Politike
Adriana Kalaja paralajmëron largimin nga PD

Adriana Kalaja, Kryetare e Komisionit të Apelimit në Partinë Demokratike dhe ish-kandidate për deputete në qarkun e Tiranës paralajmëroi tërheqjen nga Partia Demokratike, nëse Berisha nuk reflekton për humbjen e zgjedhjeve të 11 majit.
Ish-kandidatja shkroi në një grup bashkëbiseduesish demokratë të njësisë 8 se procesi i primareve në PD ishte një skandal dhe nuk u mor asnjë masë.
Kalaja përsëriti edhe akuzat ndaj deputetes së zgjedhur në listat e hapura, Jorida Tabaku, e cila sipas saj mbushi kutitë me “votat e regjimit Rama.”
Kalaja shkroi se do të rikthehet të kontribojë në Partinë Demokratike kur kreu i saj Sali Berisha të riorganizojë nga e para partinë, jo bazuar në miqësira e qoka, por në kontributet dhe merita.
Reagimi i zonjë Kalaja u përmend nga Ylli Rakipi, ndërsa në studion e emisionit “Të Paekspozuarit” ishte sekretari i Përgjithshëm, Flamur Noka, por ky i fundit e shmangu përgjigjen duke thënë se ajo është dhe do të mbetet në PD.
Rakipi: Ja edhe Adriana Kalaja qenka tërhequr nga partia.
Noka: Si? Vazhdojmë se kemi çështje.
Rakipi: Është tërhequr Adriana Kalaja nga partia. “Farsa vijon dhe tallja me demokratët po ashtu. Do të rikthehem kur Berisha të riogranizojë nga e para partinë”, shkruan ajo.
Noka: Vazhdojmë diskutojmë çështjet madhore.
Rakipi: Ore ka ikur një njeri i rëndësishëm nga partia.
Noka: Nuk ka rëndësi erdhi, iku Flamuri. Hajde diskutojmë se jemi në mision politik. Vazhdojmë.
Rakipi: Ore kjo është e rëndësishme, mendoj unë.
Noka: Ajo është një zonjë që ka kontribuar, luftuar pa fund, por mos i analizo shumë se mund të jenë deklarata emocionale. Ajo është në PD, do të jetë në PD. Vazhdojmë.
Rakipi: E ka thënë publikisht.
Noka: Merremi me këtë kur ta ketë seriozisht. Hajde.

