Connect with us

Shkrime

A mund të arrihet pajtimi i madh në PD

Nga Roland Qafoku

Mes Sali Berishës dhe Enkelejd Alibeajt po jepen sinjale për bashkim dhe pajtim të madh të Partisë Demokratike. Sa i mundur është ky pajtim dhe a mund të arrihet realisht ai? Ngritja e një Këshilli të Urtësh për të afruar palët dhe ç’duhet të bëjnë me PD-në e Berishës dhe PD-në e Alibeajt, por edhe me grupin e deputetëve që nuk është as me të parin dhe as me të dytin.

Teksa ka një pozicionim ekstrem të dy palëve të mëdha në PD, në horizont kanë dalë disa sinjale për pajtim. Berisha ka lënë pas etiketimet “Alibasha” dhe ka pranuar se janë të hapura negociatat me Enkelejd Alibeajn dhe vetë Alibeaj ka lënë pas etiketimet “gjuha e helmët e Berishës” dhe ka gjetur edhe negociatorin. Ky është momenti të themi se të dy palët e kuptojnë shumë qartë se vetëm atje ku ka bashkim ka fitore dhe se pa këtë bashkim dhe pajtim të madh kjo parti jo vetëm që mund të humbasë zgjedhjet lokale të vitit 2023, por rrezikon deri shpërbërjen. Por deri tani as bashkim e as pajtim nuk ka. Palët vijojnë që zyrtarisht të quhen armike pavarësisht se fjalori duket sikur është zbutur paksa, ndërkohë mbi kokë ende nuk rrinë pamjet e 8 janarit të këtij viti kur sulmi dhe mbrojtja e selisë së partisë u kthye në një arenë përleshje fizike në ngjarjen më të shëmtuar që I ka ndodhur kësaj force politike që nga themelimi më 12 dhjetor 1990.

Nga njëra anë është partia e zotit Berisha, e cila për hir të vërtetës e shkundi jo pak partinë e përgjumur dhe çoroditur me aksionin “Foltore”. Nga qendra në bazë dhe nga baza në qendër u krijua për herë të parë pas tetë vjetësh në opozitë një frymë që solli entuziazëm por se aksionet e saj politike kanë ngecur dhe ajo fryma e fillimit ka rënë deri në zvenitje. Kulmi ishte mbledhja e fundit e grupit parlamentar ku “Foltorja” arriti të ketë në sallë vetëm 12 deputetë nga 52 që ka grupi parlamentar. Nga ana tjetër ndodhet partia zyrtare me kryetarin e komanduar Enkelejd Alibeaj. Qëndrestar i admirueshëm gjatë gjithë kësaj periudhe, jo vetëm që nuk konfirmoi parashikuesit se ai do dorëzohej dalëngadalë por i ka bërë kundërshtarët të flasin me vete. Fakti është se Alibeaj po qëndron aty ashtu siç nuk e priste kush. Madje ai vetë ka krijuar një profil shumë herë më të admirueshëm se sa Lulzim Basha, për të cilin mes shumë e shumë të tjerëve edhe sekretarja e vet nuk i besonte. Ka krijuar rreth tij një grup figurash po me të njëjtin stil dhe që kanë të vetmin kundërshti ndaj Alibeajt: që ish-kryetari Lulzim Basha të mos kthehet më në krye të partisë. Megjithatë ky grupim duhet thënë se nuk ka mbështetje në bazë dhe nuk krijon dot as frymë, nuk mbledh dot as vota me shumicë, rrjedhimisht në votime është i destinuar të dështojë. A i keni parë mbledhjet nëpër degë apo qytete? Tipik stil i Bashës: Në një lokal fshati bëhen bashkë ca burra dhe gra të zonës të inatosur me “Foltoren” të përkëdhelur në këto tetë vjet, thonë disa fjalë po të inatosura, hanë apo pinë ndonjë gjë rreth një tavoline me cepa dhe në fund bëjnë disa selfie, publikimi i të cilave më shumë i dëmton se sa tregon se janë të lumtur në grupimin e tyre. Por a mund të veprojë i vetëm secili nga këto grupime? A mund të quhet secili nga këto grupime Partia Demokratike e vërtetë, ajo partia e madhe që krijon frymë, bashkim dhe më kryesorja sjell Partinë Demokratike në pushtet? Gjasat janë që nëse vazhdohet në këtë mënyrë, stil apo sjellje, me këtë dasi me këtë përçarje dhe më stilin “ecim se rrugës do na bashkohen”, PD do jetë në një rruugë pa krye. Madje edhe nëse gjykata do marrë vendimin pro njërit dhe kundër tjetrit, pak gjasa ka që të arrihet bashkimi i dëshiruar por i parealizuar. Por sa reale janë këto përpjekjet që thamë më sipër dhe a mund të bashkohet realisht PD?

