Rajon
Kanale komunikimi dhe kurthe/ Kur Perëndimi përçahet, gjëma ndihet edhe në Ballkan
Presidenti amerikan, Donald Trump, takoi homologun rus, Vladimir Putin, vitin e kaluar në Alaskë, pas viteve të izolimit diplomatik të Moskës, për shkak të pushtimit të Ukrainës. Dy vendet po vazhdojnë negociatat për t’i dhënë fund konfliktit gati 4-vjeçar.
Për Kosovën nuk do të ishte hera e parë që Rusia kërkon hise në fatin e saj. Nga kundërshtimi i intervenimit të NATO-s më 1999, te krahasimi me Krimenë e aneksuar dhe bllokimi i njohjeve ndërkombëtare, Moska ka luajtur vazhdimisht rolin e kundërshtarit të shtetësisë së saj.
Sot, kur marrëdhëniet mes SHBA-së dhe BE-së janë të tensionuara, ky ndikim rus rrezikon të bëhet edhe më i hapur.
Pak dite me parë ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, konfirmoi se Moska ka hapur kanale komunikimi me Shtetet e Bashkuara për zhvillimet në Ballkan dhe se është e gatshme t’i thellojë ato. Ai, gjithashtu, la të kuptohet se edhe amerikanët duan të angazhohen.
Radio Evropa e Lirë pyeti Departamentin amerikan të Shtetit nëse SHBA-ja po diskuton me Rusinë për Kosovën, Bosnjën apo vendet e tjera të Ballkanit, si koordinohet me Evropën dhe si e vlerëson rolin e Moskës në rajon, por nuk mori asnjë përgjigje që nga 20 janari.
Bashkimi Evropian theksoi se nuk mund t’i konfirmojë shkëmbimet e mundshme mes palëve të treta.
“BE-ja është partneri kryesor politik, ekonomik dhe strategjik i Ballkanit Perëndimor dhe është plotësisht e angazhuar në rajon”, tha një zëdhënës i bllokut.