Rajon
Akrap: Serbia është eksportuesi kryesor i krizës në Ballkan Perëndimor
“Rusia, Serbia dhe instrumentet e tyre të veprimit, menaxhojnë procese të shumta si në skenën politike ashtu edhe në atë sociale, kryesisht në Serbi” – kështu u shpreh Gordan Akrap, ekspert i sigurisë nga Instituti për Hulumtimin e Konflikteve Hibride në Zagreb
“Është parë në disa shembuj që duke angazhuar kapacitetet e veta dhe ato serbe, Rusia po përpiqet të largojë vëmendjen e Perëndimit nga gjithçka që po bën në agresionin e saj brutal kundër Ukrainës në lidhje me gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, duke e komplikuar më tej situatën në to, duke u përpjekur të kryej ndryshime të shumta sociale dhe politike duke vepruar përmes organizatave financiare, ekonomike, politike, të sigurisë dhe sociale” – potencoi Akrap.
Ai vëren se Serbia e ka radikalizuar fuqishëm shoqërinë e krijuar si rezultat i politikave radikale të Millosheviçit në vitet 1990 dhe se ky proces vazhdoi me Koshtunicën dhe pasardhësit e tij, ku, tha ai, ata antagonizuan të gjithë serbët jashtë Serbisë dhe u përpoqën nga njëra anë të tregojnë se “ne jemi mbrojtësit kryesorë të interesave kombëtare serbe”, dhe nga ana tjetër, ata u pozicionuan ndaj Perëndimit si një pengesë për radikalizimin e mëtejshëm të Serbisë.
“Po shohim qartë se si Serbia dhe Rusia po përpiqen të destabilizojnë fuqishëm Kosovën, teksa ia dolën të destabilizojnë Malin e Zi” – theksoi Akrap, duke shtuar se “Serbia po përpiqet të ushtrojë ndikimin e saj të fortë edhe në territorin e Bosnjë-Hercegovinës”.