Bota
A po luan Irani me SHBA? Thirrja e ministrit iranian: Amerika të mos përfshihet, por ne nuk negociojmë…

Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi u tha gazetarëve ndërkombëtarë këtë të shtunë se vendi i tij “nuk mund të negociojë me SHBA-në kur populli ynë është nën bombardime”. Ai ka pretenduar se “SHBA-të kanë qenë të përfshira që nga dita e parë”, por nuk dha prova për këtë.
BBC raporton se duke folur me gazetarët në Stamboll, ku pritet të vazhdojë bisedimet diplomatike, Araghchi paralajmëroi se përfshirja e SHBA-së në konfliktin e vazhdueshëm midis Izraelit dhe Iranit do të ishte “shumë, shumë e rrezikshme”.
Kjo deklaratë vjen në një kohë kur Presidenti Donald Trump miratoi planet për të sulmuar Iranin në fillim të kësaj jave, por u tërhoq në rast se vendi islamik pranonte të braktiste programin e tij bërthamor.
Ministri i Jashtëm iranian ka theskuar se vendi i tij është “absolutisht i gatshëm” për një zgjidhje të negociuar për programin bërthamor. “Diplomacia ka funksionuar në të kaluarën dhe mund të funksionojë përsëri në të ardhmen. Që të kthehemi te diplomacia, agresioni duhet të ndalet”, ka theksuar Abbas Araghchi.
Izraeli goditi Qendrën e Teknologjisë Bërthamore të Isfahanit në ditët e para të konfliktit, me një zyrtar të Forcave Mbrojtëse të Izraelit që tha të shtunën e kaluar se objekti pësoi dëme të konsiderueshme.
Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike tha se katër ndërtesa në vend u dëmtuan rëndë, por një zëdhënës i Organizatës së Energjisë Atomike të Iranit tha se dëmet ishin të kufizuara.
Izraeli beson se Irani po pasuron uranium në nivele që mund t’i lejojnë atij të ndërtojë një armë bërthamore , pavarësisht pretendimeve të Republikës Islamike se puna e saj bërthamore është për “qëllime paqësore”.

