Politike
Abilekaj: Altin Dumani bëri revolucion në SPAK, vetëm Rama ka mbetur pa u prekur nga politika
Kreu i SPAK-ut, Altin Dumani, do të lërë drejtimin e SPAK, pas disa ditësh për t’ia dorëzuar detyrën pasuesit të votuar nga KLP, Klodian Braho.
Analisti Enton Abilekaj, i ftuar në emisionin Të Paekspozuarit, duke bërë një përmbledhje të punës së Altin Dumanit në krye të SPAK, u shpreh se ai bëri revolucion në krye të instucionit, duke çuar në qeli zyrtarë të lartë afër kryeministrit Rama dhe më poshtë. Por, Abilekaj u shpreh se megjithëse ka patur shumë arrestime, nuk ka vendime, duke krijuar përshtypjen se këto arrestime janë bërë për konsum publik.
“Dumani gjeti një SPAK nga Arben Kraja, i cili ishte ngjante shumë me prokurorinë e krimeve të rënda, që bënte sikur hetonte dhe nuk dënonte askënd, nuk çonte askënd në prokurori, në gjykatë, nuk çonte askënd në burg, por arrestime të nivelit të ulët, sa për të thënë që po punohet, për të nxjerrë një bilanc, statistika.
Në qoftë se ju kujtohet, në 2021 u bë arrestimi i parë nga SPAK-u, i nivelit të lartë që ishte Lefter Koka. Pra në 2019 mori detyrën Kraja dhe në 2021 u bë arrestimi i parë dhe ky arrestim u bë në fakt me insistimin e ambasadores amerikane në Tiranë, e cila më shumë e bëri për të ndihmuar komisionin e opozitës në parlament për inceneratorët, sesa për të gjetur drejtësinë për inceneratorët.
Me ardhjen e Dumanit, pastaj ne kemi shumë çështje. Nivelet më të larta të politikës janë prekur pak a shumë. Ka mbetur vetëm kryeministri, pa u prekur direkt, domethënë, s’është mbërritur vetëm te kryeministri.
Po ta shikosh si tregues, si një bilanc, si statistikë, duket sikur Dumani ka bërë një revolucion dhe në fakt, edhe në opinionin publik, edhe në marrëdhëniet e drejtësisë me politikën, ai ka bërë revolucion.
Pra, drejtësia u bë më faktor më i rëndësishëm. Filluan t’i kenë frikën politikanët, filluan t’i kenë frikën njerëzit me pushtet të drejtësisë. Filluan të mendojnë që drejtësia mund të vijë deri tek ata, i kalon kufijtë e lejes ndaj Edi Ramës ose të frikës ndaj opozitës.
Dhe ne kemi sot dy njerëzit më të afërt të Edi Ramës në hetim nën akuzë, një ish-zv/kryeministër, një zv/kryeministre në detyrë nën akuzë, ke ministra nën akuzë, të arrestuar. Kryetari i Bashkisë Tiranës sot bëri një letër që donte të merrte pjesë te diskutimi i buxhetit nga burgu.
Pra, kemi këto çudira që kanë ndodhur në kohën e Dumanit. Në këtë kuptim, Dumani ka një statistikë, një bilancë shumë të pasur. Por nga akuza deri te dënimi, është një rrugë e gjatë. Dhe në qoftë se s’kemi vendime, është e vështirë për ta gjykuar nëse puna e prokurorisë është bërë sa duhet dhe si duhet, apo është bërë në mënyrë bombastike për të arritur një rezultat viziv, për të krijuar një përshtypje, një imazh të rremë te publiku, që këtu po vihet drejtësi dhe po luftohet korrupsioni.
Ndërkohë që në fakt nuk po luftohet, por po merren disa emra si shembuj dhe si statistikë për të krijuar idenë që po luftohet korrupsioni”- tha Abilekaj.