Connect with us

OPINION

Albin Kurti po bën ush pa pas pula

Nga Sebastian Zonja

“Albin Kurti po bën ush pa pas pula”
Ndër shqiptarë është një shprehje e bukur popullore që thotë “mos bëj ush pa pasur pula”. E përdorim zakonisht për ata persona që janë disi delirantë. Këto kohë, në Shqipëri, opozita ka krijuar bindjen se nëse ndryshon situata politike në Amerikë, do të ndryshojë edhe në Shqipëri. Bashkë me qeverinë kanë krijuar një fabul në popull se sapo të vijë Trampi s’do ketë më SPAK. Do livadhisin të lirë ithtarët e demokracisë dhe ligjit, drejtësia dhe mirëqenia do të triumfojë me në krye Edi Ramën që është në politikë që nga viti 1998 dhe Sali Berishën që është në politikë që nga viti 1990. Problem është SPAK-u. Ai minon demokracinë dhe projektet madhështore për vendin që kanë në mendje Sali Berisha dhe Edi Rama.
Disa aktorë opozitarë thonë po ashtu se sapo të vijë në SHBA një administratë republikane, do hiqet non-grata e Sali Berishës, do rrëzohet Edi Rama nga qeveria dhe do triumfojë demokracia në vend, me në krye të persekutuarin politik nga Enveri, Sorosi, Edi Rama, Serbia dhe Amerika – Sali Berisha. Gjithë epistemologët nëpër botë po mundohen të gjejnë ndonjë lidhje mes këtyrë rasteve. Kërkimet vijojnë.
Ndërkohë, edhe në Kosovë po shfaqen shenja deliri. Opozita atje mendon se vihet në pushtet nga Dragodani (në Tiranë ne themi Rruga e Elbasanit). Dikur zgjidhej presidenti me zarf, rrëzohej qeveria me mesazhe, bëheshe kryeministër me 5 % të votave e të tjerë. Ndërkohë, kryeministri Albin Kurti ka nisur një betejë të ashpër me shovinizmin serb, imperializmin amerikan dhe influencat malinje ruse në rajon. Kushdo që e kundërshton ka patjetër një lidhje të nëndheshme me njërën nga këto qendra pushteti.
Së fundmi, zoti Kurti solli në publik një temë debati sa i përket urës mbi Ibër në Mitrovicë. Vendet aleate, duke përfshirë edhe strukturën më të rëndësishme të sigurisë në botë, NATO-n, i kërkuan që të mos shpejtohej me këto nisma për çeljen e urës. Zoti Kurti njihet për kokëfortësinë dhe racionalitetin e tij. Opozita filloi akuzat se kjo është aventura e radhës e kryeministrit. Për shkaqe zgjedhore, sipas saj, Kurti po vë në rrezik aleancat dhe sigurinë. Duhet thënë se opozita ka qenë më e kujdesshme për ta përdorur për kapital politik sovranitetin e vendit. Ndërkohë që debati nxehej, gjithë qytetarët kishin një pyetje se si një urë mund të kthehej në problem sigurie?
Duket si ngjarje periferike, por kur e lidh me situatën aktuale në Ballkan, vëmendja që ka marrë kjo urë nga aleatët, NATO dhe së fundmi vizita e shefit të CIA-s në Ballkan na lë të hamendësojmë se mund të ketë diçka serioze pas. Një zyrtar i lartë i NATO-s vjen në Prishtinë, shefi i CIA-s zbret në terren dhe akuzat se Rusia po ndez grupe nacionaliste serbe në vend për protestat për litiumin janë ndër ngjarjet e fundit.
Nga informacionet që kemi, dihet se është pjesë e burokracisë së një shteti që çdo kryeministër të marrë informata sekrete nga inteligjenca për situatën në vend dhe rajon çdo ditë. Gjasat janë se Kurti është informuar nga partnerët se çelja e urës mbi Ibër mund të paraqesë rrezik për ndonjë tensionim. Dyshimet janë se mund të ketë rritje të aktivitetit agjenturor të bazës ruse në Nish. Kur këto pretendime i ngriti Ramush Haradinaj, duke thënë se është cënim i Kosovës cënimi i çdo ushtari të NATO-s, vërshuan akuzat deri aty sa heroin e luftës çlirimtare e përbaltën për lidhje me Serbinë.
Pse, vallë, ka shkuar debati në pikën ku opozita cilësohet e shitur te Serbia kur arsyeton ndryshe nga qeveria?
Tani që po vihet re aktivitet i dendur amerikan në rajon, qytetarët e Kosovës dhe Shqipërisë kanë të drejtë ta pyesin kryeministrin Kurti se si do përballohej situata e sigurisë nëse ka aktivitet të dendur serbo-rus në kufi? Fotografitë nga koventa e demokratëve në Çikago të Amerikës nuk janë përgjigje.
Pse përdoret për kapital zgjedhor një çështje kaq e ndjeshme në këtë moment delikat, me aq sa po shohim nga lëvizjet e fundit të aleatëve?
E pamë se si Serbia me megalomaninë e saj humbi kontrollin mbi veriun e Kosovës kur braktisi institucionet dhe tentoi të ndërmerrte një akt terrorist. Shfrytëzimi i gabimeve të Serbisë është akt i rëndësishëm politik dhe diplomatik. Është ajo pula që bën vezë të arta. Ndërkohë, aventurat retorike të Kurtit me plane A pa plan B dhe kokëfortësia boshe janë problematike, apo siç themi ndër shqiptarë “bën ush pa pasur pula”.
Advertisement