Connect with us

Rajon

Aksidentoi për vdekje të renë nën efektin e alkoolit/ Dënohet me 30 ditë burg 20-vjeçari, shpërthejnë protestat

Mijëra qytetarë kanë protestuar në qendër të Shkupit, Maqedoni e Veriut, pasi një vajzë u aksidentua për vdekje teksa po kalonte rrugën nga një 20-vjeçar. Aksidenti ka ndodhur në orët e vona të mërkurës, ku 22-vjeçarja Frosina Kulakova, u përplas për vdekje nga 20-vjeçari teksa po kalonte tek vijat e bardha. Ajo po ndiqte studimet për një shkollë mode në Shkup.

Sipas njoftimit të Prokurorisë së Shkupit, shoferi që e shkaktoi aksidentin nuk kishte leje drejtimi, ishte nën efektin e alkoolit dhe nuk respektoi rregullat e qarkullimit rrugor. Por, i riu ishte një person i njohur për autoritetet pasi një vit më parë ai u arrestua për posedim dhe trafik droge, por pas tre muajsh qëndrimi në paraburgim u la i lirë përkohësisht. Ndërsa, tani ai u arrestua dhe u dënua me vetëm 30 ditë burg. Protestuesit fillimisht u mblodhën në vendin e aksidentit, ku ndezën qirinj dhe lanë lule, e më pas u zhvendosën në drejtim të Kuvendit dhe Gjykatës së Shkupit.

Protestuesit, shumë prej të cilëve studentë, u shprehën të indinjuar për faktin se persona të rrezikshëm ndaj të cilëve është nisur procedimi penal, si në rastin e shoferit 20-vjeçar, mbeten të pandëshkuar dhe lëvizin të lirë. Ata thanë se ky është rezultat i sistemit të korruptuar të vendit dhe drejtësisë së korruptuar.

Protestuesit kanë brohoritur “duam drejtësi”, “nuk është aksident, është vrasje”, “ju janë lyer duart me gjak”.

“Nëse nuk e ngremë zërin tani dhe nuk reagojmë, incidente të tilla tragjike do të vazhdojnë të ndodhin. Frosina mund të jetë secili prej nesh. Frosina është viktimë e sistemit korruptiv dhe mungesës së llogaridhënies në vend”, tha një përfaqësues i Bashkimit Studentor, i cili mori pjesë në demonstratë.

Një demonstratë e ngjashme është mbajtur edhe në qytetin e Negotinës, prej nga vjen 22-vjeçarja Frosina e cila humbi jetën.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hrvatski Mickoski, shprehu keqardhjen që një i re humbi jetën në këtë mënyrë dhe tha se i kupton plotësisht protestat e qytetarëve, të cilat i përkrah. Mickoski, i cili mori detyrën si kryeministër qershorin e kaluar, pretendon se sistemi gjyqësor i vendit është thellësisht i korruptuar dhe citon sondazhet e opinionit që tregojnë se besimi i qytetarëve në të është minimal.

Advertisement