Connect with us

Aktualitet

A i druhet Erion Veliaj drejtësisë së re? Kryebashkiaku: Fare, fle rehat!

“Nuk druhem fare sepse fle vërtetë rehat”, kështu përgjigjet kryetari i Bashkisë së Tiranës, ndërsa pyetet nga gazetari Sokol Balla, nëse i druhet sot drejtësisë së re.

Për emisionin ‘Real Story’, Veliaj tha se nuk ka pasur asnjë përfitim personal dhe se e vetmja ambicie ka qenë për të çuar përpara punët e qytetit.

“S’kam pasur asnjë përfitim personal, jetoj po aty ku kam jetuar, me familjen time para se të merresha me politikë. Dhe nuk ka sot një njeri në politikë, ose edhe në këtë vend që të vendosë gishtin dhe të thotë, Erion Veliaj më ka kërkuar këtë edhe atë. Nuk e kam bërë kurrë, përkundrazi kam qenë gjithmonë në anën tjetër, kur ndonjëherë më është kërkuar edhe ndërhyrje dhe prandaj pata edhe atë reagim.” -tha ai.

Pjesë nga intervista:

Ju gjithashtu keni dhënë intervistë, jo këtë të parafundit, por edhe një më herët se edhe mekanizmi i drejtësisë së re ka nevojë të regjistrohet, pendulumi i tij nuk është ndoshta tamam aty ku është. Mendoni se gjatë kësaj kohe të regjistrimit kjo drejtësia e re mund edhe t’iu vendosë juve nën akuzë a i druheni kësaj gjëje?

Veliaj: Nuk druhem fare sepse fle vërtetë rehat. Jo vetëm që nuk kam pasur asnjë ambicie për të sabotuar, dështuar, penguar punët e këtij qyteti, përkundrazi ambicia ka qenë për t’i çuar vetëm përpara. Për t’u siguruar që gjej zgjidhje dhe kompromise vetëm që puna të avancojë. S’kam pasur asnjë përfitim personal, jetoj po aty ku kam jetuar, me familjen time para se të merresha me politikë. Dhe nuk ka sot një njeri në politikë, ose edhe në këtë vend që të vendosë gishtin dhe të thotë, Erion Veliaj më ka kërkuar këtë edhe atë. Nuk e kam bërë kurrë, përkundrazi kam qenë gjithmonë në anën tjetër, kur ndonjëherë më është kërkuar edhe ndërhyrje dhe prandaj pata edhe atë reagim. S’kam unë probleme me median ata janë në punë të tyre, thjesht ndihem i fyer kur njerëz të cilët vetëm kërkojnë ndonjëherë gjëra të paligjshme dhe kur këto gjëra të paligjshme hasin një pengesë nga Bashkia e Tiranës, apo autoriteti im dhe pastaj kjo përkthehet në sulme, kjo sigurisht është një gjë e ulët por nuk dua të merrem më me këtë sepse, le të themi ta kanë punën e tyre. Ky është një qytet që njeh të gjithë njerëzit, njeh edhe njerëzit që punojnë, edhe njerëzit që venë gjoba.

Ishte hera e parë që ju goditët me emra. Ju përmendët emra konkretë. Një emër do ta përmend, pasi ju përmendët Baton Haxhiun, që le ta themi ka qenë një nga njerëzit më të afërt të kryeministrit.

Veliaj: Së pari nuk kam përmendur asnjë me emër. Kur them njeriu më i urryer në Kosovë, nëse dikush vetë ofrohet dhe thotë jam unë, ky është problem tjetër. Së dyti, besoj në këtë qytet të gjithë I njohin të gjithë. Vërtetë jemi një milion, vërtetë kemi një pafundësi turistësh, po në këtë fazë të gjithë I njohin të gjithë. Kështu që, fakti që unë nuk kam përmendur emër dhe secili gjeti emrin e vet, do të thotë që …

Tani është faji im që përmenda emër…

Veliaj: Jo, nuk thash këtë. Thjesht thash që në këtë qytet dihet kush punon, dihet kush sakrifikon, dihet kush është i ndershëm, dihet kush punon dhe të shtunë e të diel, dihet kush zgjohet i pari dhe fle i fundit, kush i çon me thonj punët përpara, dihet edhe kush nuk i tutet asnjë beteje. Kështu që di të them që për sa i përket ndërgjegjes time…

Dihet edhe kë keni përballë, të njëjtin grup

Veliaj: Shiko, kjo është një betejë politike. Nëse ti mendon se kjo është një betejë ca gazetarët që janë të mërzitur për interesa, të thash nuk dua të merren fare me këta, dhe fakti që këtij shqetësimit tim disa njerëz i kanë vënë edhe emra, ky nuk është problemi im, është problemi i atyre që identifikohen me ato epitete dhe nuk dua të flas apo të merrem  më me ta. Ata janë në punën e tyre dhe publiku i njeh edhe kush është i sinqertë dhe kërkon transparencë, dhe kush vë gjoba. Njihen portalet, njihen të gjitha, nuk ka gjë të re nën diell, kur thotë Bibla meqë ishim në fundjavë Pashkësh. Ajo që di të them është që kjo është një betejë politike, një parti anemike si ajo copë e mbetur e PD e cila s’ka kauzë, e ka nisur me mua që nga këndi i lodrave, dhe që jam i sigurt do ketë betejë për Lanën, jam i sigurt do ketë betejë për Kopshtin Botanik, jam i sigurt do ketë pengesa të tjera. Por, deri ditën e fundit që do jem në bashki të Tiranës, nuk do i shmangem asnjë beteje. Nëse do zgjedh t’i shmangem betejës për të pasur pëlqime më shumë dhe për të pasur konsensus më të madh publik dhe lënies prapa të këtyre punëve dhe mos sakrifikimit, unë do të zgjedh gjithmonë të sakrifikoj edhe të bëj betejë. Të bëj betejë për një qytet që unë besoj përmes këtyre betejave ka pasur rezultate që e kanë bërë sot model. Model në rajon dhe model në Europë.

Advertisement