OPINION
A e ka paguar Shkëlzeni burrin e Blerina Gjylametit? Një akuzë e disa fakte
Nga Adriatik Doçi
Ftoi Berishën në Kuvend / A e ka paguar Shkëlzeni burrin e Blerina Gjylametit? Një akuzë e disa fakte. Kompania e eventeve me adresë te pallati i Berishajve
Pas propozimit befasues (i tëhequr më pas) të deputetes së Partisë Socialiste Blerina Gjylameti për të nxjerrë disa orë nga arresti shtëpiak Sali Berishën, sa për të evituar djegien e mandatit të deputetit në korrik, dyshohet se mund të fshihet një histori pazaresh deri edhe pagesash nga Familja Berisha, në përpjekje për të çarë rrethimin penal.
“Unë mendoj se duhet të thërrasim edhe z. Berisha se kemi ngjarje….”, u shpreh zonja Gjylameti në mbledhjen e parë të komisionit hetimor për sistemin TIMS, duke befasuar edhe vetë përfaqësuesit e Rithemelimit në Komision.
Propozimi ‘pushtoi’ menjëherë hapësirën mediatike, duke dhënë mesazhin e një marrëveshje të heshtur mes socialistëve dhe Berishës, jo vetëm për të shpëtuar mandatin e Berishës, por kundër SPAK dhe SHBA-ve.
Ditën e djeshme, në mbledhjen e dytë të komisionit hetimor, deputetja socialiste Blerina Gjylameti u tërhoq nga propozimi, i cili ishte pranuar nga përfaqësuesit e Berishës në komision, duke thënë se kishte bërë ironi dhe se kolegët e Rithemelimit nuk e kishin kuptuar ironinë e saj.
“…por të marrësh ironinë për të vërtetë, dhe më pas të ndërtosh një fabul të tërë për të nxjerrë Romeon nga ballkoni është e tepërt. Duhet të jemi pakëz më serioz…”, tha Gjylameti.
Për të kuptuar ‘ironinë’ e deputetes socialiste Blerina Gjylameti po sjellim disa fakte, rretha dhe një akuzë e paprovuar.
Në 13 dhjetor 2021, kryetari i PD Lulzim Basha deklaroi se bashkëshorti i deputetes socialiste Blerina Gjylameti ka sjellë nga Italia skenografinë për Kuvendin e 11 dhjetorit në stadiumin “Air Albania”, kur Sali Berisha, përmes një procesi anti-statutor dhe i panjohur nga gjykata, mori partinë, duke shkarkuar Bashën, i cili në shtator ishte distancuar nga Berisha pas shpalljen non grata nga SHBA.
“Blerina Gjylameti i thotë Enkelejd Alibeajt dy javë më parë se deri në datë 11 do jesh ti. Bashkëshorti kishte një emër Kostika, ose Kostaqi. Është aksioner, apo ka qenë menaxher në një kompani të lidhur me TV klan, që kanë sjellë nga Italia një skenë kushedi sa lekë kushton në stadium. Këto lekë janë paratë që merren nga korrupsioni. Ja ku e ke Trekënëdëshin e Bermudës. Blerina Gjylameti i thotë Alibejat pas datës 11 nuk do jesh më. Burri i vet sjellë skenën në Arenën e Hajnisë. Këta kujtojnë se janë ata që kanë qenë. Ja kam thënë Sali berishës nuk jamë më 17 vjeç kur jemi takuar, por jam 47 vjeç, prindër i 2 fëmijëve. Nuk ka trajton më si fëmijë”.
Blerina Gjylameti hodhi poshtë si shpifje akuzat e Luzim Bashës.
“Kompania që thua nuk ka asnjë lidhje me mua, e me familjarët e mi e për këtë bashkë do shihemi në gjyq me shpresën që nuk do i shpëtosh drejtesisë si çdo herë me justifikime qesharake…”, tha ajo.
U intetesuam pranë PD nëse deputetja socialiste kishte bërë ndonjë padi për shpifje. Sipas një konfirmimi zyrtar, deputetja e PS nuk kishte bërë asnjë padi për shpifje kundër Lulzim Bashës.
Ndërkaq, akuzat e Bashës u hodhën poshtë si shpifje edhe nga Rithemelimi tre vjet më parë.
Asokohe Berisha premtoi se “Kostot modeste të këtij organizimi do të bëhen transparente për mediat ditët në vijim”.
