LAJMI I FUNDIT
Alibeaj u tërhoq nga bashkimi i 2 statuteve, Berisha: AliBasha tallet me veten
Sali Berisha ka komentuar vendimin e grupit të Alibeajt për t’u tërhequr nga bashkimi i 2 statuteve që t’i hapet rrugë gjykimit të vendimit të Zhukrit për kontrollin e PD.
“Komenti im, AliBasha tallet me veten e tij. Kur dëgjova që AliBasha deklaronte se unë zvarrit në një kohë kur ishte avokat i tyre që në 4 seanca dhe gjykata përdorte si pretekst mungesën e avokatit të tyre në 4 seanca, është të tallesh me veten. Vendimi i gjykatës së Tiranës është i prerë i cili automatikisht duhej regjistruar në regjistrin e partive politike dhe shoqatave pranë gjykatës. Edi Rama ka marrë peng vendimin e gjykatës de nuk lejon regjistrimin. AliBasha apo quaje si të duash në asnjë vend të botës, askush veç në drejtësinë e Ramës s’mund të bëhet palë në një proces ku nuk ka qenë palë. Kjo ndodh për herë të parë në historinë e botës dhe është absolutisht i pavlerë. AliBasha ka të drejtë të shkojë në gjykatën e fatit dhe për cdo objekt, dokument, provë, të hapë një proces të ri por jo të bëhet palë në një proces ku nuk ishte. AliBasha de facto pranoi Kuvendin e 11 dhjetorit por zbaton urdhrat e Ramës”, tha Berisha.
Kërkuan pavlefshmërinë e mandatit të Xhaçkës, Berisha: Gjyqtarët e Kushtetueses të gjykojnë nesër me paanësi
Sali Berisha nuk ndal akuzat ndaj ministres Olta Xhaçka se po shkel ligjin pasi bashkëshorti i saj është investitor strategjik dhe se ka konflikt interesi që të qëndrojë në detyrë. Sipas Berishës, ka shkelur ligji. Berisha akuzon qeverinë që ndikon mbi gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese. Ish kryeministri i bën thirrje që të gjykojnë me paanësi në seancën e nesërme dhe të shpallë pavlefshmërinë e mandatit të Xhaçkës.
“Jam sot para jush për të denoncuar me forcën më të madhe përpjekjen e rrezikshme mafioze, mobilizimin e papërmbajtur të Edi Ramës, Olsi Ramës, Amant Josifit, Artan Gaçes, Olta Xhaçkës për ndikime të shumëllojta mbi gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese në vendimin e tyre. Ky grup i strukturuar ka ndërmarrë dhe po ndërmerr forma antiligjore, antikushtetuese presioni ndaj anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese me qëllim që të përligjin grabitjen përmes firmës së Edi Ramës nga Olta Xhaçka dhe bashkëshorti i saj, të statusit të investitorit strategjik me së paku 5 milionë euro favore.
Kushtetuta e Shqipërisë ka qindra nene, por njëri nga këto nene, do ta quaja si nenin e artë, ai është neni që nuk lejon në mënyrë kategorike deputetët dhe ministrat, të pasurohen nga pasuritë publike gjatë periudhës që ushtrojnë detyrat apo burime të tjera përveç rrogës. Ky nen është shkelur në mënyrën më flagrante, kur ministrja Xhaçka siguron për burrin e saj strategjik, statusin e investitorit strategjik. Xhaçka kryen vepra të rënda penale, implikon kunatën e saj amerikane, me banim në Boston, si bashkëpronare në këtë aferë të tmerrshme korruptive.
Amant Josifi, njeriu që ka vjedhur 2.2 miliardë euro, i lidhur kokë e xhep me Olsi Ramën dhe Olta Xhaçkën, ka mobilizuar potencialin e tij financiar për të ndikuar në vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Unë jam këtu para jush për t’u bërë thirrje gjykatësve, të gjykojnë nesër me paanësi, bazuar në ndërgjegjen e tyre, mbi interesin kombëtar dhe Kushtetutën e vendit. Gjykimi i nesërm është një provë e fuqishme e triumfit të Kushtetutës”, tha Berisha.