Connect with us

Kosova

Aksioni në Veri, Vuçeviç: Për shkak të dështimit në KiE, Kurti po kërcënon mbijetesën e serbëve

Kryeministër i Serbisë, Millosh Vuçeviç, ka reaguar pasi janë mbyllur gjashtë degë të Bankës Postare të Kursimeve të Serbisë në Veri të Kosovës, për shkak të dyshimit se kanë zhvilluar veprimtari të kundërligjshme.

“I dëshpëruar për shkak të dështimit për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës, Albin Kurti ka vendosur për një akt të ri egërsie që kërcënon drejtpërdrejt mbijetesën e popullit serb në Kosovë” – ka shkruar kryeministri serb në rrjetin e tij social Instagram duke shtruar pyetjet: – “Pse serbët e Kosovës janë komuniteti i vetëm në Evropë që nuk mund të bëjë biznes normalisht? A kanë serbët e Kosovës të drejtë në paga dhe pensione?”

“Këto nuk janë pyetje për ekstremistin Kurti. Ne e dimë qëndrimin e tij. Këto janë pyetje për komunitetin ndërkombëtar, i cili nuk reagon ndaj veprimeve të Kurtit për një kohë të gjatë” – ka theksuar Vucevic

Ndërkaq drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, ka thënë se vendosja e Policisë së Kosovës në degët e Bankës Postare të Kursimeve, është ‘një akt tjetër i dhunshëm i shfuqizimit të institucioneve serbe në veri dhe i dëbimit të popullit serb’.

Petkoviç shtoi se ”është e qartë se ”piromani ballkanas Albin Kurti” dëshiron luftë dhe vuajtje të popullit serb, sepse gjithçka që ka bërë në muajt e fundit, po e bën ekskluzivisht për hir të dëbimit të serbëve nga territori i Kosovës”.

Ai ka paralajmëruar gjithashtu se do të bisedojë me të dërguarin e BE-së për dialog, Miroslav Lajçak, dhe se do të ftojë edhe përfaqësuesit e QUINT-it dhe do t’i informojë të gjithë në skenën ndërkombëtare për paligjshmërinë dhe “terrorin e Kurtit”.

“Ky nuk është një veprim i ri në përshkallëzim. Është një sulm i dhunshëm ndaj vetë dialogut, sepse çështja e dinarit është bërë pjesë integrale e dialogut. Por Albin Kurti po e shkatërron atë” – ka potencuar Petkovic

Advertisement