Politike
Aksion, revoltë, sakrificë, revolucion… Berisha ashpërson gjuhën
Ish kryeministri, Sali Berisha ka ashpërsuar deklaratat e tij ndaj qeverisë, duke paralajmëruar revolucion dhe përballje pas protestës që u mbajt në 6 dhjetor. Në fjalën e mbajtur në kuvendin e FRPD, kreu i Rithemelimit, kujtoi 32 vjetorin e rrëzimit të regjimit komunist, duke deklaruar se duhej 8 dhjetori të shërbente si frymëzim për të rinjtë e sotëm që këta të fundit të ngriheshin kundër qeverisë aktuale.
Berisha ka folur për revolucion dhe përballje në fjalën e sotme në Kuvendin e FRPD.“Ju mbyllni këtë Kuvend të mrekullueshëm, PD mbylli primaret. Fillon faza e dytë e revolucionit, përballja me këtë armik, me këtë pushtues që ushtron gjenocid mbi Shqipërinë dhe shqiptarët. Koha në fton: aksion, aksion dhe vetëm aksion. E keni të qartë se liria na fton: sakrificë, sakrificë dhe vetëm sakrificë. Unë jam i bindur se ju e keni të qartë, se çfarëdo të bëjmë ne për Shqipërinë, ajo bën 100 herë më shumë për ne, prandaj ne do i dalim zot asaj. Ju uroj suksese nga zemra këtij Kuvendi dhe pres me padurim të madh të dalim së bashku në sheshin e betejës në emër të lirive tona, të dinjitetit shqiptar”, tha Berisha.
Sulmi që iu bë nga 31 vjeçari, Berisha: Edi Rama, frikacak që nxjerr në rrugë një kriminel për të më goditur
Ish kryeministri Sali Berisha foli sërish për sulmin e bërë ndaj tij ditën e martë nga 31 vjeçari Gerti Shehu. Ai përsëriti akuzat e tij ndaj Ramës duke deklaruar se kishte qenë kryeministri, ai që kishte urdhëruar 31 vjeçarin ta godiste me grusht.
“Ne do i dalim zot Shqipërisë, asgjë nuk na ndalon ne pa e realizuar qëllimet tona. Edi Rama ky frikacak nxjerr një kriminel në rrugë dhe gjuan. Po një njeri gjuhet edhe mund të vritet por kauza nuk vdes kurrë more mjeran dhe ne do ta faktojmë shpejt se kauza jonë do triumfojë, se Shqipërinë nuk ta japim kurrë. Ata që kanë kuftuar pushtues në histori i kanë luftuar me moton ja vdekje ja liri. Ne do e luftojmë me moton jetën e japim, votën nuk e japim. Mjerë ti që ke prekur votën tonë”-tha kreu i Rithemelimit.