse lirisht. Me çfarë të kenë shkuar vallë këta në veri? Apo janë supermenë, që fluturojnë si Bathmann?!
Që në vitin 2014 kur kancelarja Angela Merkel shkoi në veri të Kosovës, kërkoi të zhbëheshin institucionet paralele të Serbisë në veri. Ndërsa para disa muajsh mësuam se këto institucione ishin aktive. Atëherë kur qeveria e Kosovës i mbylli ato në disa komuna me shumicë serbe e madje edhe në Pejë, në Bruksel thërrisnin “Me dialog, me dialog zgjidhen këto çështje”! D.m.th Brukseli dhjetë vjet pas vizitës së Merkelit kërkonte që të ishin aktive e prezent institucionet paralele të Kosovës. Merkel asokohe pati kërkuar edhe që Ura e Ibrit të hapet e të lidhë dy pjesët e vendit. Por pas një dekade ende asgjë nuk paska lëvizur!
Tani shqiptarët dhe me bindje e them se edhe serbët në Kosovë duan të jenë të lirë. Të lëvizin lirisht në të gjithë territorin e vendit. Edhe në komunat e veriut. Por ky Rakiqi, që beson se “përfaqëson serbët e Kosovës”, thotë Jooooo! Nuk mundet të hapet ura në fjalë. Pra kërkon izolimin e një territori në zmër të Europës. Ndërkaq kjo Europa e Brukselit që brengoset për lirinë, thotë se duhet dialog, duhet dialog! Mos veproni njëanshëm!
Mos rrezikoni stabilitetin! Dhe askush nuk ua bën këtyre burokratëve pyetjen elementare, se në cilën pjesë të Evropës rrezikohet stabiliteti nga lëvizja e lirë e njerëzve dhe e mallrave?! Në cilin skaj të botës urat shërbejnë për t’i ndarë njerëzit, që edhe ju ta mbroni këtë ndarje në Kosovë?! Në cilin shtet të botës shteti fqinj kërcënon me luftë, nëse hapet një urë për lëvizje të lirë?!
O zot! Janë bërë burokratët e Brukselit më serbë sesa serbët e Beogradit në pushtet! Në vend që të evropianizojnë Ballkanin, janë ballkanizuar për veten e tyre. Nuk iu bën më përshtypje se njerëzit kanë nevoja imediate, duan të lëvizin lirshëm, duan të punojnë, të udhëtojnë e ta lehtësojnë jetën e tyre të përditshme. Por në Bruksel e kryeqytete të tjera thjesht nuk duan të mos zemërohen barbarët në qeverisjen e Beogradit!
Qeveria e Kosovës është shumë e vonuar në aksionin e saj për hapjen e Urës së Ibrit. Duhej që ky aksion të kishte marrë fund me kohë, ndoshta para se të bëheshin zgjedhjet që prodhuan kryetarë shqiptarë në komunat e veriut. Qeveria e Kosovës, institucionet e saj, përfshirë opozitën, duhet të bashkohen fort dhe me një zë të kundërshtojnë burokracinë e Brukselit, e cila prodhon destabilitet e tirani serbe në Kosovë. Duket qartë se Serbia është ende në Kosovë për shkak se këtë prezencë e kërkon dhe e ndihmon Brukseli! Ndërkaq kryeministri i Shqipërisë duhet të heqë dorë nga funksioni i kryeredaktorit të lajmeve në TV-të shqiptare, në të cilat i bëhet jehonë “rrezikut të de stabilizimit të rajonit”, nëse hapet Ura e Ibrit! Urat gjithmonë janë bërë për të bashkuar njerëz e territore dhe jo për t’i ndarë ato!