Premtimi për transparencën e shpenzimeve është përsëritur edhe disa herë të tjera nga Sali Berisha. Por, transparenca mungon.
Në fakt, shpenzimet e dukshme dhe marramendëse të Familjes Berisha që nga shtatori 2021 deri më sot, janë një sfidë më vete për SPAK.
Organizime në stadium, 27 ‘Foltore’, fushata publicitare, truproja, karburant, bileta, avokati francez, gjyq në Britaninë e Madhe, gjyqe në Tiranë, një fushatë kombëtare zgjedhore, burime njerëzore etj., sugjerojnë për miliona euro të shpenzuara, pa asnjë faturë të publikuar dhe me errësirë të plotë burimi.
Dyshimet janë përqëndruar rreth një njeriu: Shkëlzenit me çantat e tij. Rrëfime të panumërta flasin dhe e vizatojnë si arkën e zezë dhe të pafundme.
A e ka paguar Shkëlzeni bashkëshortin e Blerina Gjylametit për skenografinë e Kuvendit të 11 dhjetorit 2021 dhe organizime të tjera të Rithemelimit?
Bashkëshorti i Blerina Gjylamatit, Kostika Gjylameti, gjatë viteve 2020-2022 ka deklaruar mbi 100 mijë euro të ardhura nga puna, ku përfshihen edhe të ardhura nga puna pranë kompanisë Kuadr.com.
Kompania ka si objekt pikërisht organizimin e të gjitha llojeve të eventeve.
Gjatë periudhës 2017-2018, Kostika Gjylameti ka qenë edhe administrator i kësaj kompanie, pronar cilës sot rezulton Aleksandër Çifligu.
Nga themelimi në tetor 2017 deri në mars 2019, aksioner në kompaninë Kuadr.com ka qenë edhe Ilir Pandeli, bashkëshort i gazetares Ola Xama allias Basjola Pandeli.
Nga janari 2019 deri në mars 2019, kompania Kuadr.com ka përfituar 20 pagesa nga Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare.
(Ilir Pandeli, përmes kompanisë Krioform, ka përfituar si nënkontraktor mijëra euro nga kompania Furst Koloss (J63229454K), e cila ka 30 % të aksioneve në kompaninë Integrated Technology Waste Treatment Fier, që ka ndërtuar inceneratorin e Fierit).
Ndërkaq, adresa e kompanisë së organizimit të eventeve Kuadr.com, e cila ka paguar Kostika Gjylametin të paktën deri në vitin 2022, është Rruga Mustafa Matohiti, pallati nr. 7, shkla 2, kati 8, apartamenti 32.
Te pallati numër 7 në Rrugë Mustafa Matohiti banojnë edhe Berishajt. Madje në ballokonin e një apartamenti në katin e 8 shfaqet çdo natë Sali Berisha duke mallkuar SPAK-un.
Sipas disa kartelave pasurie, pallati i ndërtuar nga Bashkim Ulaj, pothuajse ka kaluar në pronësi të anëtarëve të Familjes Berisha.
Pikërish te ky pallat, shkalla 2, kanë një apartament Argita Berisha dhe Jamarbër Malltezi.
Ndërkaq, Kostika Gjylamenti, i cili ka lidhje financiare me kompaninë e eventeve Kuadr.com, në vitin 2010, kur ishte dejtor shitjesh i Birra Tirana (me pronar Irfan Hysenbelliun përmes kompanisë EGNATIA GROUP), u ankua se Ambasa Gjermane i kishte refuzuar vizën për të marrë pjesë në panairin “Brau Beviale 2010”, që zhvillohej në datat 10-12 nëntor 2010, në Nurenberg të Gjermanisë.
Gjatë ankesës, Kostika Gjylamenti tha se ‘u njoha me procedurat që duheshin ndjekur për aplikimin për vizë, pasi edhe më parë kam qenë i pajisur me leje qëndrimi italiane, sepse kam studiuar në Itali’.
Ky pohim i tij tregon lidhjet e hershme në Itali, që përputhet me pjesërisht me deklaratën e Lulzim Bashës në 13 dhjetor 2021, cili tha se ‘kanë sjellë nga Italia një skenë kushedi sa lekë kushton në stadium’.
A mund të jenë një rastësi të gjitha këto përkime?!