Politike
Aksioni opozitar/ PD nis sot protestat
ELBASAN– Sot nis aksioni i Partisë Demokratike. Opozita do të ngrihet në protestë nga Elbasani, kundër rritjes abuzive të çmimit të naftës. Përmes një njoftimi për shtyp, selia blu bëri me dije se ky 11 tetor do të shënojë dhe nisjen e protestave kundër qeverisë. Protesta do të nisë në orën 11:00 dhe do të mbahet në sheshin ‘Gensher’ në qendër të Elbasanit, për 60 minuta.
“Partia Demokratike, dega Elbasan, do të nisë nga kjo e martë protestat kundër qeverisë. Pas rritjes abuzive të çmimit të karburanteve nga Bordi i Transparencës, PD-ja, dega Elbasan, do të organizojë një protestë për 60 minuta ditën e martë 11/10/2022, në ora 11:00, në sheshin ‘Gensher’ në qendër të Elbasanit”, thuhet në njoftimin e PD-së.
Thirrja e PD-së është shpërndarë masivisht në rrjet me mbishkrimin “Boll heshtëm”. Vetë kryedemokrati Sali Berisha ka ftuar të gjithë qytetarët shqiptarë që të reagojnë kundër çdo padrejtësie të qeverisë e të ngrihen në protesta. Berisha është koordinuar me kreun e Partisë së Lirisë Ilir Meta, por nuk dihet nëse dy drejtuesit e opozitës do të shfaqen bashkë sot në Elbasan.
Nafta ndërkohë ka kapur çmime rekord! Sipas vendimit më të fundit të Bordit të Transparencës, nafta është rritur me 22 lekë për litër dhe çmimi me pakicë do të jetë 245 lekëve për litër. Ndërsa benzina po shitet për më shumë se 200 lekë për litër. Çmimi i gazit natyror është 78 lekë/litri me pakicë dhe i shitjes me shumicë 66 lekë/litër për automjetet. Ajo që po rëndon xhepat e qytetarëve është edhe shporta e ushqimeve. INSTAT raportoi sot se inflacioni ka kapur vlerat 8.1%, më të lartin në 24 vite.