Connect with us

Sport

A janë Lojërat Olimpike gjëja e duhur për sportistët fëmijë?

Skateboardistja kineze Zheng Haohao është 11 vjeç, notarja indiane Dhinidhi Desinghu dhe skateboardistja kanadeze Fay De Fazio Ebert janë 14 vjeç, gjimnastja amerikane Hezly Rivera dhe vrapuesi i 400 metrave Quincy Wilson 16 vjeç. Të gjithë debutojnë në Lojërat Olimpike të Parisitdhe ndezin diskutimin për efektet e sportit elitar te sportistët shumë të rinj.

Fay De Fazio Ebert me flamurin kanadez dhe medaljen e artë të fituar në garat e skejtbordit
Fay De Fazio Ebert vlerësohet me medaljen e artë në tetor 2023 në garat në Santiago, KiliFotografi: Frank Gunn/IMAGO/ZUMA Press

Zhvillimi fizik dhe mendor

“Adoleshenca është një fazë shumë e paqëndrueshme, nga ana fizike, fiziologjike, konjitive dhe psikosociale. Nëse i shtoni edhe kërkesat e sportit elitar në nivel botëror, lind pyetja, si mund të përballohet me sukses kjo”, thotë Michael Bergeron. Studjuesi amerikan i sportit këshillon Komitetin Olympik Ndërkombëtar (IOC) për zhvillimin sportiv të atletëve të rinj. “Nuk mund të parashikosh, se çfarë do të ndodhë. Nuk ndodh në të njëjtën mënyrë, në të njëjtën kohë, me të njëjtin ritëm, në të njëjtën masë, për çdo fëmijë.” Bergeron ka drejtuar një studim për të rinjtë në sportin konkurrues. Rezultatet pritet të publikohen në fund të vitit. Studimi synonte të merrte parasysh zhvillimin fizik dhe mendor të adoleshentëve, nga ana tjetër të ndikonte në elementë, që mund të ndryshoheshin, për shembull intensiteti i stërvitjes.

Shqetësime për shëndetin tek sportistët shumë të rinj

Ndryshe nga Lojërat Olimpike për të Rinjtë, ku pjesëmarrja është e kufizuar për moshat 15 deri në 18 vjeç, në Lojërat Olimpike të Parisit nuk ka kufi moshe, gjë që vlen për të 32 sportet. Organizata ombrellë e çdo sporti vendos, nëse duhet të ketë një kufi moshe. Kështu në gjimnastikë ajo është 16 vjeç dhe në zhytje 14 vjeç. Ritmet e rritjes së fizikut tek sportistët e rinj ndodhin në periudha të ndryshme. Tek disa zgjatja e trupit përfundon në moshën 16-vjeçare, tek të tjerët në moshën 21-vjeçare. Por një shtat i zhvilluar plotësisht nuk do të thotë edhe një strukturë kockore plotësisht e zhvilluar. “Kemi të ashtuquajturat apofiza”, shpjegon Sean Cumming, që studion efektet e sporteve konkurruese gjatë fëmijërisë dhe adoleshencës në Universitetin e qytetit britanik Bath. “Apofizat janë vende, ku tendinat ngjiten me kockën. Kur fëmija rritet, këto vende janë më të ndjeshme. Nëse ushtrohet tension i tepruar, kocka mund të inflamohet, duke shkaktuar dhimbje dhe probleme. Edhe tek ata që zhvillohen më heret, vende të tilla nuk zhvillohen plotësisht deri në moshën 21 ose 22 vjeç, kështu që kur punohet me sportistë të rinj, duhet patur vërtet kujdes për stresin në apofiza”.

Atletët Quincy Wilson në garën e vraprimit 400 metra me konkurrentët Bryce Deadmon dhe Jenoah
Quincy Wilson në garën e 400 metrave me konkurrentët Bryce Deadmon dhe Jenoah McKiver në garat në Oregon, qershor 2023Fotografi: Christian Petersen/Getty Images/AFP

Sfida psikologjike për sportistët e rinj në Lojërat Olimpike

Rosemary Purcell është profesoreshë në Qendrën për Shëndetin Mendor të Adoleshentëve në Universitetin e Melburnit, Australi, e specializuar për shëndetin mendor në sportin elitar. Kuadri psikologjik nuk është aspak i thjeshtë”, thotë shkencëtarja për DW. “Mendoj se ka dallime mjaft të mëdha midis asaj që shohim te popullata në përgjithësi dhe te sportistët e rinj elitarë. Në disa sporte tek të rinjtë aktivë ka norma më të larta të çrregullimeve të të ushqyerit dhe në perceptimet e trupit. Nga ana tjetër ata mund të kenë nivele më të ulëta depresioni dhe ankthi nga sa shohim në shoqëri”. Shkencëtarja sheh një ndryshim mentaliteti tek të rinjtë. Ata janë “shumë të vetëdijshëm për problemet e shëndetit psiqik. Ata do ta ndryshojnë diskursin, sepse duan të konsiderohen në një këndvështrim holistik, të tërësishëm.”

Fiksimi te medalja dërgon sinjalin e gabuar

Por ndryshimi duhet të vijë edhe nga lart, thotë Cath Bishop. Në 2024 ajo fitoi në Athinë medaljen e argjendtë olimpike në kanotazh. Sot britanikja është autore dhe konsulente. “Ne për një kohë të gjatë trajnerët i kemi shpërblyer apo larguar vetëm në bazë të faktit, nëse kanë fituar medalje dhe jo se sa mirë i kanë trajtuar sportistët e rinj”, thotë Bishop për DW.

Edhe IOC mban një pjesë të përgjegjësisë, duke futur në Lojërat Olimpike sporte të reja, tërheqëse për të rinjtë. Qëllimi është që ata të binden se për mundësinë për të garuar në Lojërat Olimpike ia vlen koha dhe mundi. Për rreziqet për zhvillimin fizik dhe mendor të të rinjve shpesh heshtet.

Ish-atletja e shquar Bishop bën thirrje për të ndryshuar këndvështrimin. “Ne fitojmë një medalje dhe dëmtojmë një person. Dhe gjatë rrugës dëmtojmë ndoshta njerëz të tjerë. Çfarë vlere shoqërore ka kjo? Është mjaft negative”, thotë Bishop. “Unë mendoj se njerëzit duhet të fillojnë t`ì analizojnë në mënyrë kritike `medaljet. Në thelb ne i kemi blerë ato. Ne kemi paguar miliona paund dhe gjatë kësaj kemi dëmtuar njerëzit. A na bën kjo më të mirë?”

 

Advertisement