Tha Enkelejd Alibeaj më 8 tetor:

“PD është një subjekt dhe duhet të nxjerrë një kandidat. Duhet bashkim i demokratëve dhe i qytetarëve, ne nuk e kemi luksin të kemi kandidatë të tjerë në garë. Lëvizjet e tjera në kampin opozitar, për kandidatë të tjerë, nuk i shërbejnë Partisë Demokratike. PD do të hyjë në zgjedhjet lokale të 2023. Qytetarët shqiptarë mezi presin të shkojnë në zgjedhje. Shoqëria duhet të shprehë vullnetin e saj ndaj pushtetit. Ka vetëm një subjekt ligjor me emrin PD, ky subjekt ligjor që drejtoj do marrë pjesë në zgjedhje.”

Tha Sali Berisha më 12 tetor:

“Do të bëjmë gjithçka për bashkimin e plotë të PD në të gjitha aspektet. Do të bëjmë gjithçka për bashkimin e plotë të opozitës shqiptare, të shkojmë në zgjedhje me një kandidatë dhe të fitojmë zgjedhjet e ardhshme siç e meritojmë. Nuk shoh arsye se përse ata të mos bashkohen në proces. Të gjithë mund të marrin pjesë veç njërit. E merrni me mend. Është vetëm, është i izoluar. Të trajtojë problemin serioz që ka.”

Një këshill të urtësh që mund të pajtojë partinë demokratike

Pavarësisht të gjitha këtyre përpjekjeve do të jesh naiv të mos kuptosh që palët vijojnë të jenë larg e më larg. Por çfarë mund të bëhet në një kohë kaq të shkurtër kur zgjedhjet po duken në horizont dhe PS nga ana tjetër i ka ndezur motorët?

Ajo që vlen më shumë është bashkimi dhe pajtimi real dhe ky pajtim kurrë nuk mund të bëhet nga ata që drejtojnë grupimet. As Sali Berisha dhe as Enkelejd Alibeaj nuk gjasa as të pajtohen mes tyre personalisht dhe as të bëjnë pajtimin e madhe në PD. Ajo që i vlen më shumë kësaj partie është se ka ardhur koha që të ngrihet një këshill të urtësh për ta realizuar konkretisht këtë pajtim. Në të duhet të bëjnë pjesë figura të rëndësishme dhe me kontribut në PD, por me kushtin që të mos kenë interes për karrierë politike në këtë parti. Disa figura mund të jenë Myqerem Tafaj, Besnik Mustafaj, Albina Karamitro, apo edhe të tjerë në vartësi të propozimeve që mund të japin palët. Sigurisht që emrat mund të përzgjidhen që palët ti parapëlqejnë dhe çdo listë është relative. Por e rëndësishme është që të dy palët të kenë vullnetin dhe dëshirën për të bërë pajtimin. Janë këta që do të përcaktojnë më pas modalitetet e bashkimit, kushtet për secilën palë dhe arritjen e e synimit të madh pajtim të plotë. Besoj se parësore në këtë proces duhet të jetë ndërprerja e të gjitha sulmeve nga secila palë si deklarative por edhe juridike. Më pas duhet të gjendet formula për arritjen e pajtimit që realizohet sigurisht duke dhënë nga secila palë.

