Connect with us

Shkrime

A po keqpërdoret deklarata e Zelenskyt për front lufte në Ballkan?!

Nga Enver Bytyçi

Gjithkush prej nesh e pranon se interesi i Rusisë është të hapë sa më shumë vatra konfliktesh kudo në botë e sidomos në Ballkan, me qëllim që të paralizojë ndihmën e SHBA-ve dhe Evropës për Ukrainën. Një konflikt në Ballkan do të thoshte luftë në territorin evropian, madje brenda rrethit të BE-së, po të kemi parasysh se vendet e Ballkanit Perëndimor në konflikt me Serbinë e Rusinë, janë të rrethuara nga vendet anëtare të Unionit.

Për pasojë është i drejtë dhe fshikullues, madje do ta quaja një sintezë të asaj çfarë ka ndodhur nga 24 shkurti i vitit 2021 dhe çfarë po ndodh sot. Ky paralajmërim nuk shkon vetëm në adresë të vendeve si Kosova, Bosnjë-Hercegovina, Mali i Zi e madje edhe Maqedonia e Veriut si viktima të agresionit serbo-rus. Por shkon në radhë të parë në adresë të aktorëve të fuqishëm perendimorë. I shërben njëkohësisht Ukrainës për shtimin e vëmendjes ndaj saj dhe për rritjen e peshës së Kievit në një dialog të mundshëm për ti dhënë fund luftës.

Ndërkaq në të njëjtën linjë shkon edhe paralajmërimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili tha se Radoiçiç po riorganizon strukturat kriminale dhe terroriste në Rashkë për të kundërsulmuar në territorin e Kosovës. Me këtë rast evropianët dhe amerikanët duhet të alarmohen për faktin pse presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, e la të lirë krye terroristin e Banjskës, Radoiçiç!

Megjithatë, unë besoj se ka një lloj hiperbole të qëllimshme në interpretimin dhe analizën e deklaratës së presidentit ukrainas. Më keq akoma, mendoj se ka një keqpërdorim të saj nga disa aktorë shqiptarë. Këtë alarm për “rrezikun e një lufte ballkanike”, të sponsorizuar nga Rusia po e përcjellin kryesisht zëra pro Beogradit. “Zgjidhni, ose marrëveshje të Kosovës me Serbinë, ose luftë”! “Serbia po përgatitet për luftë”!

Deklarimet e spikerëve të Beogradit në mesin tonë kanë lëshuar shumë herë deklarata paniku dhe frikësimi për shqiptarët, kur thoshin dhe vazhdojnë të thonë se “Serbia për 24 orë mbërrin në Morin”!

Nuk akuzoj ministrin e Jashtëm të Maqedonisë së Veriut për një rol si ky. Nuk kam asnjë arsye të them se ai “është një spiker i Serbisë në rajon”! Dhe jam i sinqertë në këto që po shpreh. Por nuk më tingëllojnë aq mirë deklaratat e tij kapitulluese në cilësinë e kryesuesit të OSBE-së, përsa i përket kësaj teme. E kuptoj një lloj qëllimi që ai ka në raport me opozitën e vendit të tij. I shoh deklaratat për destabilizimin e Ballkanit, si presion ndaj asaj opozite që të pranojë ndryshimet kushtetuese në kontekstin e kërkesave të Sofjes. Por fund e krye ato deklarata ngjizin idetë kapitulluese dhe alternativën, “nëse jo paqe, atëherë kemi luftë”!

Bota, edhe rajoni i Ballkanit në histori ka përjetuar periudha të tmerrshme konflikti e lufte, por ka kaluar dhe nëpër periudha të një lloj detanteje. E gjitha varet nga Serbia. Kur Serbia është nisur në konflikte ka marrë me vete të gjithë popujt e tjerë të Ballkanit. Kjo dihet. Dhe në vend të lidhjes së një koalicioni anti-serb në të gjithë rajonin, shumë prej politikanëve dhe diplomatëve, analistëve dhe të ashtuquajturve ekspertë të rajonit, kanë marrë në dorë lëkurën e ariut rus dhe çakallit serb dhe e tundin para syve tanë, me qëllim që të na trembin e të na thonë “pranoni vullnetarisht orekset e projektet serbe të Serbisë së Madhe, ndryshe do të vihet në dyshim ekzistenca juaj”! Se “Serbia është e fuqishme”! Se ajo ka aleat një vend, shtet e president kriminel si Putini, se ajo është e armatosur, se ka një GDP më të madhe se të gjitha vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor etj.

Jugosllavia ishte fuqia e pestë ushtarake e Evropës në vitet e 90-ta të shekullit të kaluar. Por kjo nuk i mjaftoi Milosheviçit ta bëjë Serbinë e Madhe. Nuk e di pse lodhet sot gogoli serb në gojën e flliqtë edhe të shqiptarëve”?!

Me siguri për ta kërcënuar Albin Kurtin, Vjosa Osmanin dhe institucionet e shtetit që të pranojnë versionet e planet serbe të zgjidhjes së konfliktit me Kosovën. Nuk ka asnjë arsye tjetër. Kjo kategori spikerësh pro-serbë i adresohen vetëm fuqisë ushtarake të Serbisë e lidhjeve të saj me Rusinë, por nuk i kam dëgjuar të flasin për suksesin e jashtëzakonshëm të policisë së Kosovës më 24 shtator 2023. Nuk i kemi dëgjuar të flasin as për prezencën e NATO-s. Dhe as për atë se ne sot ne Prishtine është sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Stoltenberg! Madje për këtë më shumë flet Aleksandër Vuçiç, sesa miqtë e tij në Tiranë, në Prishtinë e gjetkë.

Advertisement