Shkrime
Albin Kurti qëron hesapet
Ishte një kohë kur Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në vitin 2019 po përgatitej që për herë të parë partia e tij të dilte e para në zgjedhjet parlamentare dhe u kujdes që ta priste sa më ngrohtë të sapoaderuarin Haki Abazi, pavarësisht se ai gusht ishte përvëlues
“Haki Abazi na u bashkua në VETËVENDOSJE! Njohuritë e gjera dhe eksperienca zhvillimore e tij në Kosovë dhe vende të ndryshme nëpër botë, e bëjnë atë një vlerë të shtuar në Lëvizjen tonë”, – kishte shkruar Kurti në Facebook, më 20 gusht.
Besimi i tij te Haki Abazi shkoi aq larg sa më 6 janar 2020, kur ende nuk dihej nëse koalicion Vetëvendosje – LDK do të realizohej, Kurti prezantoi emrat e kabinetit të tij. Abazi ishte aty – i dyti, pas Kurtit.
I njohur edhe si kritik i LVV, Haki Abazi mori hisen e tij në pushtet – që zgjati pak muaj – për t’u rrëzuar pas përplasjeve me LDK’-në partnere. Në Qeverinë “Kurti 2”, vendin e Abazit e zuri Besnik Bislimi – që vazhdon ta ketë akoma.
Pikërisht “përplasja” e parë e Abazit brenda radhëve të LVV’së ishte me Besnik Bislimin, më 5 maj 2021, në Komisionin për Punë të Jashtme.
Kur ky I fundit po fliste për dialogun me Serbin, erdhi pyetja e prerë e Abazit – a ka pasur diskutime për Asociacionin me kompetenca ekzekutive.
“Ne po kërkojmë informacion për vizitën në Bruksel, për çështjen e dialogut. Por kjo në parashtesë të saj kërkon një informacion për punën e përgatitjes për të cilën është biseduar lidhur me dialogun”, pati deklaruar Abazi.
I “ngufatur” nga LVV, Abazi në mënyrë protestuese nisi të mbajë konferenca cdo javë ku jepte mendimet e tij për zhvillimet pasi brenda grupit parlamentar s’kishte mikrofon për të, ose ikin dritat.
Gjatë tetorit të vitit 2022, Haki Abazi kishte deklaruar se “s’ka asgjë personale me Albin Kurtin”, duke thënë se nuk lidhet asgjë me mos dhënien e postit të zëvendëskryeministrit.
Kritika e Abazit ishte shtruar ndaj shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, që sipas deputetit të “rebeluar”, po “minonte” diskutimet brenda partisë më të madhe në Kosovë.
Që ndarja përfundimtare e Abazit me Lëvizjen Vetëvendosje po vinte, tregoi intervista e tij në “Pressing” në T7, ku hodhi edhe më shumë kritika në drejtim të partisë së tij.
Diskursi kritikues i Abazit, përpos çështjeve të brendshme partiake, ishte zgjeruar edhe në tematika qendrore si politika e jashtme dhe energjia. Por, divergjencave me Abazin, Vetëvendosje vendosi t’u jepte fund.
Ai, më 15 shkurt tregoi se me urdhër politik të Albin Kurtit “është shkarkuar nga posti i kryetarit të Komisionit për Politikë të Jashtme” në Kuvendin e Kosovës, pasi sipas Abazit, ai kishte paralajmëruar se do nxirrte disa audio-incizime, gjatë një konference për media.
Sipas tij, ka audio-incizime që tregojnë për zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit, disa muaj më parë në Institutin e Mjekësisë Ligjore. Audio-incizimet nuk u publikuan, por tani Prokurorisë i është hapur rruga, dhe kjo e fundit pa vonuar e ka thirrur Abazin për të deponuar.
Në një prononcim të menjëhershëm, Abazi tha se “është i hapur gjithmonë për drejtësinë”. Vetëvendosja e shkarkoi Haki Abazin, veçse çështja nuk është mbyllur – temat e hapura nga ai, tani kanë ‘marrë dhenë”. Opozita e ka aktivizuar temën dhe e ka quajtur shqetësuese ”implikimin“ e mundshëm të LVV-së në rastin Dehari.
Deputeti Abazi, gjatë konferencës për media, përmendi edhe shefen e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, të cilën e quajti “çadra e Gadafit” dhe që sipas tij, ka nënshkruar marrëveshje të dëmshme që dikur kanë qenë kauza, ka nënshkruar edhe marrëveshjen e Demarkacionit dhe ka shkaktuar përçarje në grupin parlamentar.
Dhe, teksa kryeministri qëroi hesapet me ‘vlerën e shtuar të LVV”, tani, gjithçka mbetet në duart e prokrurorisë. Tani pritet të shihet nëse Albin Kurti do zgjasi duart edhe aty?