Kronike
Aksidenti me gjashtë të plagosur, arrestohet shoferi
Drejtuesi i “Benz”-it të përfshirë në një aksident të rëndë një ditë më parë në aksin rrugor “Qafë Thanë-Prrenjas” ka rënë në pranga.
Automjet tip “Benz”, i cili po lëvizte nga Prrenjasi në drejtim të Pogradecit është përplasur me autobusin.
Pas përplasjes makina tip “Benz” është përfshirë nga flakët dhe mbetën të dëmtuar drejtuesi 28-vjeçar I.M., si dhe pesë pasagjerët që udhëtonin me të.
Mes të lënduarve më rëndë është një vajzë, e cila u nis drejt Tiranës me helikopter për mjekim të specializuar.
Sakaq, në autobusin e drejtuar nga 51-vjeçari me iniciale I.A. janë shkaktuar vetëm dëme materiale. Për Top Channel, drejtuesi i autobusit është shprehur se mjeti i ka zënë rrugën pasi mori kthesën, duke u futur komplet në sensin e kundërt të lëvizjes.
“Unë isha duke zbritur kthesën e Qafë Thanës poshtë. Makina që vinte sipër, duke ndërruar marshet apo s’e di si, duke marrë kthesën më ka prerë rrugën sepse është futur komplet në sensin e kundërt të lëvizjes”, tha 51-vjeçari.
“Në vijim të informacionit paraprak të dhënë ditën e djeshme për një aksident në aksin rrugor “Qafë Thanë-Prrenjas”, ju bëjmë me dije specialistët e qarkullimit rrugor të DVP Elbasan arrestuan shtetasin I. M., 28 vjeç, banues në fshatin Buçimas, Pogradec, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, pasi duke drejtuar automjetin, ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe për pasojë automjeti është përplasur me autobusin me drejtues I. A. Nga ky aksident, ka marrë flakë automjeti që drejtohej nga shtetasi I. M. dhe janë dëmtuar 5 pasagjerët në të, të cilët janë në kujdesin e mjekëve”, sipas policisë.