Connect with us

Shkrime

Aleksandër Vuçiç nuk mund të bëhet aleat i SHBA-së dhe BE-së

Nga Prof. Dr. Enver Bytyçi

“E gjitha ajo çfarë tha zonja Drashkoviç shkon në drejtimin e saktë dhe në përcaktimin e drejtë të faktit se presidenti i Serbisë nuk mund të shkëputet nga aleanca dhe lidhjet e tij me Rusinë…”

Danika Drashkoviç është gruaja e ish-ministrit të Punëve të Jashtme dhe shkrimtarit, Vuk Drashkoviç. Ishte ajo që dha lajmin shumë kompremetues për Serbinë dhe presidentin e saj, Aleksandër Vuçiç. Sipas saj, komandanti i Berretave të Kuqe, ish-kolonel i shërbimit sekret serbo-rus, Legija Viçiq, i dënuar katër herë me nga 40 vite burg për krime të rënda kundër njerëzimit, është liruar nga burgu. Ndër krimet e Legija përmenden pjesëmarrja e tij në masakrën e Familjes Jashari në mars 1998, vrasja e 6 të rinjve serbë në kafenë “Panda” të Pejës, vrasja e ish-presidentit të Serbisë, Stamboliç dhe ish-kryeministrit Gjinxhiq, si edhe vrasje të tjera e përdhunimet masive në Kosovë si përshembull vrasja e vëllezërve Bytyçi etj. Ai akuzohet si një kriminel aktiv edhe në masakrat dhe krimet e “Tigrave të Arkanit”.

Megjithatë koloneli Viçiq kohët e fundit është liruar nga burgu me vendim të Gjykatës së Lartë të Serbisë, gjykatë kjo e kontrolluar nga presidenti i vendit, Aleksandër Vuçiç. Këtë vendim, Danika Drashkoviç e quan një rikthim të Serbisë në kohën e Milosheviçit dhe rehabilitim të Beretave të Kuqe, si dhe UDB-së famëkeqe edhe për faktin se këta kishin vrarë vëllanë e saj, Veselin Boshkoviq.

E gjitha ajo çfarë zonja Drashkoviç thotë shkon në drejtimin e saktë dhe në përcaktimin e drejtë të faktit se presidenti i Serbisë nuk mund të shkëputet nga aleanca dhe lidhjet e tij me Rusinë, presidentin Putin e madje as me shërbimet sekrete të Moskës.

Lirimi nga burgu i një krimineli të përmasave të paimagjinueshme e i dënuar nga gjykatat më të ulëta me 160 vite burg, së paku në katër raste me 40 vite burg për secilin rast, është vepër politike dhe akt i imponuar nga shërbimi sekret i Rusisë.  Kjo edhe për faktin se koloneli Legija kishte bashkëpunuar në krimet e tij pikërisht me shërbimet sekrete të Kremlinit.

Pas gjithë kësaj çfarë ndodh duhen kërkuar disa sqarime rreth qëndrimit të faktorit perëndimor ndaj Serbisë dhe presidentit të saj, Vuçiç:

– A mundet që një vend, i cili liron nga burgu një terrorist të përmasave ndërkombëtare, të jetë ose të bëhet gjithashtu vend demokratik?! Kush është ai naiv që beson se shteti serb është i gatshëm të ndryshojë strategjinë dhe aleancat e veta?!

– A mundet që Vucic dhe një qeveri si ajo e Serbisë, e cila bashkëpunon me kriminelë lufte për të zgjatur sundimin e tyre në pushtet, të jenë njëkohësisht aleatë të Perëndimit?!

– A është e mundur që shteti serb të bashkëjetojë njëkohësisht me ata që kanë vrarë vëllezërit Bytyçi, tre shtetas amerikanë për të cilët kërkohet prej 25 vitesh drejtësi nga Uashingtoni?

– A është legjitime që Vuçiç të jetë i besuari i Borrell, Lajçak, Escobar, Hill dhe diplomatëve të tjerë euro-amerikanë e njëkohësisht të aktivizojë bandën më të sofistikuar të krimit dhe terrorit serb për destabilzimin e rajonit të Ballkanit Perëndimor?!

Shërbimet sekrete të SHBA-ve dhe vendeve perëndimore besoj se e njohin shumë mirë situatën në terrenin serb. Burimet që ata kanë nuk mund të thonë të kundërtën e asaj që thotë zonja Danika Drashkoviç apo Sonja Beserko dhe shumë të tjerë në Serbi. Megjithatë Perëndimi vazhdon të besojë se Vucic do ta revizionojë politikën e Serbisë, ndërkohë që ai po ecën në gjurmët e ish-shefit të tij, Sllobodan Milosheviç!

Advertisement