Connect with us

Kosova

Albin Kurti ‘ngre duart’, pranon planin europian

Kryeministri i Kosovës është kujdesur dje të lëshoi një mesazh në Twitter pas takimit me emisarin e BE’së, Miroslav Lajcak. 

“E pranojmë propozimin evropian për normalizmin e marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë”, shkroi Kurti ,duke e vazhduar fjalinë “dhe e konsiderojmë bazë të mirë për diskutim të mëtejshëm dhe si një platformë solide për të ecur përpara”.

Nuk dihet nëse diplomatët perëndimorë, të angazhuar për marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, do ta trajtojnë këtë si pranim të Kurtit dhe do ta cilësojnë si sjellje konstruktive të kryeministrit kosovar ndaj propozimit të tyre, edhe pse kryeministri e theksoi fort “pranimin” e planit. Në fakt, Perëndimi dhe emisarët e tij nuk janë shprehur ende as rreth 6 kushteve të Kurtit për Asociacionin.

Emisari Miroslav Lajçak pas takimit që e pati me kryeministrin Kurti dhe zëvendësin e tij të hënën në Prishtinë, nuk tha se Kurti e ka pranuar planin, ndërkohë që përsa i përket 6 kushteve theksoi se BE e ka një qëndrim por nuk e bëri atë publik.

As ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier nuk ka folur rreth lëvizjes që Kurti bëri javën që shkoi në parlamentin e Kosovës, duke  shpallur 6 kushte për pranimin e Asociacionit e as për formulimin “e pranojmë planin”.

Të hënën, në fakt kishte aktivitet të shtuar diplomatic në Kosovë. Kurti veç Lajçak u takua edhe me diplomatët e akredituar në Kosovë, të cilët i njoftoi për kushtet e tij referua Asociacionit.

 

Advertisement