Bota
Aksidenti tragjik ajror në Korenë e Jugut, Qeveria vendos inspektimin e të gjithë avionëve
Koreja e Jugut ka nisur një inspektim emergjent të sigurisë së të gjithë operacioneve të linjave ajrore të vendit dhe një kontroll të veçantë të të gjithë Boeing 737-800, pasi 179 persona humbën jetën në një aksident ajror që përfshiu avionin e Jeju Air të dielën.
Qeveria tha se do të kryente auditimin e 101 avionëve, duke përfshirë edhe Boeing.
Choi Sang-mok, i cili u emërua president i Koresë së Jugut dy ditë përpara katastrofës, tha se një inspektim shterues ishte thelbësor për të riparuar sistemin e sigurisë së aviacionit.
Teksa ai po fliste, një tjetër avion pasagjerësh që i përkiste Jeju Air u detyrua të kthehej në aeroportin Gimpo në Seul pak pas nisjes të hënën, pas një problemi të paspecifikuar.
Mosfunksionimi i mjeteve të uljes është ndër çështjet që janë në shënjestër nga hetimi, në të cilën avioni rrëshqiti përgjatë pistës në atë që industria e aviacionit e përshkruan si një “ulje barku”.
Zyrtarët thanë se përplasja mund të ishte shkaktuar gjithashtu nga një goditje e shpendëve dhe kushtet e motit – ose një kombinim i këtyre dhe faktorëve të tjerë – por shkaku i saktë nuk dihej ende. Kjo ishte katastrofa më e madhe e aviacionit civil në tokën e Koresë së Jugut.
Me identifikimin e të vdekurve që po ecën ngadalë, Park Han-shin, një përfaqësuese e familjeve të viktimave, tha se atyre iu tha se trupat ishin “dëmtuar keq”, aq sa zyrtarëve u duhej kohë, përpara se t’i kthenin te familjet e tyre.
“Kërkoj që qeveria të mobilizojë më shumë personel për t’i kthyer vëllezërit dhe anëtarët e familjes tanë sa më shpejt të jetë e mundur”, tha ai.
Ndër pyetjet që janë shfaqur menjëherë pas aksidentit është nëse një strukturë pothuajse 2 metra e lartë, një mur betoni i vendosur jashtëzakonisht afër fundit të pistës, të cilin avioni e goditi përpara se të shpërthente, e përkeqësoi katastrofën.
Muri, i përdorur për të mbështetur një antenë “lokalizuese” që ofron informacione mbi uljen e avionëve, është shumë më i gjatë se ato të përdorura në aeroportet e tjera të Koresë së Jugut.
Dy stjuardesa – një burrë dhe një grua – u shpëtuan nga bishti i avionit. Ata po trajtohen në një spital në Seul pasi u transferuan nga spitalet pranë aeroportit, tha agjencia e lajmeve Yonhap.
I mbijetuari mashkull po trajtohet për thyerje të brinjëve dhe shpatullave, tha Ju Woong, drejtor i Spitalit Universitar të Seulit.
Ju tha se burri, emri i të cilit nuk është bërë i ditur, u tha mjekëve se “u zgjua për ta gjetur (veten) të shpëtuar”. Detajet e të mbijetuarës femër nuk ishin të disponueshme.
Avioni Boeing 737-800 i operuar nga linja ajrore e Koresë së Jugut “Jeju Air” ndali tentativën e parë të uljes dhe më vonë u rrëzua në pistë me shpejtësi pasi lëshoi një sinjal.
Videoja e përplasjes tregon ndoshta një dështim të mundshëm të sistemit hidraulik.
Regjistruesi i të dhënave të fluturimit dhe regjistruesi i zërit të kabinës së avionit janë nxjerrë nga rrënojat, por raportet e mediave thanë se mund të duhet më shumë kohë se zakonisht për të përcaktuar shkakun pasi regjistruesi i të dhënave të fluturimit ishte dëmtuar në përplasje.