Aktualitet
Akuzat për pastrim parash/ Pronari i Spitalit Amerikan del para Gjykatës së Prishtinës

Pronari i Spitalit Amerikan, Klodian Allajbeu dhe 4 të akuzuarit e tjerë për pastrim parash dhe falsifikim të dokumenteve, kanë dalë sot para Gjykatës Themelore në Prishtinë. Klodjan Allajbeu, Ekrem Lluka pronari i “Qendrës Kardiake të Kosovës” bashkë me Korab Llukën, Igli Larashin, drejtor ekzekutiv në atë Spital, si dhe pronarja e “Medbrand KS”, Edlira Malaj kanë dalë sot para Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Ata akuzohen se kanë pastruar para përmes një skeme të falsifikimit të dokumenteve dhe dorëzimit të dokumenteve false në Administratën Tatimore të Kosovës. Sipas “Betimit për Drejtësi”, këto veprime pesë të akuzuarit dyshohet se i kanë bërë kur kanë kuptuar se janë nën hetim nga AKT dhe Prokuroria Speciale.
Avokati mbrojtës i Ekrem Llukës, Dastid Pallaska kërkoi që të mbahet shqyrtimi i dytë për kundërshtim të provave dhe kërkesë për rrëzim të aktakuzës. Për këtë, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Vesel Ismaili tha se me ndryshimet e reja ligjore të Kodit të Procedurës Penale, nuk parashihet mbajtja e kësaj seance. Paraprakisht, Edlira Malaj tha se nuk e kupton aktakuzën dhe veprat penale për të cilat po akuzohet. Por akuza iu sqarua nga prokurori special Dren Paca.
“Në rastin konkret keni përdorur dokumente të falsifikuara- kontratë për shitblerje të pajisjeve ku “Mebrand KS” s’ka qenë i regjistruar fare e që si rrjedhojë ju s’keni mujt me nënshkru kontratë sepse s’keni qenë si subjekt i regjistruar, e që si rrjedhojë janë shkëmbyer para nga ky aktivitet kriminal”, tha prokurori.
Prokurori Paca i sqaroi Malajt se me paratë që ka pranuar dhe transferuar në Shqipëri dhe Austri, ka kryer veprën penal “pastrim parash”.
“Sinqerisht nuk po e kuptoj”, tha Malaj.
Por, pas konsultimit me mbrojtësin e saj, avokatin Shpend Lushaku, e akuzuara Malaj tha se e kupton akuzën e ngritur ndaj saj, por u vetëshpallë e pafajshme.
Pas deklarimit rreth fajësisë, gjykatësi Ismaili tha se kanë të drejtë që në afat prej 30 ditësh të bëjnë kërkesë për kundërshtim të provave dhe rrëzim të aktakuzës. Ndërsa, seanca e mëprashme paraprake më 13 mars 2025 u ndërpre për shkak se mbrojtja e të pandehurve nuk ishte njohur me akuzat.
Në aktakuzën fillestare të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), të cilën e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, janë dhënë detaje se si këta pesë persona kishin prezantuar fatura dhe dokumente me subjekte që nuk ishin të regjistruara, me qëllim që të legjitimonin transaksionet bankare dhe të përfitonin mbi 3 milionë euro.
Edlira Malaj akuzohet se ka falsifikuar dokumentin si pronare e “Medbrand KS” dhe dërgoi dokumente të falsifikuara në Administratën Tatimore të Kosovës.
Sipas Prokurorisë, Malaj kishte përdorur dokumentin e falsifikuar- kontratë për shitblerje mes “Medbrand KS” dhe “American Hospital Kosova” më 23.10.2014, edhe pse “Medbrand KS” nuk ishte regjistruar si subjekt asokohe.
Klodian Allajbeu aksionar në “American Hospital Kosova” dhe drejtori i këtij spitali, Igli Larashi akuzohen për falsifikim të dokumenteve pasi kishin përdorur dokumente të falsifikuara për shit-blerjen në vlerë prej 4, 703, 999, 98 (4.7 milionë euro) të datës 23.10.2014 në mes të shitësit “Medbrand Ks” dhe blerësit “American Hospital Kosova” dhe të njëjtat dokument ia kishin dorëzuar Administratës Tatimore të Kosovës. Në kohën kur është nënshkruar marrëveshje për shit-blerje, sipas aktakuzës, “Medbrand KS” nuk ishte si subjekt i regjistruar.
Pika tjetër e aktakuzës i ngarkon Edlira Malajn, Igli Larashin dhe Korab Llukën i cili ishte përfaqësues i “Qendrës Kardiake të Kosovës” se kanë nënshkruar dokumente të falsifikuara dhe me përmbajtje të rreme. Ata akuzohen se nënshkruan në mars të vitit 2021 “Kontratë për cedimin e llogarive të arkëtueshme” të datës 23.12.2020 dhe e përdorën duke ia dorëzuar ATK-së, me arsyen se e kishin nënshkruar para se ATK të niste procedurat hetimore ndaj tyre.
Sipas aktakuzës, Malaj, Larashi dhe Lluka kishin kryer këtë veprim me qëllim të legjitimimit të mosdeklarimit të pagesës prej 1.572.842.000 (1.5 milionë) euro nga ana e “American Hospital Kosova” dhe “Qendrës Kardiake të Kosovës”.
