Shkrime
A po nis agonia e të Majtës në Shqipëri
Nga Ben Andoni
Ministrit aktual të Drejtësisë nuk mund t’i shkonte ndërmend se do t’i duhej të ndryshonte brenda pak sekondave dhe në kuadrin e një fjalie të përbërë me disa fjaliza nënrenditëse, konstatimin për zbehjen e përkrahjes së bazës së PS-së. Ulsi Manja do t’i duhej t’i rishpjegonte auditorit mavi, kur e kuptoi se kishte shkuar shumë larg, se ishte vetë ai, Rama që frymëzonte dhe se ndryshonte kryekëput në mënyrën sesi bënte fushatë. Po, po, krejt ndryshe nga i gjithë grupi drejtues! Modifikoi gjithçka.
Ajo që kuptohet qartë është se: nëse PS-ja ngjan sikur s’ka probleme, kjo vjen ngaqë është e vështirë të gjykosh kur mungon një lloj refleksioni ose kritike në partinë e Ramës. Një të tillë u mundua ta bënte pak ditë më parë deputeti socialist Erion Braçe, i cili akuzoi direkt kreun e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, aktualisht një nga numrat kryesorë të PS-së, se: Ai arriti të bëjë bllokimin e amendamentit, që mbronte bujkun në raport me tregtarin!
Larg kësaj: A po vjen radha e PS-së pas PD-së të shkërmoqet?! Koha është një kategori me të cilën nuk mund të matesh. Mbase, nuk është e lehtë ta parashikosh kohëzgjatjen e këtij procesi, por mund të kuptosh qartë se sot PS dhe PD-ja nuk i përfaqësojnë më shqiptarët dhe zhvillimet ideologjike, që kërkon zhvillimi i vendit.
Në rastin e PS-së, tashmë, është më e lehtë t’ia shikosh prirjen, pasi kur një parti është në fuqi, gjykimi i bëhet përmes akteve të Ekzekutivit dhe mënyra sesi ndërtohen ligjet te Legjislativi dhe votohen me forcën e kartonit. Në kohët që po jetojmë duket se Partia Socialiste i ka kaluar barrierat ideologjike, jo thjesht në mënyrën sesi ka vepruar me strukturën e partisë por më shumë se kaq politikat e saj, ku mund të thuhet se E Majta shqiptare është larg Të Majtës klasike Evropiane.
Në mandatin e tretë, Partia Socialiste po nis atë kurs që Partia Demokratike e ravijëzoi e detyruar qysh në mandatin e dytë kur ishte në pushtet me një lloj ndjesie ngopje të pushtetit, por më shumë se kaq, një indiferencë shumë të madhe me strukturat e veta.
Nëse dikur kishte një frymë shprese, tashmë e Majta është bërë zhgënjyese përderisa njerëzit afër pushtetit pasurohen dhe E majta mendon më shumë për një pakicë, që ka krijuar monopole në vend. Sot e Majta po lëngon. Ajo mund të kundrohet si një trup i bukur, por mbushur me plagë.