Connect with us

Shkrime

A ia vlejti katrahura e krijuar nga Albin Kurti

Pranimi i planit të de-eskalimit nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sipas gazetarit dhe publicistit, Halil Matoshit dhe profesorit të shkencave politike, Dritëro Arifi, megjithëse i vonuar e me pasoja të rënda, përsëri është i mirëseardhur.

Sipas Matoshit, Kosova e pranoi planin e Bashkimit Evropian për de-eskalimin e situatës në Veri sepse “Kurti u kurthua në hapat e tij të gabuar”.

“Dhe ai ose do të zmbrapsej – siç bënë rëndom pas turreve popullsite – ose do ta katandiste atdheun e kosovarëve në theqafje”.

Kurti siç po duket, beson Matoshti “po i braktisë politikat e tij izolacioniste pasi që e mësoi leksionin se enverizmi sovranist nuk funksionon në një botë të ndërvarshme siç është kjo e rreshtit amerikan të sigurisë”, duke iu referuar ideologjisë që lideri komunist shqiptar, Enver Hoxha, i kishte aplikuar në Shqipëri për më shumë se 40 vite.

Nga ana tjetër, për Arfin, siç e quan ai, gabimi i qeverisë për të instaluar në zyrat e tyre kryetarët e katër komunave Veriore – të dalur nga zgjedhjet e 23 prillit – Kosova ka nxjerrë, apo është përballur me pesë ndëshkime.

“E para nuk është arritur qëllimi i dëshiruar për çka është intervenuar në Veri; kemi pësuar sanksione; kemi pranuar kushtet paraprake që është dashur të pranohen në fillim para se të pranohen sanksionet”

Profesori i shkencave politike pohon se niveli i dytë i dy gabimeve, apo ndëshkimeve është sepse “e kemi dëmtuar mirëbesimin e qytetarëve në Veri, duke shkuar me njësi policore, dhe po ashtu e kemi dëmtuar mirëbesimin e partnerëve ndërkombëtarë që Kosova është një shtet serioz”.

“Pra, e gjithë kjo, le të themi maskaradë e palogjikshme e veprimeve të Qeverisë Kurti ka rezultuar me gjitha këto dështime”, beson Arifi.

Në të gjithë këtë katrahurë të krijuar, Kosova sipas gazetarit Matoshi nuk ka përfituar asgjë që do t’i shërbente interesave të shtetit, përkundrazi ai vlerëson se një gjë e tillë i ka bërë veç dëme.

“Kosova nuk ka marrë asgjë si kundërvlerë, nuk ka realizuar asnjë interes nacional por ka humbur besimin e qytetarëve serbë, që ishin luajalë ndaj shtetit, ka humbur besueshmërinë e aleatëve dhe ka përplasur e polarizuar shoqërinë”, thote publicisti Matoshi

Por, përkundër kësaj, pranimi i planit të de-eskalimit të situatës në Veri nga Kurti, prapëseprapë në vlerësimin e Matoshit është një lajm i mirë.

“Tërheqja nga aktet kryeneçe e të pakoordinuara me SHBA-në dhe QUINT-in, është lajm i mirë, që të shpëtohet çka mund të shpëtohet”.

Situata e krijuar nuk mund të tejkalohet kaq lehtë për profesorin e shkencave politike, Dritro Arifi, I cili mendon se dikush duhet që të mbaje përgjegjësi, pasi që sic thotë ai dëmi i shkaktuar është kolosal.

“Duhet që dikush të shkojë në shtëpi për këtë dështim kolosal, si në politikën e brendshme ashtu edhe në atë të jashtme” – deklaroi Arifi

 

 

 

Advertisement