Connect with us

Kosova

A po e shpëtojnë partnerët ndërkombëtarë edhe kësaj radhe Kosovën nga “Piter Pani” Kurti?!

Nga Hisen Berisha

Deklarata sugjeruese e Ambasadorit gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, duhet kuptuar si thirrje që Qeveria e Kosovës të krijojë këtë frymë për heqjen e masave nga BE.

Si e tillë, tingëllon e “sinqertë”, për faktin se edhe Serbisë, në deklarimet e tij, ia ka rikthyer vëmendjen te kushtet për integrim në BE. Pra, mbetet që ndërtimi i paqes me Kosovën dhe vendet e rajonit, të jetë kusht për integrim në BE, përkundër lëshimeve në dëm të Kosovës, që i janë bërë Serbisë para dhe me pranimin e Marrëveshjeve si Plan franko-gjerman, Aneksit të Ohrit, Statutit të EU për Bashkësinë e Komunave Serbe dhe statusin e Kishës Ortodokse në Kosovë, kërkesa sugjeruese e Ambasadorit Rohde duhet parë në disa dimensione.

Në kontekstin politik dhe diplomatik që është krijuar me procesin e dialogimit dhe negocimit të deritanishëm, mesazhi i Ambasadorit Rohde ndaj Kurtit ishte vërejtje se duhet të jetë i përgjegjshëm dhe serioz. Nuk mund të tërhiqet kur merr obligime ndërkombëtare, të pranojë marrëveshjet e pastaj të bëjë obstruksione kur përballet me zbatimin e tyre. Është dashur një konsultim dhe koordinim harmonizues gjithpërfshirës, respektim i procedurave kushtetuese dhe politike, para pranimit, siç e ka të përcaktuar me Kushtetutën e Kosovës dhe Platformën e Kuvendit për dialog.
BE kur merr vendime, është proces serioz dhe i maturuar ndaj arsyeve përse merr vendime të tilla. Joserioziteti, inkonsistenca, pasiguria që ka krijuar Kurti në procesin e dialogut, e zbeh mundësinë ose jo të lehtësimit të masave. Prandaj Qeveria Kurti duhet të bëhet serioze, për të krijuar një frymë pozitive dhe të qëndrueshme. Sa ka qenë ky dialog i hapur dhe konstruktiv përfshin kompromiset e ndërsjella dhe zbatimin e marrëveshjeve të mëparshme, kjo nuk mund të konstatohet njëanshëm dhe pa përfshirjen e të gjitha palëve të interesuara, duke u koordinuar me partnerët ndërkombëtarë, me theks aleatin tonë kryesor që e determinon dhe garanton këtë proces, SHBA.

Qeveria duhet të tregojë vullnetin politik për të çuar përpara dialogun në interes të Kosovës, kurse deri më tani në çdo veprim dhe vendim politik, ka bërë atë që edhe vetë DASH na kanë paralajmëruar se është në dëm të Kosovës, krijim status quoje, që është interes serb dhe rus në rajon.

Advertisement