Veç kësaj, pika tjetër e aktakuzës e ngarkon Klodian Allajbeun, Edlira Malajn dhe Korab Llukën për nënshkrimin e dokumentit të falsifikuar si “Aneks kontratë për cedimin e llogarive të arkëtueshme” të datës 22.03.2021 me qëllim të legjitimimit të mosdeklarimit të faturës mes “American Hospital Kosova” dhe “Qendrës Kardiake të Kosovës” në vlerë prej 1.572.842.000 (1.5 milionë) euro.
Pika tjetër e aktakuzës e ngarkon Edlira Malajn dhe Ekrem Llukën si pronar i “Qendrës Kardiake të Kosovës” se në bashkërkeyrje kanë nënshkruar dokument të falsifikuar dhe të rremë dhe të njëjtin ia kanë paraqitur AKT-së me qëllim se e kanë bërë shitblerjen e pajisjesve nga “Qendra Kardiake e Kosovës” te “Medbrans Ks”.
Pika tjetër e aktakuzës e akuzon sërish Edlira Malajn bashkë me Korab Llukën për nënshkrim të dokumenteve të flasifikuara dhe të rreme me qëllim për të justifikuar mosdeklarimin e faturës në vlerë prej 1.572.842.000 (1.5 milionë) euro.
Klodian Allajbeu akuzohet se kishte përdorur tri dokumente të falsifikuara dhe i kishte dërguar në Policinë e Kosovës me qëllim të vënies në dijeni të Policisë dhe Prokurorisë për blerje të pajisjeve nga “Medbrand KS” ne vlerë prej 4.703.999.98 euro, vendimi ishte marrë nga Bordi i “American Hospital Kosova” më 20 tetor 2014, edhe pse ishte në dijeni se me këtë datë “Medbrand KS” nuk ekzistonte si subjekt i regjistruar.
Pika tjetër akuzon sërish Edlira Malajn, Klodian Allajbeun dhe Igli Larashin, Ekrem Llukën dhe Korab Llukën se duke përdorë dokumente të falsifikuara arrijnë të realizojnë para të paligjshme në vlerë prej 3.482.000.00 euro.
Sipas aktakuzës, pesë të akuzuarit, duke përdorur dokumente të falsifikuara arrijnë të fshehin, natyrën e burimit të vërtetë, t’i konvertojnë dhe transferojnë nga një llogari e biznesit në llogarinë e biznesit tjetër, në llogari personale brenda dhe jashtë Kosovës, për t’i marrë më vonë në posedim dhe shfrytëzim si para të ligjshme.
“E pandehura Edlira Malaj pasi themelon subjektin “Medbrand KS”, më 05.11.2014 se bashku me të pandehurin Klodian Allajbeu dhe Ekrem Llukën përpilojnë dokumentin e falsifikuar “Kontratë për shitblerje” datë 30.05.2014 sipas të cilit subjekti juridik “Medbrand KS” dhe me qëllim të ekzekutojnë kontratën e lartëpërmendur gjatë vitit 2015 presin edhe dy fatura të falsifikuara të datës 24.07.2015 në vlerë 1.572.842.00 euro të lëshuar nga “Qendra Kardiake e Kosovës për “Medbrand Ks” dhe faturën e datës 27.07.2015 në vlerë prej 4.709.999.98 euro, të lëshuar nga “MEdbrand Ks” për American Hospital Kosova”, thuhet më tej në aktakuzë.
Sipas aktakuzës, Malaj kishte përfituar shumën prej 3.131.158.00, ku pjesën më të madhe të këtyre mjeteve i transferon dhe i tërheq në Republikën e Shqipërisë si dividentë. Një pjesë të këtyre mjeteve i kishte transferuar në Austri në llogari të saj dhe të djalit të saj Rigers Malaj.
Aktakuza akuzon për pastrim parash Klodian Allajbeun, Ekrem Llukën, Korab Llukën, Igli Larashin dhe Edlira Malajn.
“Nga data 10.08.2015 në vazhdimësi deri në vitin 2023, subjektet juridike të pandehura 1. “Medbrand KS” Sh.p.k me person përgjegjës njëherit pronare Edlira Malaj, 2. “American Hospital Kosova” Sh.p.k me persona përgjegjës njëherit aksionar dhe përfaqësues ligjor Klodian Allajbeu dhe drejtor ekzekutiv Igli Larashi, 3. “Qendra Kardiale e Kosovës” Sh.p.k me persona përgjegjës njëherit pronar dhe përfaqësues ligjor Ekrem Lluka dhe Korab Lluka, duke përdorur dokumente të falsifikuara të përshkruara si në dispozitivin “I deri VII”, arrijnë të realizojnë të hyra ose para të paligjshme në vlerë 3,482,000.00 Euro, të cilat para pastaj me qëllim që të duken si të ligjshme, duke i përdorur dokumente të njëjta, arrijnë ti maskojnë dhe t’ia fshehin natyrën ose burimin e vërtetë dhe ti konvertojnë (të blejnë prona të paluajtshme), transferojnë nga një llogari e biznesit në llogarinë e biznesit tjetër, në llogari personale të pronarëve brenda dhe jashtë territorit të Republikës së Kosovës dhe ti shfrytëzojnë si para të ligjshme”, thuhet më tej në aktakuzë.
Sipas aktakuzës, ata në vazhdimësi kanë kryer veprën penale “Pastrim të parave”, e përcaktuar në nenin 308 lidhur me nenin 40 dhe 81 të KPRK-së nr. 04/L-082 dhe lidhur me nenin 56 par.1 nën par.1.6 të Ligjit për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit.

