Bota
AKRONIMI I KTHESES/ Trump për ndryshim regjimi, hap rrugën për “Make Iran Great Again”

Përmes një postimi në rrjetet sociale, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, është shprehur i hapur ndaj mundësisë së një ndryshimi regjimi në Iran.
Edhe pse termin “ndryshim regjimi” e konsideron si politikisht jo korrekt, presidenti amerikan theksoi se nëse regjimi aktual në Teheran nuk është në gjendje ta bëjë “Iranin sërish të madh”, atëherë shtrohet pyetja pse nuk duhet të ketë një ndryshim regjimi.
“Përdorimi i termit ‘ndryshim regjimi’ mund të mos jetë politikisht korrekt, por nëse regjimi aktual në Iran nuk është në gjendje ta bëjë Iranin sërish të madh, pse nuk duhet të ketë një ndryshim regjimi?”, shkroi ai në platformën Truth Social.
Postimin e tij, Trump e mbyll me një akronim të ri-MIGA, një version i përshtatur i sloganit të tij të njohur elektoral MAGA, të cilin e ka përdorur që nga fushata e tij e parë në vitin 2016 dhe e ka vazhduar në fushatën për zgjedhjet e vitit 2024.
Deklarata e Trump vjen në një kohë kur tensionet mes Uashingtonit dhe Teheranit janë rritur në pikën më kulmore. SHBA-të vendosën që të sulmonin ushtarakisht disa objektiva bërthamore të Iranit. Këta të fundit janë shprehur se do të kundërpërgjigjen ndaj agresionit.

