Connect with us

Kosova

Akti i humbjes/ Akrobacitë e Vetëvendosjes për zgjedhje të reja në Kosovë

Për të disatën herë me radhë kryesuesi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari, deputeti më i moshuar i legjislaturës së nëntë nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, insistoi që zgjedhja e kryetarit të Kuvendit të Kosovës të bëhet përmes votimit të fshehtë.

Megjithatë ky tentim i tij hasi me kundërshtimin e Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Listës Serbe, të cilat refuzuan që të propozojnë një përfaqësues që do të siguronte mbarëvajtjen e votimit të fshehtë.

Përveç refuzimit të partive politike, kjo përpjeke për të ndryshuar mënyrën e votimit, nga e hapur në atë të mbyllur, konsiderohet si shkelje e rregullave.

Mazllum Baraliu, njohës i çështjeve kushtetuese tha se kjo është dashur të bëhej në fillim të seancës konstituive, më 15 prill, është dashur të propozohej nga partia fituese, por tani kjo perben shkelje.

Në anën tjetër, Albert Krasniqi, hulumtues në organizatën Demokraci Plus (D+) në Prishtinë, vlerësoi se votimi i fshehtë është paraparë për seancat plenare që kanë karakter të rregullt. Prandaj, votimi i fshehtë nuk mund të aplikohej në seancën konsitituive dhe përbën një veprim të papranueshëm dhe të ulët në aspektin politik.

Ndërkaq Eugen Cakolli, nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), konsideron se kalimi në votim të fshehtë gjatë seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës është një veprim që shkel rëndë procesin demokratik të votimit dhe përbën përpjekje për të manipuluar vullnetin e deputetëve, duke e shmangur transparencën dhe llogaridhënien publike. Edhe drejtori i Institutit për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave (KIPRED), Lulzim Peci, vlerëson se përpjekja e LVV-së që të bëjë “akrobacione” me mënyrën e votimit për kryetarin e Kuvendit të Kosovës paraqet “aktin e fundit të humbjes së besimit dhe kuptueshmërisë së dialogut politik” për kapërcimin e krizës institucionale në Kosovë.

Ilir Deda, njohës i çështjeve politike, ka vlerësuar se Lëvizja Vetëvendosje në Kosovë, është duke bërë ‘‘hajgare me procedura, shpikje rregullash dhe keqinterpretime të qëllimshme të gjithçkaje që lidhet me konstituimin e Kuvendit’’ dhe ka theksuar se Kosova nuk mund te mbetet peng i Vetevendosjes.

“Nuk mund të presim te kete marrëveshje politike, kur grupimi më i madh politik, ne kete rast Vetevendosja, nuk do marrëveshje dhe bën hajgare me procedura, shpikje të rregullave dhe keqinterpretime të qëllimshme të gjithçkaje” – ka deklaruar Deda.

Njohësi i çështjeve politike tha gjithashtu se kuvendi I Kosoves mbeti peng i një kandidature të refuzuar disa here, dhe dikush edhe mund të ketë  700.000 vota, por në Kuvend bën vetëm NJË votë të barabartë me 119 të zgjedhur të tjerë.

“Nuk mundet te keqtrajtohet një vend i tërë. Cilido prej institucioneve të Kosoves, kryesisht presidentja Vjosa Osmani, me urgjence duhet ti drejtohet Gjykatës Kushtetuese, që ti jepet fund ketij filmi të keq” – potencoi  Ilir Deda, njohës i çështjeve politike.

Duke e mbrojtur ndryshimin e metodës së votimit për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit të Kosovës, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Donika Gërvalla, tha se me mosvotimin, partitë që mandatin e kaluar ishin në opozitë po blejnë kohë për një koalicion të mundshëm dhe sipas saj, ata duan ta çojnë vendin në zgjedhje të reja.

Sipas Gërvallës, beteja politike aktualisht është për formimin e Qeverisë së re, e jo për konsitutimin e Kuvendit të Kosovës, duke theksuar se qeverine e re ose e ben Levizja Vetevendosje, ose e ben opozita me Listën Serbe.

“Këto janë dy koalicione të mundshme dhe nuk ka të tjera, se nuk mund të vijnë jashtëtokësorët të sigurojnë vota për partitë opozitare” – deklaroi Gervalla, e cila gjithashtu potencoi se LVV-ja ka ofruar alternativa për zhbllokimin e procesit, por nuk është e gatshme që të bëjë pazare.

“Kemi ofruar alternativa në vazhdimësi dhe ajo çfarë nuk kemi ofruar kanë qenë pazaret. Nëse përvoja e së kaluarës është që pazaret çojnë në zhbllokimin e siuates, atëherë duhet të llogarisim që nuk do kemi zhbllokim sepse ky koalicion nuk është i gatshëm të bëjë pazare në kurriz të funksionimit të institucioneve” – theksoi Donika Gervalla…

Advertisement