Shkrime
Agron Shehaj, një sinjal që anija e Berishës po mbytet
Nga Namir Lapardhaja
Dalja në ‘Opinion’ e Agron Shehaj dhe njoftimi se është shkëputur nga grupimi i ‘Rithemelimit’ të Sali Berishës, përbën një moment të veçantë në dinamikën politike brenda këtij kampi.
Deputeti Shehaj, i cili iu bashkëngjit ‘Foltores’ në momentet e fillimit, është i pari që po e braktis publikisht atë.
Nëpërmjet këtij veprimi, ai ka dhënë një mesazh të qartë përsa i përket situatës ku ndodhet Sali Berisha dhe grupimi i tij pas nisjes së hetimeve nga ana e Prokurorisë së Posaçme.
Ashtu siç vetë Shehaj u shpreh, largimi nga grupimi i Berishës dhe vijimi si deputet i pavaur, është motivuar nga rezultati zhgënjyes në zgjedhjet e fundit vendore, mospasja e një plani dhe aksioni konkret për ringritjen e opozitës dhe, mbi të gjitha, për atë që ai e quajti mosbesim të shqiptarëve te ky grupim dhe te këta njerëz.
Largimi i Agron Shehajt ngre një pyetje të rëndësishme: A është ky vetëm fillimi i një vale tërheqjeje të deputetëve të grupimit të “Rithemelimit” apo është një zhvillim i shkëputur?
Sido që të bëjnë deputetët e tjerë të grupit të Berishës, duke parë edhe lëvizjet dhe ‘aksionet’ e fundit guerrile, është e qartë se ‘lufta’ është duke u zhvilluar jo për ato që thuhen, por për ato që fshihen: Berisha e bën për të shpëtuar veten dhe familjarët e tij të afërt nga SPAK-u, ‘heronjtë e kangjellave’ për t’u dukur të besueshëm në sytë e tij dhe për të marrë bekimin për të qenë pasardhës në krye të ‘Rithemelimit’.
Agron Shehaj është deputeti i parë që me largimin dhe veprimin e tij tregoi se nuk do ketë një të ardhme politike postberishë për grupimin e “Rithemelimit”, sepse ai është i destinuar të ndjek fatin penal të Sali Berishës.