Kosova
Albin Kurti optimist për marrëveshjen Kosovë-Serbi
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, u shpreh se është optimist që në muajt në vijim do të mund të arrihet një marrëveshje ligjërisht obliguese me Serbinë.
Kurti tha se në dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës, është krijuar një qasje e re, duke përmendur kornizën e përgjithshme të marrëveshjes.
Ai nuk ka përjashtuar edhe diskutimin e temave tjera në kuadër të dialogut, por ka insistuar që pjesë qendrore është “njohja e ndërsjellë”.
Kosova dhe Serbia kanë nisur negociatat për normalizimin e marrëdhënieve më 2011, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Procesi i negociatave pritet të përfundojë me marrëveshje ligjërisht të detyrueshme.
Ndonëse Kosova deklaron se kjo marrëveshje duhet të përfshijë njohjen e ndërsjellë, Serbia nuk pranon, duke insistuar në “zgjidhje kompromisi”.