Ç’duhet të bëjë Rithemelimi i Berishës?

Së pari, ka nisur një eufori në radhët e Partisë Demokratike të drejtuar nga Sali Berisha. Aq sa meritë kanë disa deputetë që ringritën PD e vënë poshtë nga humbja në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021 aq kanë përgjegjësi që kanë ngecur në retorikë fjalësh nëpër emisione dhe aksione politike vetjake pa asnjë vlerë. Euforia dhe arroganca që vihet re te ndonjë deputet me moshë të re po me mendje të plakur janë dëmi më i madh që po i sjellin këtij grupimi. Ndiqni me kujdes se farë shprehin nëpër ekrane. Nuk komentojnë por duket sikur mbajnë fjalime. Nuk japin ide por përsërisin veten me të njëjta fjalë por në interpretime të reja. Epo më ketë natyrë dhe sjellje, PD nuk mund të shkojë gjëkundi. Së dyti pajtimi me grupin Alibeaj duhet të jetë real dhe për këtë qëllim duhet të ketë edhe tërheqje. Ndryshe deklarata të tipit “nuk na duhen ata”, “I fitojmë zgjedhjet vetëm”, “e shpartallojmë PS” janë si fishekzjarret e hedhura në Tiranë nga dikush në orën 24.00. që I gëzohet ditëlindjes së djalit të vet por ngre nga gjumi gjithë lagjen. Kështu PD nuk bashkohet.

Ç’duhet të bëjë pd e alibeajt?

Tashmë ky grupim ka kaluar atë më të vështirën: Qëndresën ndaj Partisë së drejtuar nga Sali Berisha. Nuk ishte e lehtë kjo. Por në situatën që ndodhet kjo parti ky grupim duhet të kuptojë mirë se pa bashkim nuk e çon kund këtë parti. Ndërkohë duhet thënë se në këtë grupim ka edhe qëndrime ekstreme dhe kjo është e dëmshme. Mes tyre është edhe ai i Roland Bejkos. Në fakt për atë që i ka ndodhur, Bejkos i jepet e drejtë. Ka vuajtur personalisht deri në denigrim për ato arsye dhe qëndrime që i dimë. Por nga ana tjetër një pozicion refraktar nuk e ndihmon partinë për të arritur pajtimin dhe pa pajtim PD do mbetet thjesht një parti me dy parti, prandaj është ky grupim duhet të qetësojë personazhet që kanë qëndrime refraktare dhe mbi interesat vetjake duhet të prevalojnë ato të partisë.

Grupi që pret te dera berishën

Në fakt në PD ka edhe një grupim tjetër. Tashmë ka marrë emrin “grupi që pre te dera Berishën”. Nuk kërkon sforcim për të kuptuar se për kë bëhet fjalë. Por në PD zonja Grida Duma që herë merr pjesë në mbledhjet e grupit Alibeaj e herë në mbledhjet e Berishës dhe pastaj herë pas here krijon vetë një grup me dy veta, ka edhe të tjerë. Nuk e teprojmë të numërojmë se janë të paktën 10 deputetë me mandat në xhep që nuk pozicionohen me asnjë. Sa herë ka një debat apo që opinion kërkon të dijë se ku janë pozicionuar ata, këtyre deputetëve u del një punë. Kuptohet dukshëm se në Partinë Demokratike këta janë më problem se sa ata që janë pozicionuar. Rrogën e deputetit e marrin pa bërë ndonjë punë, aktivitete partie nuk bëjnë fare, në qendër nuk shkojnë, në bazë jo e jo, vota nuk kanë por ama partinë e kanë bërë lëmsh. Këta presin se çdo të ndodhë që të pozicionohen. E pra, ky është grupimi më i rrezikshëm që ka aktualisht kjo parti. Nisur nga kjo situatë, Këshilli i të Urtëve duhet të gjejnë metoda aspak të urta për këta deputetë. Vërtetë PD është në udhëkryq, por këta nuk janë gjëkundi.

Advertisement