Bota
“A është gjallë?”/ Rrjeti ngre dyshime mbi shëndetin e Trump pas ‘zhdukjes’ për 4 ditë, reagon presidenti i SHBA

Pas një fundjave të mbushur me spekulime virale rreth gjendjes shëndetësore dhe vendndodhjes së Presidentit të SHBA, Donald Trump doli vetë me një deklaratë në platformën e tij Truth Social, ku shkruajti: “Nuk jam ndjerë kurrë më mirë në jetën time.”
Por çfarë e detyroi Trump të reagonte?
Presidenti nuk kishte folur publikisht që nga një takim me kabinetin qeveritar më 26 gusht. Që nga e premtja, vëzhgues të rregullt të Shtëpisë së Bardhë nisën të vinin në dukje se Trump nuk ishte parë më në publik, dhe nuk kishte asnjë aktivitet të planifikuar gjatë fundjavës.
Një gazetar amerikan publikoi në platformën X se presidenti nuk kishte asnjë dalje publike të parashikuar, dhe ky postim u bë viral, me mbi 33 milionë shikime.
Një shpërthim i papritur kërkimesh në Google si “A është ende gjallë Donald Trump?” dhe hashtagë si #WhereIsTrump nisën të qarkullojnë masivisht. Teori të ndryshme, disa prej tyre alarmiste, pretendonin për një krizë shëndetësore të Presidentit, duke arritur miliona shikime online.
Pavarësisht spekulimeve, Trump kishte qenë aktiv në Truth Social gjatë gjithë javës. Një gazetare e The Daily Caller madje publikoi një foto me presidentin, të cilën tha se e kishte bërë përpara një interviste të premten. “Është shumë gjallë,” tha reporterja Reagan Reese.
Të shtunën në mëngjes, katër ditë pas daljes së tij të fundit publike, agjencitë e lajmeve publikuan foto të presidentit teksa largohej nga Shtëpia e Bardhë për të shkuar në fushën e golfit në Virginia.
Por teoritë konspirative nuk u ndalën.
Situata u ngatërrua më tej kur një video që tregonte Trump-in duke përshëndetur mbështetës në fushën e golfit qarkulloi si “e re”, ndërkohë që videoja ishte publikuar fillimisht që në qershor.
Të dielën, Trump u fotografua sërish teksa shkonte drejt fushës së golfit, dhe më në fund vendosi të reagojë publikisht me një postim në Truth Social ku përgënjeshtroi zërat.
Sot është Dita e Punës në SHBA, një festë federale, dhe sipas axhendës presidenciale, nuk është planifikuar asnjë aktivitet publik.

