Shkrime
Ajo që SPAK fsheh në dosjen e Elbasanit
Nga Andi Bushati
Po të bëhet një llogaritje e pasqyrimit mediatik të “goditjes spektakolare”, që SPAK ndërmori ndaj bandës së Suel Çelës në Elbasan, vërehet me lehtësi një anomali.
Shumica e titujve i dedikohen “korruptimit” të gazetarëve Artan Hoxha e Elton Qyno, mënyrës se si ata “prodhonin lajme për llogari të bandave”, në këmbim të parave që merrnin prej tyre. Për të shkuar edhe më tej, një tjetër tymnajë u ngrit me të madhe edhe rreth vrasjes së mundshme të Saimirit të Stopit.
Po të lexoje pështjellimin që krijuan këto “zbulime” ngjante sikur “spin doctors-at” e SPAK e kishin arritur qëllimin. Duke pompuar emrat e gazetarëve ata e patën përllogaritur përmasën e zhurmshme që kjo ngjarje do të merrte, aq sa për të lënë në heshtje çdo aspekt tjetër.
Pak, fare pak, zëra vigjilentë u kujdesën të ngrenë pyetjen: Po pse duhej të ishte prioritet i prokurorëve të posatshëm, qoftë edhe nëse ishte e vërtetë që Artan Hoxha paskësh manipuluar për llogari të një bande? Nëse kjo ka ndodhur, ajo përbën pa asnjë dyshim një përdhosje të moralit dhe profesionit të gazetarit, si nga ai, apo qoftë edhe nga Qyno, por deri këtu. Ata as kanë vrarë njeri, as kanë nxjerë dikë në pritë, as kanë shitur vota, drogë apo armë. Mëkatet e tyre duhet të qenë në fundit në klasifikimin e shqetësimeve të prokurorëve, nëse ata nuk kishin qëllim të vërtetonin teorinë e “mediave të kazanit”.
Pra, ç’i hynte në punë SPAK-ut se Artan Hoxha kishte arritur të manipulonte emisionin e Fevziut, apo Elton Qyno lajmet e Karlo Bolinos? Mos vallë këto qenë krimet më mostruoze të bandës së Suel Çelës? Këto dilema bëhen edhe më të mëdha po të vëzhgohet përmasa që mori episodi i vrasjes në tentativë të drejtuesit të Stop. Po të lexohet dosja me vëmendje shikohet që ajo është një budallallëk me brirë. Suel Çela duket hapur që tallet me atë gjyqtaren e neveritshme që ia kërkon këtë edhe as nuk ka ndërmend të qëllojë mbi gazetarin. Edhe vetë Saimir Kodra e pohoi me modesti se ai as nuk kishte ndjerë, as nuk kishte marrë kurrë kërcënime. Pra kjo flluskë qe thjeshtë qesharake për të fituar përmasat që mori.
Po pse atëherë i’u dha kaq hapsirë në dosje këtyre emrave që dihej se do të shkaktonin rokopujë dhe pse rripat e transesionit të prokurorëve në media e shumfishuan atë?
Përgjigjja e këtyre pyetjeve gjendet po të lexohen me vëmendje në 262 faqet e dokumentit që “rodhi” drejtpërdrejt nga zyrat e SPAK.
Aty flitet për shembull për një biznesmen të quajtur Bujar, ose Marsel Shega që është i lidhur ngushtë me bandën e Suel Çelës. Por, po të shihet aktiviteti i tij, ai është favorizuar në marrjen e shumë tenderave shtetërore dhe punëve publike. Kompanitë e tij Viola Green dhe Wonder Green kanë përfituar nga paratë e taksapaguesve shqiptarë, në Elbasan, Berat, Peqin, Kuçovë duke u bërë kështu kanali përmes të cilit banda e Elbasanit ushqehej me të ardhura publike.
Në dosje shihet gjithashtu se dy nga të arrestuarit si pjestarë të bandës, kanë arritur të katapultojnë mortën e tyre, direkt e në paradhomën e Edi Ramës.
Adelajda Roka mban prej një viti detyrën e drejtoreshës së Agjencisë së Zhvillimit të Territorit, nga kalojnë të gjitha lejet e ndërtimit në vend. Në kontrollin e banesës që i’u bë njërit prej vëllezërve, thuhet se u gjetën edhe plane biznesi që kalonin nga Rama dhe e motra, duke krijuar një lidhje të drejpërdrejtë midis kriminalitetit dhe një sektori fitimprurës të rregulluar drejtpërdrejt nga kryeministri.
Panorama merr formë të plotë po të kujtojmë se njëri nga këta vëllezër, dhe disa nga shokët e tij të armëve, ishin ata që u akuzuan se masakruan Lulzim Bashën dhe përkrahësit e tij,në mes të Elbasanit në incidentin e famshëm të ditës së verës, në 2021-shin. Ishin po të njëjtët që emri u ka dalë në blerjen e votave, marrjen e kartave të identitetit dhe mbylljen e zyrave të LSI-së gjatë fushatës së fundit elektorale.
Pra, le ta përmbledhim pak. Banda kriminale e Elbasanit, jo vetëm terrorrizonte në paprekshmëri të plotë qytetin, jo vetëm korruptonte policë e gjyqtarë, por partia në pushtet kujdesej ta furnizonte dhe me para publike. Ajo merrte tendera dhe filtronte lejet e ndërtimit që nënshkruan me dorën e tij kryeministri. Përse i merrte këto favore? Për arsyen e thjeshtë se ishte aktive në manipulimin e zgjedhjeve. Ilustrim më të mirë sesa i bën kjo dosje devizës së Ramës: “vjedhin Shqipërinë për të vjedhur vota dhe vjedhin vota për të vjedhur Shqipërinë”, nuk ka se si të ketë.
Pikërisht për këtë arsye, për të fshehur këtë të vërtetë të thjeshtë duhej shpikur një zhurmë e madhe. Prandaj turmave i’u hodhën pa mëshirë emrat Artan Hoxhës dhe Elton Qynos si një brum i mirë për të ushqyer nofullat e pamëshirshme të mekanizmit mediatik. Natyrisht, mëkatet e supozuara të këtyre dy gazetarëve, që nuk e di a duhen më të quhen të tillë, nuk janë të vogla, por ato janë krejt të papërfillshme në rapport me krimin real që gjendet në atë dosje. Pikërisht për këtë të parët u përdorën për të mbrojtur të dytin. Dhe për këtë SPAK realisht duhet përgëzuar, pasi ka përqafuar më së miri filozofinë që mbretëron në Shqipëri së paku prej një dekade, për të arritur me anë të komunikimit, atë që nuk bën dot me punë.
/Lapsi.al